Një re në horizontin e luftës kundër terrorizmit

Një re në horizontin e luftës kundër terrorizmit

Pavarësisht viruseve të panjohura, forcës së tyre infektuese dhe mjegullën konspirative që sjellin pas, ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi, vijojnë të mbeten kërcënimet më serioze për paqen dhe sigurinë në mbarë botën. Shqipëria është angazhuar në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe formave të tij. Ka një legjislacion shterues, të ashpër dhe institucione funksionale në këtë drejtim. Shqipëria ishte gjithashtu mes vendeve të para që iu përgjigjën sfidës që lidhej me ekstremizmin e dhunshëm, ndërsa vijon të luajë një rol aktiv si pjesë e koalicionit global në luftën kundër grupeve terroriste kudo në botë.

Vendi ynë ka nënshkruar e ratifikuar konventat dhe protokollet e Kombeve të Bashkuara mbi terrorizmin, ndërsa ka qenë protagoniste edhe në propozimin e disa rezolute. Në vitin 2013, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj të posaçëm vetëm për masat kundër financimit të terrorizmit. Në nëntor të 2015, Shqipëria ka rishikuar strategjinë kombëtare për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe planin e veprimit. Shërbimi Informativ Shtetëror ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë sa i përket nivelit të bashkëpunimit dhe mbledhjes së informacioneve për parandalimin e çdo sulmi të planifikuar terrorist. Gjithashtu, Prokuroria për Krimet të Rënda dhe gjykatat kanë goditur me ashpërsinë e ligjit veprat për qëllime terroriste.

Organet e tjera ligjzbtuese janë vlerësuar në luftën kudër terrorizimit. Këtë e konfirmon edhe aksioni i sotëm. Ndërkaq, qeveria shqiptare është gjithashtu serioze në këtë drejtim. Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përditëson herë pas here listën e personave të shpallur si financues të terrorizimit. Në raportet e DASH, progres-raportet e Brukselit për Shqipërinë dhe raportet e tjera ndërkombëtare, nuk ka asnjë kritikë për Shqipërinë sa i takon angazhimit të saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit.

Por, zbatimi i reformës në drejtësi, sipas arkitekturës së miratuar në 22 korrik të vitit 2016, ngre një pikëpyetje në horizontin e luftës së Shqipërisë kundër terrorizmit dhe formave të tij. Pikëpyetja konsiston në shpërqendrimin e kompetencave të organeve të reja të drejtësisë, të cilat duhet të udhëheqin betejën për hetimin, parandalimin dhe ndëshkimin e veprave me qëllime terroriste. Deri në dhjetor të 2019, kur u zyrtarizua ngritja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), kapitulli i veprave në Kodin Penal për qëllime terroriste ishe në kompetencë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ngritja e SPAK solli si rrjedhojë shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Por, jo të gjitha kompetencat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda i kanë kaluar SPAK-ut. Çfarë ka ndodhur me kapitullin e veprave me qëllime terroriste? Kur një nga veprat me qëllime të terroriste kryhet në kuadër të organizatës terroriste, në veprim hyjnë SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe më pas dy shkallët e gjykatave speciale, të cilat gjykojnë dosjet e SPAK. Kur një vepër me qëllime terroriste, kryhet nga një individ, i cili vepron i vetëm, çështja ndiqet nga prokuroria e juridiksionit të zakonshëm.

Ky shpërqendrim kompetencash mund të sjellë luhatje të luftës kundër terrorizimit. Shumë sulme dhe masakra, si në Britaninë e Madhe, Zelandën e Re, Australi, apo sulmi i Anders Behring Breivik në Oslo të Norvegjisë, janë akte terroriste individuale, jo në kuadër të organizatës terroriste. A ka kapacitete prokuroria e juridiksionit të zakonshëm, një prokurori rrethi që ka mbetur me një ose dy prokurorë, të hetuar tentativa të mundshme për sulme me qëllime terroriste në të ardhmen?! Ndoshta ligjvënësit duhet të mendojnë për një rishikim të kompetencave të SPAK, për të kaluar të gjitha veprat me qëllime terroriste në fushën e përgjegjësisë, të një institucioni të vetëm.  

Kompetencat e SPAK janë përcaktuar në nenin 135 së Kushtetutës së ndryshuar në 2016 si dhe në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Neni 135 së Kushtetutës parashikon që SPAK ka në kompetencë çdo vepër penale të kryer nga funksionarët dhe ish-funksionarët e lartë. Neni 75/a të Kodit të Procedurës e zgjeron rrethin e kompetencave në dy drejtime. Përfshin në fushën e veprimit të SPAK të gjitha veprat e korrupsionit si dhe çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur.

Legjislacioni penal përcakton qartë se vetëm veprat e kryera nga ‘organizata terroriste’ janë në kompetencë të SPAK. Organizatë do të thotë bashkim të dy ose më shumë të individëve, për qëllime të caktuara, në rasatin konkret për qëllime të paligjshme. Individ do të thotë se personi vepron më vete, pa bashkëpunëtorë. Edhe pse kemi të bëjmë me të njëjtat vepra penale, rasati i parë i organizatës është në kompetencë të SPAK, rasti i dytë i individit, është në kompetencë të prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kalemi: 30/04/2020 22:20

    Po pse, mos ka hetuar gje Prokuroria e Krimeve te Renda ndonje "terrorist"?! Ajde pyke hajde. Si ja con policia dhe kesaj Shik, ashtu ngre akuze prokuroria. A ka takat prokuroria e rrethit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit