Një orvatje për të shpjeguar presidentomaninë

Një orvatje për të shpjeguar presidentomaninë

Presidenti Ilir Meta

Kemi ardhur në fazën ku fillon procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës dhe po shikojmë se ky proces ka fituar fatkeqësisht edhe doza humori. E cila vjen nga masivizimi i dëshirës së shfaqur prej shumëkujt për tu ulur në kolltukun e zyrtarit më të lartë të shtetit. Janë jo të paktë ata që kësaj dukurie i kanë vënë diagnozën e delirit.

Nuk është se nuk kanë të drejtë ata që e "lexojnë" në këtë mënyrë atë që po ndodh aktualisht, por problemi është të ndalojmë disi, tek shkaqet që kanë "prodhuar" tipin e shqiptarit që nuk e njeh veten, që del mbi destinimin e tij natyral e social, duke u bërë kështu  një figurë qesharake që nuk di të thotë "jo", por e quan veten të aftë për çdo lloj detyre.

Edhe sikur ti afrosh për shembull  atë Kryetarit të Akademisë së Shkencave, sërish është e vështirë të gjendet shqiptar që të mund të thotë: faleminderit për vlerësimin, por është një detyrë për të cilin përgatitja ime nuk mjafton. Si shpjegohet pra kjo që po ndodh me rastin e zgjedhjes së Presidentit?!

Le të bëjmë një retrospektivë të shkurtër rreth karrierës në regjimin e kaluar të para 90-tës. Në poste të larta improvizoheshin drejtues, të cilët nuk kishin asnjë lloj përgatitje përkatëse, për rrjedhojë aspak kompetencë për atë post. Dhe kur ata, të emocionuar pasi merrnin emërimin, shfaqnin një lloj pasigurie nëse do të ishin të aftë për ta kryer atë detyrë që iu ishte besuar, i deleguari i partisë ia hiqte me magji pasigurinë duke i thënë se ai, pra i emëruari, do ta kryente siç duhet detyrën e re, mjafton të kishte parasysh mësimet e partisë dhe shokut Enver.

Shkolla më e "çmuar" në atë sistem ishte ajo e Partisë. Kjo praktikë emërimi ishte mëse e zakonshme, por edhe po të mos ishte e tillë emërimi në postet më të larta e personave nga klasa punëtore apo fshatarësia kooperativistë ishin stimuj të mjaftueshëm për euforinë e secilit për ti thënë vetes: pse, çka ai më shumë se unë?! Kur e bën ai, pse nuk e bëkam unë!?

Asgjë nuk u përmirësua në këtë aspekt pas 90-ës, kur në vend u vendos një sistem i ri politik. Demokratizimi i jetës së vendit u shtri edhe  në të drejtën "demokratike" për tu zgjedhur dhe emëruar në ofiqe të larta publike, pavarësisht nivelit mjeran e pa asnjë lidhje të të emëruarit me postin. U vazhdua me të njëjtin mentalitet, si në kohën e diktaturës. I gjendej njeriut puna dhe jo puna njeriut. Administrata publike u kthye në vend punësimi të militantëve të partisë. E gjithë sfida e të të punësuarit dhe e karrierës në shtet ishte sigurimi i një diplome formale nga universitetet kioska që lindën si kërpudha, kurse mediokrit që kishin siguruar një diplomë normale dukeshin gjeni të vërtetë krahasuar me armatën e militantëve partiakë të punësuar.

Ilir Meta dhe Pandeli Majko thyen rekorde duke u bërë kryeministra që në moshën 30 vjeçare. Standarti i vendosur prej tyre shndërronte viktimë  çdo 30 vjeçar që kishte mbaruar një fakultet, thjesht sepse ishin fatkeqë e nuk kishin lidhjet e duhura politike. Ministra janë bërë edhe Flamur Noka e Nard Ndoka, ndonëse po qe se do të kishte një radhë, ata do të ishin të fundit, ndër 3 milionë shqiptarët për tu emëruar në krye të atyre institucioneve ku janë emëruar dikur.

Akoma më problematike situata me ofiqin e lartë të deputetit. Për këtë mjafton të sjellim ndërmend Kujtim Gjuzin, Selami Jenisherin, atë ish deputetin sarandiot që kishte qenë king në rininë e tij dhe që qeraste f emrat me xhin e shumë e shumë të tjerë, për të kuptuar pse çdokush e quan veten të përshtatshëm për tu ulur në Parlament. Për të ardhur pastaj tek Posti i Presidentit. Mënyra si e interpretoi Ilir Meta këtë post i rrit besimin çdo shqiptari, me shkollë e pa shkollë se do ta bënte këtë detyrë më mirë se sa ai që po e dorëzon këtë detyrë.

Në fakt hierarkia e një shoqërie duhet ndërtuar mbi bazë vlerash e meritash. Duhet ndërtuar në mënyrë të tillë që të stimulojë tek të tjerët një lloj dekurajimi, sepse çdokush, në subkoshiencën e tij e ka një raport të drejtë krahasues me të tjerët. Për shembull, nëse diku kërkohet që i emëruari të njohë shumë mirë fjala vjen gjermanishten,(se anglisht mendojnë të gjithë se e dinë) ata që nuk e plotësojnë këtë kusht nuk kanë se si të ndjehen viktima padrejtësie. Por po qe se megjithëse egziston ky kusht, i emëruari apo i përzgjedhuri nuk e plotëson këtë kriter, atëhere të gjithë të tjerët, në të njëjtin nivel me të, do të ndjenin që iu është bërë në padrejtësi.

Si përfundim, është e vërtetë që shqiptarët janë ca euforikë dhe secilit i duket vetja mbret, por fatkeqësia është se mënyra si janë  e nga kush janë qeverisur ua ka kultivuar dhe forcuar akoma më shumë delirin.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK