Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos deklaroi këtë të hënë se Shqipëria ka dhënë garanci se për projektin e Zvërnecit do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis. Lidhur me protestat që vijojnë që prej më shumë se dy javësh ajo deklaroi se është e lumtur që në Shqipëri e drejta e manifestimeve respektohet
***
Javën e kaluar, i pyetur për projektin e resortit ruristik të lidhur me Jared Kushnerin dhe Ivanka Trumpin, vajzën e presidentit amerikane, zëdhënësi i zgjerimit në Komisionin Europian, Guillaume Mercier, deklaroi se qeverisë shqiptare i ishin përcjellë shqetësimet e Brukselit duke paralajmëruar autoritetet shqiptare se duhet të “veprojnë pa vonesë” për të mos rrezikuar procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Por sot Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos u shfaq me tone ndjeshëm të zbutura. Ajo u shpreh se “në një situatë si kjo është e rëndësishme që të gjithë të veprojnë mbi bazën e fakteve”.
Kos zbuloi se në Tiranë kishte qenë për vizitë drejtori për Ballkanin Perëndimor, i cili ishte takuar me ministrin e Mjedisit. Ajo deklaroi se përmes komunikimeve me autoritetet shqiptare
“Kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen”,- tha Kos.
Komisionerja vuri në dukje se “projekti duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në Kapitullin 27 të negociatave të anëtarësimit, që lidhet me mjedisin. Përpara se të mund të mbyllet, situata duhet të sqarohet plotësisht. Aktualisht, mbyllja e këtij kapitulli është planifikuar deri në fund të vitit 2027 .Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet dhe kriteret përkatëse janë përmbushur”.
Shqipëria tha komisionerja Kos “është një nga vendet kryesuese në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit”.
Ajo komentoi dhe protestat e nxitura nga projekti në Zvërnec.
“Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin Evropian dhe për të gjitha vendet aspirante. Jam e lumtur të shoh që kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”,- tha Kos.
Ndërsa, sa i takon investimeve të huaja…
“Për ne ka më pak rëndësi se nga vijnë ato dhe më shumë rëndësi ka nëse realizohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Kjo është ajo që ne po monitorojmë",- tha Kos.
Kryeministri Rama ka përsëritur disa herë, se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe se ai do të paraprihet nga një studim mbi ndikimin ne mjedis.
Pyetje: Gjatë dy javëve të fundit kemi parë protesta kundër një projekti turistik luksoz, i cili do të ndërtohej në zonat e mbrojtura bregdetare të Shqipërisë nga një kompani investimi e lidhur me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner. Kam tre pyetje për ju.
A mund të na jepni vlerësimin tuaj për ndikimin e mundshëm të këtij projekti në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?
Marta Kos: Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky përparim është i vlefshëm, i njohur dhe duhet të mbrohet.
Në një situatë si kjo, është e rëndësishme që të gjithë të veprojmë mbi bazën e fakteve.
Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama.
Sapo kemi pasur një vizitë të drejtorit tonë për Ballkanin Perëndimor, i cili u takua me ministrin e Mjedisit në Tiranë.
Në rastin e zonës së Pishë-Poros dhe Nartës, si edhe për të gjitha projektet e tjera në zhvillim në Shqipëri, projekti duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe me standardet e përcaktuara në Kapitullin 27 të negociatave të anëtarësimit, që lidhet me mjedisin. Ky kapitull aktualisht është i hapur.
Përpara se të mund të mbyllet, situata duhet të sqarohet plotësisht. Aktualisht, mbyllja e këtij kapitulli është planifikuar deri në fund të vitit 2027.
Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet dhe kriteret përkatëse janë përmbushur.
Deri atëherë, ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapa që ndihmojnë përmbushjen e kritereve për mbylljen e kapitullit dhe e çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Përmes komunikimeve tona kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit do të respektohen.
Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria është në procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm.
Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues, si dhe i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane.
Sa i përket protestave, dua të shtoj se e dini sa i rëndësishëm është për ne e drejta për të protestuar.
Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin Evropian dhe për të gjitha vendet aspirante. Jam e lumtur të shoh që kjo e drejtë respektohet në Shqipëri.
Sa u përket investimeve të huaja, si për çdo vend kandidat ashtu edhe për shtetet anëtare, investimet e huaja janë të rëndësishme. Për ne ka më pak rëndësi se nga vijnë ato dhe më shumë rëndësi ka nëse realizohen në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Kjo është ajo që ne po monitorojmë.
Komente









