Në atelienë e saj të vogël, çdo veshje realizohet me pasion dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Alma Saraçi ishte 14 vjeç kur nisi të qepte dhe që prej asaj kohe zanati është bërë pjesë e pandashme e saj.

E trashëgoi nga gjyshja e saj dhe rrugës u perfeksionua duke vërejtur me detaje sesi ndryshon moda dhe duke lexuar mendjen e klienteve.

"Kam pas gjyshen që ka punuar, por kemi pasur një makinë të vogël që e vendosnim në një karrige. Unë isha 13 a 14 vjeç, por më pëlqente dhe qepja ndonjë gjë. Gjyshja e shihte që e kisha me dëshirë dhe më jepte punë.

Pastaj në klasën e 8-të kam hyrë në një kurs rrobaqepësie tek Shtëpia e Pionerit dhe më pas vazhdova shkollën e mesme në '79 për të njëjtën gjë. Ka vështirësitë e veta, do durim, por unë e kam atë pjesë", tregon stilistja shkodrane.

Pavarësisht se qëndroi 5 vite në Tiranë, zgjodhi të rikthehej në Shkodër për të ushtruar këtë profesion.

"Shkodrën dhe zanatin nuk e tradhtoj. Me dëshirë dhe vullnet krijova klientelë shumë të mirë dhe në Tiranë. Nipi më bëri të vija këtu, është ëmbëlsira e nënës. Me këto çmime që kanë shkuar tani është shumë e vështirë t'ia dalësh, por sado pak të fitoj nuk e lëshoj", thotë Alma ndërsa shton se zanati nuk të lë asnjëherë pa lekë.

"Zanati nuk jep shumë, por ama pa lekë nuk të lë. Mos rrjedh, pikon. Gjithmonë kemi thënë që pavarësisht shkollës duhet ta kemi dhe një zanat.", tregon Alma.

Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.