Në një shoqëri që ecën me ritme të shpejta, mirëqenia psiko-sociale po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Tre vite më parë, Deni Sanxhaku la punën e zyrës dhe investoi kursimet e saj tek joga.
"Jam formuar në Ekonomi-Financë dhe Shkenca Sociale dhe Politike të Zhvillimit. Prej shumë vitesh kam punuar në shoqëri civile me të drejtat e njeriut, jam marrë me aktivizëm, kam punuar në ambasada, por 3 vitet e fundit jam fokusuar tek teknikat e ndryshme të mirëqenies: tek joga, meditimi, teknikat e frymëmarrjes.
Kuptova që kisha ngecur dhe prej aty mora vendimin që ta lë punën e zyrës, pa patur një plan B. Investova të ardhurat, kursimet në një kurs joge dhe shkova në Tajlandë, Bali, Malajzi.", tregon e reja për vendimin që i ndryshoi jetën.
"Duhet të ulesha me veten, të merresha me veten dhe jo vetëm fizikisht, por dhe shpirtërisht.", thotë Deni teksa shpjegon pak nga rutina e re që i ka falur qetësinë e nevojshme.
"Gjithmonë zgjohem me një gotë ujë të ngrohtë apo një çaj që ndihmon shumë për zgjimin e organizmit. Nëse ka ditë me diell ekspozohem në ballkon sepse ndihmon shumë për rregullimin e ciklit cirkadian, në mënyrë që të zgjohemi mirë pa nevojën e kafesë.
Ushtrimet dhe meditimi janë pjesa tjetër e rutinës. Meditimin e lidh me një praktikë mirënjohje, të mendoj për gjërat që jam falenderuese sepse është shumë e thjeshtë ta humbasim vizionin e pasurisë që kemi tashmë në jetë. Më ndihmon të dua atë që kam, në vend që të vrapoj pas asaj që dua dhe kështu vendosem në momentin e të jetuarit të tanishmes. Kakaoja ceremoniale është gjithashtu një nga ato ritualet që unë e bëj me shumë qejf, është 100% e pastër, e ardhur nga Ekuadori dhe njihet si bimë e shenjtë.", tregon Deni për emisionin "Një nga ne".
Mes të tjerash, Deni tregon si u prit puna e saj e ri si instruktore e mirëqenies dhe fuqizimit personal.
“Patjetër që ka pasur goxha rezistencë zgjedhja ime. I mbaj mend komentet e prindërve të mi:- “Çfarë do u themi shokëve? Ça je ti, zysh joge, zysh fiskulture?”
E kuptoj që për shumëkënd duket si një lloj regresi, pasi ti ke arritur një farë statusi, me një pagë të caktuar, me një lloj roli në shoqëri dhe kur kthehesh tek joga, ka njerëz që nuk e kuptojnë.
Përgjigjja që unë i jepja prindërve të mi ishte:- “Thojini shokëve që Deni nuk është as zysh, as instruktore. Deni është e lumtur.”
Prandaj e kam zgjedhur këtë rrugëtim sepse më jep mua botën dhe ma pasuron shumë jetën dhe mendoj që sot jam një njeri më i lumtur."’, thotë Deni Sanxhaku.
Ndiqni ditën e saj mes klasave private, eventeve komunitare dhe momenteve me qenushen e saj.
Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente












