Megjithë pritjen e gjatë që iu bë opozitës politike, për të marrë pjesë aktive në një komision të përkohëshëm të ngritur posaçërisht për realizimin e kësaj reforme, mungesa e saj ishte konsekuente, deri ditën e miratimit të ligjit të mësipërm, çka shënoi edhe mbylljen e sesionit të parë parlamentar të vitit në vijim. Ndërkohë që mbeti të shpresohet, se përfaqësuesve të opozitës, që kanë përfituar mandatin e deputetit gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, nuk mund të mos u kujtohej rruga që të shpie në Kuvendin e Shqipërisë me fillimin e sesionit të dytë vjetor të tij, kur do të vazhdohej puna për fazën e mëtejme të reformës administrative–territoriale. Të kësaj fazë, që përkonte edhe me hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për decentralizimin e pushtetit vendor në kushtet e “dizenjinimit” të një Harte të re.
Mirëpo, përsëri është vënë re gjatë punimeve të Kuvendit një mungesë e minoramcës parlamentare, po të mos llogariten këtu 5 deputetët e PDIU, e cila ka deklaruar se e mbështet këtë reformë dhe është pajtuar plotësisht me ndarjen e re territoriale. Prtendimet e opozitës për të justifikuar mungesën kanë variuar në arsyetime të ndryshme, që gjithsesi nuk i qasen aspak realitetit. Për shembull, sipas përfaqësuesve të saj, veçanërisht emisarëve të Partisë Demokratike një ndarje e tillë duhej bërë në kufij më të ngushtë, përkundër rrugës së zhvillimit që kalon në hapësira sa më të gjera; më parë duhej bërë ligji për decentralizimin dhe pastaj Harta, përkundër edhe logjikës më elemntare që diktonte një sens të anasjelltë etj.
Por, e vërteta e këtij qëndrimi me sa duket e ka bazën te çoroditja e vazhdueshme e krahut të djathtë, i cili kështu siç është katandisur nuk “qëllon” dot në shenjë, duke ia pakësuar forcat vetes për në aksionet e ardhshme, si zhvillimi i fushatës elektorate për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, e cila pritet të fillojë në muajt e parë të vitit që vjen. Pra, në vend të krijimit të një platforme të plotë dhe të qartë për ndonjë fitore qoftë edhe të pjesëshme në këto zgjedhje, që do të amortizonte disi humbjen e thellë nga rezultatet e 23 qershorit 2013, forcat politike në opozitë mendojnë që ta gjejnë shtegun për të shpëtuar nga një humnerë tjetër edhe më e thellë te zhvillimi i referendumeve vendore.
Dhe, fillimisht nxorrën përpara ca funksionarë të qeverisjes së këtij niveli (të zgjedhur apo të mbështetur me siglën e së djathtës), me kërkesën për zhvillimin nëpër komunat dhe bashkitë që drejtojnë që prej mbi tre vjetësh të referendimeve, duke shpresuar që në zgjedhjet e pritshme të vazhdonin që të përfitonin për vete privilegjet e deritashme, në gjymtim të buxhetit të shtetit.
Shumë shpejt, zhurma e tyre nuk u dëgjua më. Jo vetëm se firmat e mbledhura nga banorët e atyre njësive me sa duket nuk ishin të mjaftueshme apo jo reale, por edhe se këto kërkesa nuk përbënin një shumicë të arsyeshme, për të shfuqizuar ligjin e ndarjes së re territoriale. Në këto kushte, Partia Demokratike ka bërë ankim në Gjykatën kushtetuese, me pretendimin se për këtë ndarje nuk është marë miratimi i banorëve të të gjitha komunave dhe bashkive ekzistuese.
Mirëpo, Neni 108/2 i Kushtetutës përcakton, se “Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Pra, jo miratimi dhe as dëgjimi i zërit në unison të gjithkujt. Ndërkohë, kundërshtimi i një ligji me efekte në tërë territorin e Republikës nuk mund të bëhet nëpërmjet organizimit, zhvillimit dhe rezultateteve të referendumeve vendore, sepse objekte të këtyre të fundit janë çeshtje që kanë të bëjnë me qasje të qeverisjes së nivelit lokal dhe jo me shfuqizimin e një ligji apo pjese të një ligji kombëtar, siç është ai për ndarjen territoriale të krejt vendit.
