Një në pesë punonjës që u aksidentua në vendin e punës gjatë këtij gjashtëmujori të parë të vitit humbi jetën.

Situatë e përkeqësuar krahasuar me vitet e kaluara. Shifrat e Inspektoratit të Punës tregojnë se nga janari deri në qershor në vend janë regjistruar 99 aksidente në vendin e punës, ku 20 punonjës humbën jetën.

Puna në lartësi, shembjet galerive në miniera, makineritë e prodhimit dhe aksidentet me mjetet e transportit në sektorin e tregtisë, janë shkaktarët kryesorë të fataliteteve në vendin e punës në Shqipëri.

Fari Veliu, 66-vjeçari që vdiq sot, është i treti minator që ka humbur jetën që nga fillimi i këtij viti.

Sipas të dhënave të Inspektoriati të Punës, deri në qershor janë regjistruar 9 aksidente në këtë sektor.

Bilanci në këtë sektor është edhe më tragjik, me 1 në 3 të aksidentuar që ndërron jetë.

Sektori më problematik mbetet ndërtimi me 6 viktima në 19 aksidente gjatë këtij gjashtëmujori.

Pra një në tre të aksidentuar në ndërtim ka humbur jetën. Më pas janë sektori i energjisë elektrike dhe tregtia me nga 3 fatalitete secila.

“Në 100 % të subjekteve që janë inspektuar në kuadër të aksidentit në punë janë marrë masa administrative, ku ka subjekte dhe me dy masa, përkatësisht; Masë urgjente “Pezullim”; “Paralajmërim”, “Gjobë”. 11 % e subjekteve kanë marrë Masë Urgjente “Pezullim”, për shkelje flagrante që lidhen me sigurinë e shëndetin në punë dhe vetëm 1 % për marrëdhënie pune. 62 % e subjekteve kanë marrës dënim kryesor “Paralajmërim”. 36 % e subjekteve kanë marrë dënim kryesor “Gjobë”, me vlerë totale 14,270,000 lekë”, thotë Inspektoriati i Punës.

Siguria në vendet e punës mbetet problematike. Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 177 aksidente, ku 33 punonjës humbën jetën, pjesa dërrmuese sërish në ndërtim, miniera apo dhe industrinë prodhuese.