Një urrejtës në dispozicion të Ismail Kadaresë

Një urrejtës në dispozicion të Ismail Kadaresë

Ismail Kadare

Disa javë më pare, Shahin Kadare, vëllai i Ismail Kadare-së, më kërkoi nëse kisha dijeni për një libër të ish- hetuesit Qemal Lame, që po botohej me pjesë në gazetën Panorama.

Ja kërkova kryeredaktorit të Panoramës, Robert Rakipllari, dhe pasi ma dërgoi foton e kopertinës, ia dërgova.

Për aq sa më sqaroi më pas Shahini, i vëllai i Ismailit, ai ishte i tronditur nga ato që po lexonte rreth kurtheve të Sigurimit të Shtetit ndaj Ismailit dhe familjes së tyre, dhe se i duhej të gjente librin, t’ia çonte Ismailit.

Po e përmend këtë detaj banal, për të treguar se libri i Qemal Lames është libër i Qemal Lames dhe dëshmi të tij. Ai nuk ka ndonjë kontakt me Ismail Kadarenë dhe këtë e paska thënë së fundi dhe vetë në një intervistë të tij tek gazeta Panorama, pas sulmeve të bëra nga Fatos Lubonja për të, por sidomos për paranojat që Lubonja ka rreth Ismail Kadaresë.

Nuk dua të përfshihem në ligësinë e argumenteve të Lubonjës rreth përgjegjësive të Ismal Kadaresë për komunizmin, pasi vetë historia e Fatos Lubonjës, si familje themeluese e komunizmit në Shqipëri, bile dhe dramat brenda familjes, si dhe konsiderimi disident i tij, për shkak të spastrimeve që bënte Enver Hoxha në Bllok, mjaftojnë për ta kuptuar si e deformonte komunizmi fatin e njeriut, biles dhe raportin baba e bir, për të shpëtuar kokën.

Vetë Fatos Lubonja ka një dosje boll poshtëruese, që i është përdorur kundër babait të tij në gjyq, por për këtë më parë duhet të fajësojmë komunizmin si praktikë, se sa përgjegjësinë e tij ndaj prindit. Se nëse do përdorim kriterin e përgjegjësisë ligjore dhe morale të tij, ky duhej izoluar, se ka denoncuar babain.

Por ajo që dua të theksoj, është se sulmi i Lubnjës nuk ka lidhje me librin e ri të Qemal Lames, por me obsesionin e tij për të gjetur një rast të sulmojë Ismail Kadarenë. Këtë radhë ka gjetur botimin e kujtimeve të një ish- kryehetuesi.

I gjithë sulmi i tij, si çdo sulm i tij, mbështetet, ose mbi thashetheme, ose mbi paranoja. Këtë radhë mbi paranoja. Paranoja e tij është se Ismail Kadareja dhe Qemal Lame janë ulur bashkë dhe kanë sajuar një libër.

Nuk ka asnjë fakt të vetëm që të provojë se Ismail Kadare dhe Qemal Lame njihen dhe kanë bashkëpunuar, dhe siç e pohon vetë ish- kryehetuesi, ai nuk ka asnjë kontakt me të.

Për aq sa tregova në fillim, vetë familja e Kadaresë, po interesohej për librin, pasi ai po botohej me pjesë nga gazeta.

Ismail Kadare nuk ka pretenduar kurrë ndonjë rrezik aq të madh nga regjimi, sa ai që përshkruan Qemal Lame. Se nuk e ka ditur, apo nuk e ka ndjerë.

Nuk e ka thënë kurrë që ka qenë në prag të arrestimit, apo që po ndiqej me dosje speciale nga Sigurimi. Se nuk e ka ditur. Këto janë fakte të sjella nga një ish- kryehetues.

Fatos Lubonja ka gjithë të drejtën të mos i besojë, biles ndoshta nuk i beson as Ismail Kadare, por ky e shikon këtë më shumë si një rast që të zbrasë inatet dhe inferioritetin e tij letrar karshi Kadaresë, se sa të bëjë analizë faktesh.

Me ato nuk merret fare, pasi në praktikën e tij publicistike, ai ka gjithnjë dy burime: Burimi i parë është “siç kam dëgjuar dhe flitet”, dhe burimi i dytë është “unë mendoj se kjo është kështu”. Në këtë rast ka operuar me burimin e tij të dytë tradicional.

Ajo që lexuesit shqiptarë mbajnë mend nga koha e komunizmit për Kadarenë, nuk është jeta private e Kadaresë, as analiza mediokre e veprës letrare që bën Lubonja për të, duke tentuar ta vizatojë si formues i shijeve komuniste të letërsisë,  por e kundërta e tyre.

Çdo shqiptar që lexonte Kadarenë gjatë komunizmit, ishte nga ajo racë që nuk ishin trushpëlarë të regjimit. Ata e refuzonin.

Lexuesi i Kadaresë jo vetëm që e vinte trurin në provë, por kërkonte ndoshta më shumë se sa kishte menduar Kadareja të thoshte, ndonjë gjë që nuk shkonte me regjimin.