Gjithashtu, pretendimi që mund të përbëjë objekt të atij ankimi është kryesisht rënia e ligjit ndesh me Kushtetutën, përderisa nga Harta e re janë fshirë komunat, si njësi të veçanta bazë të qeverisjes vendore, sigurisht që nuk qëndron. Nuk qëndron, sepse vërtet që sipas nenit 108/1 të Kushtetutës “Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet”, fjalëza ‘ose’ e përdorur këtu nuk ka të njëjtin kuptim me atë ‘dhe’, duke u legjitimuar kështu parashikimi në ligj i ndarjes së re jo në komuna, por në bashki, pa lënë mënjanë qaqet. Po të merret parasysh, krahas arsyeve të përmendura më lart, edhe fakti që ligji është miratuar në Kuvend me shumicë të cilësuar, siç kërkohet nga neni 81/2 (gërma ‘f’) i Ligjit Themelor të shtetit, rruga më e shkurtër që mund të ndiqte Gjykata Kushtetuese për t’iu përgjigjur kërkesave me objekt të tillë do të qe të mos e merrte në shqyrtim ankimin, duke e vlerësuar objektin jashtë juridiksionit të saj.
Në situata të tilla, ankthi dhe nxitimi e shtynë Partinë Demokratike dhe ndonjë “bisht” të saj që të depozitojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve disa kërkesa për zhvillimin e referendumeve vendore në njësi të ndryshme ekzistuese të qeverisjes së nivellit të dytë. Dorëzimi i këtyre këtyre kërkesave adresohet nga opozita politike. Jo vetëm se këtë fakt e nxorri padashur Kryetarja e KQZ në një mbledhje të fundit të këtij institucioni, por edhe se atje nuk u paraqit asnjë përfaqësues i atyre njësive, siç duhet të bëhet kjo procedurë në bazë të ligjit, përderisa edhe neni 120/2 i Kodit Zgjedhor përcakton që “Referendumet vendore administrohen nga KQZ-ja nëpërmjet KZQV-ve dhe, sipas procedurave të parashikuara në këtë Kod për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, për aq sa është e mundur dhe e nevojshme”..
Sidoqoftë, a mund të shpresohet që do “t’i ecë” opozitës në këtë drejtim? Jo, kjo është një pritje e kotë! Një pritje e kotë, që në këtë rast planditet nga parashikimet e legjislacionit. Më së pari, Kushtetuta në nenin 108/3 shprehet, se “Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit vendor parashikohen me ligj në pë pputhje me nenin 151 paragrafi 2”.
Që këtej, për të mos i humbur më shumë kohë lexuesit me afatet e tejkaluara tashmë për zhvillimin e referendumeve lokale shfuqizuese në funksion të zgjedhjeve të pritshme për organet e qeverisjes vendore, le t’i kthehemi Kodit Zgjedhor, teksti origjinal i të cilit, që përmbledh edhe kapitullin për referendumet është miratuar që në vitin 2000. Dhe, megjithë ndryshimet e herëpashershme që i janë bërë vetë Kodit, kapitullit të tij që përmendëm më sipër nuk i është bërë asnjë ndërhyrje, ndonëse në nenin 185/2 thuhet se, pavarësisht nga përcaktimet e bëra në pikën 1 të këtij neni, pjesa e nëntë “Referwendumet”, si edhe çdo pjesë e dispozitave të tij që ka lidhje me ‘të mbetet në fuqi deri në miratimin e ligjit të ri për referendumet e përgjithshme dhe vendore.
Mirëpo, duke shfletuar “Rekomandime të Përbashkëta mbi Kodin Zgjedhur dhe Administratën Zgjedhore në Shqipëri” të hartuar nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR që në vitin 2004, te fashikulli ‘Votimet për Referendume’ lexojmë në paragrafët 61 deri 65 nevojën për ndryshime të Kodit. Për shembull, këto dy organizma ndërkombëtare rekomandojnë, veç të tjerash, që neni 126 i Kodit të ndryshohet me qëllim që të jetë në përputhje me nenin 150, pika (1) të Kushtetutës; që afatet përkatëse dhe referancat e jo të njëtrajtshme lidhur me votimet për referendume të korrigjohen etj.
Në situata të tilla, Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare do të ishte mirë të mos humbnin kohë për ta zhvilluar debatin politik rrugëve, por me vizion të qartë edhe rreth reformës administrative–territoriale, si edhe për zhvillimin e zgjedhjeve të pritshme gjatë vitit të ardhshëm. Kështu, ato do të jenë në gjendje që institucionalisht të ndërtojnë, ngrenë, shtrojnë dhe mbrojnë opsionet e tyre të arsyeshme rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, për të cilat OSBE/ODIHR kishte rekomanduar të niste puna që në shtatorin e kaluar.
Ndryshe, duke vazhduar të mbahen pozicione bojkotimi të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, më vonë asgjë nuk do t’i justifikonte ato jo vetëm për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme, por edhe - nëse vendosin të hyjnë në konkurrim - për mangësitë dhe prapambetjen në zhvillimin e fushatës elektorale, sikurse për treguesit dekurajues që mund të përftohen nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më 2015.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Nëntor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)