Një shëtitje mbi pemë në St. Gallen në Zvicër

Një shëtitje mbi pemë në St. Gallen në Zvicër

St.Gallen në Zvicër

Do t’ju duket sikur do të prekni qiellin me dorë. Në majë të pyjeve të Mogelsberg, midis kodrave të kantonit të St. Gallen në Zvicër, sapo është përuruar treetop walk i parë në vend.

Një shteg i ngritur pezull mbi majat e pemëve, fushave e kodrave të gjelbra të zonës, i cili do t’ju tregojë të fshehtat e pyjeve dhe kafshëve të tij dhe do t’ju bëjë të shëtisni midis degëve të pemëve, një shëtitje që do t’ju lërë pa frymë.

Ju do të zhyteni mes gjelbërimit, qetësisë, paqes në një prej zonave më të bukura natyrore në Zvicër. Shtegu, një ndërtim hi-tech, ofron një shëtitje gjysmë kilometër e gjatë, në një platformë të rehatshme dhe të gjerë prej druri.

Unike në llojin e saj (platforma nuk ka barriera arkitektonike dhe mund të përshkohet edhe nga njerëz që lëvizin me karrige me dy rrota) mbrohet nga parmakë të sigurt, por ndoshta nuk është e përshtatshme për ata që kanë fobi lartësitë: Struktura ngrihet në lartësi të ndryshme, nga 3 deri në 20 metra.

Ata që nuk kanë frikë nga lartësitë, mund të ngjiten madje në një platformë panoramike të mrekullueshme, në 50 metra lartësi, për të shijuar natyrën e mrekullueshme të zonës.

Mes kthesave dhe zigzageve, ky shteg, i ndërtuar për njerëzit që duan ta prekin nga afër natyrën, nis nga pylli dhe ngrihet dalëngadalë në majë të pemëve, duke ju dhënë një përvojë të jashtëzakonshme në kontakt me botën e kafshëve dhe bimëve të zonës.

Përgjatë rrugëtimit ju mund të ndaleni, çlodheni, e të qëndroni në një nga dyzet stacionet, që përveçse ofrojnë shërbime të nevojshme, ju ftojnë të zbuloni pemët, t’i prekni me dorë, të mbushni mushkëritë me aromën e pyjeve, të dëgjoni pyllin dhe të njihni kafshët e egra.
Zona ofron edhe shumë aktivitete argëtuese, ku mund të shijoni gatimet tradicionale të kantonit, një strehë për të pushuar apo një park lojërash për fëmijët.

( St.Gallen )

Pjesa më e bukur është vetë zona, peizazhi që shtrihet nga Neckertal deri në Churfirsten e në fshatin Appenzell. Nga platforma që ngrihet në 50 metra lartësi mund të shihni Neckertal, lugina që lidh qarkun Toggenburg me rajonin Appenzell që shtrihet rrëzë malit Säntis. Është një ndër pikat më të bukura të vendit, me thesare natyrore dhe kulturore që ia vlen t’i eksploroni.

( Necki )

Për të thelluar njohjen e kësaj zone të gjelbër, mund të përshkoni rrugën Necki, një itinerar rrethor, i thjeshtë dhe i përshtatshëm edhe për familjet. Është i ndarë në katër faza dhe përshkon livadhe e pyje, ura, lumenj dhe përrenj – deri më tani peizazhe të njohura vetëm nga banorët lokalë. Nëse ngjiteni nga Mogelsberg deri te Wilkethöchi, me një pamje të mrekullueshme mbi Vorarlberg, arrini deri tek Alpet Bernesi./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare