Një rrugë në Tiranë merr emrin e Alessandro Leogrande-s, gazetarit që shkroi për shqiptarët

Një rrugë e re në kryeqytet do të mbajë emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Tabela me emrin e Alessandro Leogrande-s u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, miq dhe kolegë të gazetarit dhe shkrimtarit të njohur, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar pranë Parkut të Liqenit.

“Jam shumë krenar që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, po mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështje të shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se kjo rrugë dhe zona e parkut të Liqenit është edhe një vend për reflektim, për meditim, për lexim, për të menduar idetë progresive, se si qytetet e shtetet mund të bëhen bashkë. “Ky është parku më popullor në Tiranë dhe zona më e frekuentuar nga qytetarët, ndaj jam i lumtur që ky vend, i cili shërben si hapësirë reflektimi, meditimi e leximi do të ketë emrin e Leogrande-s. Ky është një vend ku meditojmë, ecim, kalojmë kohë të lirë dhe besoj është një moment dhe një hapësirë ideale reflektimi për mikun tonë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se janë pikërisht njerëzit ata që afrojnë më shumë qytetet dhe popujt me njëri-tjetrin, ndërsa theksoi se përmes veprës së tij, Alessandro Leogrande i la një pajë të rëndësishme shoqërisë. “Jam i sigurt që miku im Alberto bie dakord kur themi se është shumë e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë, që qytetet të binjakëzohen, por në fund të ditës e kuptojmë se janë njerëzit ata që bëjnë diferencën, janë ata që realisht afrojnë popujt. Miku ynë, gazetari i njohur italian Leogande, i jetoi 40 vitet me shpejtësinë e një Ferrari, bëri distanca që shumicës prej nesh nuk i mjaftojnë as 100 vjet për t’i përshkuar. E teksa unë i afrohem 40-vjeçarit tim, mendoj, kam bërë kaq punë, kam dhënë këto ide, kam shkruar, kam lënë një pajë, dhe besoj se është apel për këdo prej nesh për të reflektuar mbi jetën e vet, çfarë bëjmë me ditët tona”, shtoi Veliaj.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo, e vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të nderuar gazetarin e njohur përmes emërtimit të një prej rrugëve ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton. “Jam shumë i lumtur dhe i prekur që jam këtu me kryetarin e bashkisë dhe me të gjithë ju sot. Për mua, Alessandro Leogrande që e njoh nëpërmjet veprave të tij, është një personazh që simbolizon këtë afërsi mes dy popujve tanë, mes dy vendeve tona. Mund të them se do të ndihej shumë i kënaqur të dinte se emri i tij,

figura e tij, janë sot të lidhura me këtë rrugë, këtë park të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, siç po thoshte kryebashkiaku, një vend ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton jetën e saj”, u shpreh Cutillo.

Themeluesi i revistës "Lo Straniero", Goffredo Fofi dhe një nga miqtë e tij më të mirë, u shpreh se një prej gjërave që ka mësuar prej tij ka qenë pikërisht dashuria ndaj Shqipërisë. “Një nga gjërat që kam mësuar më shumë nga Alessandro, ka qenë dashuria për Shqipërinë. Dua t’ju falënderoj juve të gjithëve, edhe në emër të familjes së tij. Jam vërtet shumë i emocionuar për këtë nismë. Mendoj se sot Alessandro jeton, nuk ka ikur nga gjithçka. Është këtu për gjërat që ka shkruar, për ato që ka bërë, ka thënë, apo edhe për takimet që ka patur në Puglia, Itali, Shqipëri e kudo tjetër; për pasionin e tij për t’u pozicionuar gjithmonë në anën e të mundurve, të poshtëruarve, të shtypurve, të varfërve, dhe padyshim edhe në anën e emigrantëve, pasi ky ka qenë edhe interesi i tij kryesor, në vitet e fundit të jetës së tij”, tha Fofi.

Alessandro Leogrande, një nga zërat më autoritarë të medias italiane, ishte shkrimtar dhe gazetar, por mbi të gjitha një intelektual që zotëronte virtytin e rrallë për të rrëfyer realitetin dhe historitë me kthjelltësi, analizë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë poetike. Drejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”, mbulonte gjithashtu rubrika të përjavshme në “Corriere Dell Mezzogiorno” dhe “Il Fatto Quotidiano”. Ai ishte reporter i problematikave të ndryshme të aktualitetit, si lëvizjet e protestës, shfrytëzimit të punës së papaguar të emigrantëve në Itali etj. Gjithashtu, ai është autor i shumë librave, si: “Mbytja e anijes”, “Adriatiku” dhe “Kufiri”, emblema të vërteta të romanit-reportazh, të përkthyera edhe në shqip.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri

SHBA/ Bëri 9 vite kimioterapi, tronditet pasi mëson se nuk vuante nga kanceri