Një epokë e re e luftës globale

Një epokë e re e luftës globale

“Ju mund të mos jeni të interesuar për luftën, por lufta është e interesuar për ju!- thoshte dikur  Trocki. Ne që jetojmë në pjesët më fatlume të botës, po e mësojmë sërish këtë leksion teksa vëzhgojmë luftimet që zhvillohen në Ukrainë. Disa nga historitë që pamë nga ky konflikt, mund të vinin nga luftërat e zhvilluara në çdo vend në çdo kohë:pushtuesit arrogantë dhe me një vetëbesim të tepruar, rezistencë heroike e vendasve, sulme dhe kundërsulme, rrethime të egra, qytetarë të zakonshëm që rrëmbejnëarmët, pushtues që kryejnë masakra ndaj civilëve.

Imazhet e ushtarëve ukrainas në llogoret e tyre, të kujtojnë Luftën e Parë Botërore. Një grua e moshës së mesme, që u përball me ushtarët e parë rusë që mbërritën në qytetin e saj, duke i mallkuar se do të linin kockat në Ukrainës, na kujton shembujt të ngjashëm nga luftërat e Trojës.

Por ky është gjithashtu një konflikt i shekullit XXI-të. Ne po mësojmë më shumë rreth armëve të tilla si dronët vrasës dhe raketat termobarike. Mediat sociale po shndërrohen në një instrument lufte, pasi ukrainasit e përdorin atë për të identifikuar dhe raportuar lëvizjet e trupave ruse, dhe të dyja palët përpiqen të shpërndajnë narrativat e tyre, ku sigurisht ukrainasit janë më të aftë sesa rusët.

Kur shoh panoramën nga apartamenti im në Toronto, pyes veten se si do të dukeshin ndërtesat fqinje me dritaret e tyre të thyera dhe ballkonet e shkatërruara. Mund ta imagjinoj Ontarion Jugore, që duket si disa pjesë të Ukrainës që i shoh nëpër pamjet filmike, me llogore apo tanke ruse të shkatërruar, të rinjtë tanë me armë në duar, dhe ne të tjerët më të moshuar të strehuar nëpër bodrume.

Që të gjithë duke pyetur veten se si arritëm deri në këtë pikë. Dhe teksa shohim këtë lufte, e kuptojmë se ajo mund të përhapet dhe të përshkallëzohet lehtësisht. Rusia nuk ka sulmuar ende vende anëtare të NATO-s si Polonia dhe shtetet baltike, por Kremlini ka bërë kërcënime të forta ndaj tyre, dhe ato po bëhen më të qarta.

Lufta e Tretë Botërore, një mundësi që pak njerëz jashtë grupeve të ekspertëve ushtarakë dhe strategjikë e kanë marrë seriozisht që nga fundi i Luftës së Ftohtë, është tani objekt i një diskutimi plot ankth midis gjithnjë e më shumë njerëzve.

Arsenalet e sotme bërthamore janë të tmerrshme, me bomba shumë herë më të fuqishme se ato që u hodhën mbi Hiroshima dhe Nagasaki në 1945. Është e vërtetë që Lufta e Ftohtë përfundoi pa një luftë bërthamore midis superfuqive, por kjo ishte pjesërisht çështje fati.

Tani ne e dimë se sa afër ishim kësaj lloj lufte gjatë Krizës së Raketave Kubane të vitit 1962 dhe se si gabimet – për shembull, një kasetë trajnimi e futur në pajisjen e gabuar, apo ngatërrimi i disa tufave me zogj me raketat e armikut nga teknikët e një radari – gati e çuan njërën apo tjetrën palë në lëshimin e arsenalit të vet bërthamor.

Pas krizës kubane, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara krijuan një linjë telefonike, nëmënyrë që udhëheqësit e tyre të mund të kontaktonin sa më shpejt që të ishte e nevojshme. A janë komunikimet e sotme po aq efektive? Dhe a jemi të përgatitur për gabimet apo incidentet, të cilat siç e dimë nga e kaluara, mund të nisin luftërat?

Lufta nuk kishte arsye të shpërthente në Evropë as në vitin 1914. Por vrasja e trashëgimtarit të fronit austriak në Sarajevë, i dha Austro-Hungarisë justifikimin e nevojshëm për të shkatërruar Serbinë, dhe për të vënë në lëvizje një sërë vendimesh që çuan në katastrofën e Luftës së Madhe.

Po sikur Rusia të godasë gabimisht objektivat vendet e NATO-s, apo armët nga Perëndimi të shkatërrojnë qytetet ruse? Ne jemi të tronditur nga rishfaqja e një të keqeje që mendonim se e kishim lënë pas në të kaluarën. Por lufta nuk u zhduk pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, ka pasur një të tillë gati çdo vit që nga viti 1945.

Lufta u zhduk vetëm për ata nga ne që jetonim në pjesë paqësore të botës. Ndonjëherë ushtarakët tanë zhvillonim luftëra, por në pjesën më të madhe popujt që jetonin në Perëndim nuk u prekën drejtpërdrejt. Ndërkohë edhe lufta po ndryshonte. Shumë prej tyre ishin luftëra nacionalçlirimtare kundër një fuqie perandorake, si në Algjeri (1956–1962) apo luftërat në Indokinë (1946–1975).

Të tjerat ishin luftëra civile ose kryengritje të armatosura, si në Nigeri, Irlandën e Veriut ose Peru. Këtë fillim–shekulli ka pasur luftëra në emër të ndërhyrjes humanitare apo ndryshimit të regjimit, si në Afganistan, Irak apo Libi. Por në dallim nga gjysma e parë e shekullit XX-të ose më parë, ka pasur relativisht pak luftëra midis shteteve.

