Një kryengritje morale nga Atjon Zhiti

Një kryengritje morale nga Atjon Zhiti
19 citate,  aq sa mbeti dhe mosha e tij nga libri që sapo ka dalë në dritë, me titullin Për atë që dua(m)” i Atjon Zhitit
 
 
1-...liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara. Po a jemi gati për atë që duam?...                    
Vendi ynë që nga rënia e perandorisë romake perëndimore, e cila ndërtoi teatro, anfiteatro, rrugë, tempuj e shkolla ku kanë studiuar “ars militaris” emra si Cezari e Augusti, vazhdon deri më sot, në 2014 të jetë prehë e depredimeve të barbarëve, prehë e nepotizmit, prehë e korrupsionit, prehë e inkompetencës së burokracisë dhe administratës, është dhe prehë e një demokracie fiktive, shpesh të munguar.                            
 
2- Por ajo çka do të ishte më e dhimbshme, do të ishte nëse shqiptari nuk do të bënte asgjë për të ndryshuar. Duket sikur premtimi i pambajtur e abuzimi i vazhdimtë ndër vite ndaj vetes dhe vendit, i pozitës janë kthyer në rutinë dhe ajo çka është fatale është fakti se si mirësia e integriteti intelektual të duken si risi...                                              Sot globalizimi na ka kthyer në një “mega-qytet”, dhe ne hidhmërisht duhet të kuptojmë se jemi një rrethinë e erret e saj, që ka plot mundësi përmirësemi, që ka bërë hapa përpara e nuk është më geto, por është ende rrethinë e largët, gjithsesi.
 
 
3- Duhet të ndërgjegjësohemi e së bashku duhet të bëjmë një kryengritje morale, të vazhdimtë...
...kam një pyetje torturuese. Filozofi antik Plotini thoshte se që të duash të mirën, do të thotë ta njohesh të mirën (intelektualizmi etik).    Po ne a e njohim?
 
4- Ligji e ligjshmëria në këtë tokë paradoksesh, në vend që të kenë gjithmonë të njëjtin drejtim, shumicën e rasteve janë të kundërt e përplasen. Përplasja s’është kurrë konstruktive.                                Duhen patur si burim force e njëkohësisht “thembër Akili” vlerat e paqes e të kulturës, mbrojtjen e të drejtave civile e të lirisë dhe mbi të gjitha një shoqëri më e përbashkuar, pa harruar një patriotizëm erudit e jo një nacionalizëm të shterpët që kemi adoptuar dekadat e fundit, tipik i popujve të vegjël.   
 
5- Në një regjim gati-tiranik nuk është tiranik vetëm ai që është në krye të shtetit, por janë dhe qytetarët, që kanë nuancat e lirisë së shfrenuar, çlirimin e instinkteve, pra dhe një iracionalitet të theksuar. Pre i këtyre konditave, ky “qytetar” nuk ndalet më përpara asgjëje dhe ka impulsin të dominojë gjithçka, deri edhe rrjedhën e ujërave bashkë me itinerarin e zogjve shtegtarë. 
 
6- ...tirania nuk është asgjë tjetër veçse një shtet i servilizmit absolut, jo vetëm servilizëm i qytetarit ndaj detektorëve të fuqisë e pasurisë, por është një servilizëm total, servilizëm i arsyes ndaj instinktit dhe ky servilizëm i jashtëm nuk është asgjë tjetër veçse një shprehje e servilizmit të brendshëm.                                                                                                                                

...korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë. Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë.
 
7- ...korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.                                       Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.
Gabimet e gjetura dhe të zhdukura përbëjnë dritën e vogël e të mjegullt, që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë.
 
8- Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.
 
9- ...flitet për pseudo të vërteta e pseudo vlera. Shembujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vitesh. Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…
Njeriu është një qenie që me botëkuptimin e tij është i aftë të prodhojë histori dhe prodhimi i histori është një pjesë shumë e rëndësishme e ermeneutikës së tij.
 
10- Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë "personazhet publikë" të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.
 
11- Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja.    
Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre.
 
 
12- Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shteterore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikerisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.          
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete.
A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit? E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç.
 
13- Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenit zëvendësohet nga dukja.
Takimin tjetër të Parlamentit Rinor Europian do ta mbajmë në Korçë. Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne.
 
14- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë, rezistenca është detyrë.
Ne i futemi thellë të vërtetës. Sa thjeshtë e zhveshim atë. Preferojmë sinousitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë... Por rruga është keq. Ka shumë gropa. Kërkimi është zhveshje.
 
 
15- ...jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë duke bërë mirë. Të bësh mirë ti e di ça dmth, nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori.
 
 
16- Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, por do të mundohem të njoh gjithçka, kohë nuk kam për paragjykime, tabu e budalliqe të tilla.
 
17- ...e vetmja arsye përse ndjek këto gjëra, është sepse janë të bukura dhe jetë-bërëse, por nuk jam tamam në brendësi të tyre, plus janë eskamotazhi më i mirë që kam për të udhëtuar.                                        
 
18- Po të isha vetëm produkt i prindërve, do të isha shumë më i mirë seç jam, por besoj pak më i mefshtë, (kjo nuk është aspak fjala e duhur). Po e po që falenderoj prindërit për ato që më kanë krijuar e mundësuar, takimet e ndryshme që kanë patur shumë influencë tek mua, por paralelisht dhe në kontrapozicion ka qenë dhe “ambienti i rrugës”, që nuk dua ta përshkruaj, sepse do skandalizoheshit.                             
Pra ky pluskim i vazhdimtë, kjo luhatje e pambarimtë mjedisesh, më kanë krijuar një panoramë shumë piktoreske dhe me shumë variacion, që më lejon shumë gjëra e nuk më mban të mbyllur. Përkundrazi më bën të jem i hapur karshi çdolloj situate.
 
 
19- TË BËSH TË KTHEHEN GJËRAT NË SHËRBIM TË LUMTURISË SË NJERIUT. 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)