Do të doja t’i bëja disa pyetje Mehmet Krajës për katër romanet e ribotuara nga Onufri: “Edhe të çmendurit fluturojnë” (2004), “Im atë donte Adolfin” (2005), “Selvitë e Tivarit” (“2007) dhe “Hotel Arbëria” (2010). Do të doja ta pyesja, për shembull, si dreqin arrite t’i shkruaje vetëm në gjashtë vjet katër romane të këtij niveli?!
Mirëpo i përmbahem mendimit të njohur, atij që thotë se vështrimi kritik i një vepre nuk mund të arrihet duke u konsultuar me orakullin, autorin e saj. E po ashtu, me gjithë diversitetin që sjellin leximet vetjake, besoj se asnjë përfundim objektiv nuk mund të arrihet duke dalë jashtë sferës që sugjeron vetë autoriteti i veprës dhe ku mrekullisht, e përsëris – mrekullisht, gjallon pseudo-objektiviteti i shkrimtarit të fiksionit. Kraja është i llahtarshëm në këtë objektivitet të gënjeshtërt.