Të mashtruar me premtime boshe, të lënë në harresë dhe pa përkujdesje. Kështu e konsiderojnë veten banorët e fshatrave Bardhaj, Pashtraj dhe Velagosht të njësisë administrative Lumas, në Bashkinë e Kuçovës.
Mungesa e infrastrukturës i përball çdo ditë me vështirësi të panumërta banorët e mbetur ende në këtë zonë. Kryefjala mbetet lidhja e dy anëve të lumit. Ura këmbësore mbi kavo e dërrasa të amortizuara është e vetmja mënyrë për të shkuar në qendrën e njësisë administrative e më tej në qytet. Edhe pse jetike, amortizimi i kësaj ure rrezikon çdo ditë jetë njerëzish.
Në mungesë të një mundësie tjetër, të detyruar të kalojnë çdo ditë mbi strukturën e pasigurt janë edhe nxënësit e shkollave.
Mungesa e investimeve e ka boshatisur zonën, ndërsa ata që kanë mbetur ende atje jetojnë çdo ditë në varfëri dhe përballje me shurdhërinë e të zgjedhurve, të cilët kanë detyrim ligjor mbrojtjen e jetëve njerëzore, e jo frikën dhe rrezikun në këtë rast.
Komente