Bota iu afrua ende një lufte bërthamore në shkallë të plotë, ndonjëherë si rezultat i gabimeve të shmangshme, ndaj nuk duhet të jemi shumë nostalgjikë për Luftën e Ftohtë. Megjithatëjemi të detyruar ta pranojmë se bota jonë është bërë jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Armët mund të jenë më vdekjeprurëse, por sfidat për ata që duan paqen janë të vjetra. Me aq sa dimë nga historia, perandoritë e kanë përdorur luftën për t’i nënshtruar popujt, dhe janë përplasur me njëra-tjetrën. Dhe fituesit kanë marrë atë që donin, qoftë në formën e skllevërve, arit apo territorit.

Gjatë shekujve XIX-XX, ndërsa bota u globalizua dhe lufta u bë më vdekjeprurëse, fuqitë u përpoqën të vendosnin një regjim juridik global. Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, e themeluar në vitin 1923 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis kombeve, synonte taparandalonte luftën.

Më vonë, Pakti i Parisit i vitit 1928 i njohur edhe si Pakti Briand–Kellogg, i detyroi nënshkruesit e tij të hiqnin dorë nga lufta si “një instrument i politikës kombëtare”. Lidhja e Kombeve dhe pasardhësi i saj, Kombet e Bashkuara, ishin përpjekje më ambicioze për ta çliruar botën nga lufta.

Gjithsesi, tani po flasim për një luftë të tretë, dhe jemi dëshmitarë të një lufte pushtuese në Ukrainë. Vladimir Putin e përdor historinë për të justifikuar luftën e tij. Në botën kryesisht laike, historia është bërë edhe gjykatëse edhe një justifikim.

Kombet pretendojnë territore me pretendimin se atje kanë jetuar dikur paraardhësit e tyre, ndonjëherë edhe shekuj më parë. Në esenë e gjatë që shkroi në verën e 2021, Putin iu rikthye shtetin historik të Rusisë së Kievanit, për të argumentuar se ukrainasit dhe rusët janë një popull dhe të tillë kanë qenë gjithmonë.

Ai u referohet gjithashtu paraardhësve të tij, Pjetrit të Madh dhe Stalinit, duk shprehur keqardhje për territoret e humbura. Në duart e tij, historia është kthyer në një armë lufte.

Por tani ai duket se po e braktis përpjekjen për të krijuar një narrativë të besueshme për të mbështetur pretendimet e tij.

Rrëfimi i tij ka ndryshuar aq shumë, saqë nuk ka më kuptim. Në fillim, Kremlini dhe zëdhënësit e tij thanë se hynë në Ukrainë për të çliruar popullin e pafajshëm ukrainas nga nazistët dhe antisemitët e varur nga droga që kontrollonin qeverinë e tyre. Por javët e fundit historia ka ndryshuar.

Tani i gjithë populli ukrainas etiketohet si kriminel. Ata që i rezistojnë pushtimit rus janë nazistë, ndaj duhet të ndëshkohen dhe të reformohen. Rusia ka shkelur të gjitha normatndërkombëtare. Që nga viti 1945, ekziston konsensusi se pushtimi nuk e justifikon kurrë veten, dhe se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë, por vetëm me pëlqimin e atyre që jetojnë atje, me pranimin e fuqive më të mëdha dhe miratimin e OKB-së.

Kjo normë u shkel kur Putin aneksoi Krimenë, dhe njohu rajonet e shkëputura të Gjeorgjisë dhe Ukrainës Lindore, dhe kur Donald Trump njohu sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, të marra nga Siria në luftën e vitit 1967. Çdo shkelje e dobëson edhe më tej normën ndërkombëtare.

Në vitin 1914, evropianët mendonin se lufta ishte diçka që ata nuk do ta bënin më. Ata përfaqësonin një qytetërim shumë të avancuar, dhe vendet e tyre ishin aq të ndërthurura ekonomikisht, saqë nuk kishte kuptim të luftonin. Në vitin 1939, ata ishin më të mençur dhe më të shqetësuar për mundësinë e luftës.

Ne mund të lëvizim nga qasja jonë e vitit 1914 në 1939. Nëse po, ashtu si atëherë demokracitë, do ta gjejmë veten duke i marrë më seriozisht përgatitjet për luftë. Qeveritë dhe votuesit e tyre, duhet të bëjnë zgjedhje të vështira dhe të papëlqyeshme në lidhje me rritjen e taksave, ri-orientimin e shpenzimeve dhe garancinë që industria të prodhojë materialet e nevojshme për forcat e tyre ushtarake. Ne duhet të mendojmë më seriozisht se sa deri tani, se si ta mbështesim rendin ndërkombëtar. Mos harroni, lufta është e interesuar për ju.

*Shënim: Margaret MacMillan, është një historiane kanadeze, me famë ndërkombëtare. Lektore në Universitetin e Oksfordit, dhe eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare./ Marrë me shkurtime nga “New Statesman” – Bota.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 27/06/2022 08:33

    Kur ishte Amerika ajo qe pushtonte shtetet nuk kam pare ndonje media te shkruaj per ato nasakra kurse tani qe eshte Rusia po flasin pa pushim dhe qe prape helmin gringot e kane hedhur , kjo eshte bota e lire dhe demokratike ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me nismën e PS për të zbuluar politikanët bashkëpunëtorë të ish-sigurimit?



×

Lajmi i fundit

Nis sot Seria A, Milani pret Udinesen e Interin luan në Lecce, Barcelona regjistron blerjet e reja për sfidën e parë

Nis sot Seria A, Milani pret Udinesen e Interin luan në Lecce, Barcelona regjistron blerjet e reja për sfidën e parë