Arti i Kadaresë, shijet e tij estetike, formimi kulturor i veprave të tij, personazhet e tij, dhe i gjithë konteksti i veprës së tij, në raport me komunizmin, përfshi dhe ato që përshkruanin arritjet e komunizmit, shikoheshin me lupë nga çdo lexues, sikur të kërkonin një pikë ujë në shkretëtirë, për të kënaqur fantazinë e tyre, që nuk shikonte ëndrra komuniste.

Ismail Kadare ishte reagenti që ndante lexuesin që donte ushqim ideologjik, me atë që donte letërsi dhe shije letrare jashtë regjimit, ishte vija ndarëse mes lexuesit trushpëlarë dhe lexuesit që kërkonte letërsi.  Dhe kjo, falë talentit të tij, jo falë veseve të tij.

Nuk e kishin këtë fat shumë shkrimtarë të tjerë, biles dhe shkrimtarë që nuk e donin komunizmin. Se për të pasur ndikim, në fillim duhet të bësh art dhe të jesh i talentuar, dhe pastaj duhet të shikojmë si po e përdor talentin.

Shqipëria ka pas plot letrarë antikomunistë, por ata nuk frymëzonin askënd.

Vetë Fatos Lubonja ka bërë sprova për t’u bërë shkrimtar, por libri i tij më i mirë dhe i vetmi mbetet “Ridënimi”, i cili është dëshmi rënqethëse, në kufijtë e letërsisë.

Por Fatos Lubonja nuk ka bërë dot një libër të dytë, pasi  duhet ta fusësh prapë në një burg tjetër, për të bërë një libër të dytë (larg qoftë). Kjo, pasi nuk është shkrimtar dhe s’ka talent. Eshtë thjesht një publicist i talentuar.

Ismail Kadare është një nga talentet e mëdha të kësaj bote, jo vetëm të Shqipërisë, dhe ai nuk ka nevojë të futet në burg, apo të dalë në demonstrata antikomuniste, për t’u bërë shkrimtar anti- sistem, ashtu siç nuk i shërbeu asgjë të bërit komunist, pasi nuk u bë dot kurrë shkrimtar komunist.

Shkrimtari e ka pasurinë tek talenti i tij, dhe talenti nuk është diçka tokësore, që lidhet me Bllokun, burgun apo jetën fizike. Eshtë diçka që Lubonja ndoshta nuk e kupton dot, se nuk është bërë dot shkrimtar.

Dhe për këtë nuk ka nevojë të urrejë e të shajë Kadarenë, pse sipas tij, “nuk është një pasuri botërore e letërsisë”, “pse nuk e futi në burg Enver Hoxha”, “pse paska dashur ta fusë”, “pse s’paska dashur ta fusë” dhe gjithë meskinitetet që mund të shoqërojnë jetën e një njeriu, që fati i familjes së tij komuniste e përplasi nga Blloku në burg, dhe që mendon se letërsia është reportazh burgu.

Unë uroj që Kadareja ta ketë marrë me sportivitet librin e Qemal Lames, nga i cili kam lexuar vetëm pjesë të botuara në gazetë.

Ai libër ka arritur shumë vonë për Kadarenë dhe nuk i duhet për asgjë. Ai nuk ka më dëshira për historinë e tij dhe as përjetimet e të tjerëve. Ai nuk shkruan më letërsi.

Ismail Kadare tani është njeri me dëshira të reduktuara, dhe ndoshta i shijon më shumë një bisedë për Kako Pinon në Gjirokastër, apo Baba Zotin, se sa për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun apo Todi Lubonjën e fëmijët e tyre, që përfunduan nga Blloku në burg.

I vetmi që duket i emocionuar nga ky libër, është Fatos Lubonja, i cili ka mbushur tre numra gazete kundër Kadaresë, duke përdorur si rast botimin e librit.

Ai është një urrejtës.

Njësoj ka reaguar si i çmendur dhe kur ka botuar librin e saj Helena Kadare, që flet për marrëzitë e Ismailit me femra pas shpinës së saj.

Më shumë dukej Lubonja i zemëruar pse Helena fliste për të dashura sekrete të Ismailit, se vetë Helena, që ishte gruaja e tij.

Tani nëse Ismailin e urrejmë për gjithçka, fjala vjen pse se ka futur në burg Enveri, pse ja ka pas me hile partisë, pse ka shkruar “Dimrin e Madh”, pse ka pas të dashura, pse ka marrë çmime ndërkombëtare, pse është botuar në Francë, SHBA, Gjermani, Angli e deri ne Kore, pse është ndjekur nga Sigurimi, pse nuk është ndjekur nga sigurimi, pse ka ikur në Francë, pse nuk ka ikur më parë, pse ka shtëpi në Qerret, pse pi kafe tek Juvenilja, e ku di unë çfarë tjetër, atëhere nuk jemi duke folur për ndonjë kritik të veprës së Ismailit, por për një urrejtës të tij.

Biles për një përndjekës, shumë më të këqinj nga ata që detyroheshin të firmosnin denoncime në qeli burgu kundër baballarëve.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E Diela e shtatorit: 13/09/2020 12:13

    Mirëdita! Po Ju, zoti Baze paskërkeni një topth balte në vend të zemrës dhe një kuti metalike bosh në vend të trurit.Dhe,medet ,që të dyja ja paskeni shitur djallit. Çfarë ligësie në gërmëzat tuaja!Ngjyejeni penën tuaj edhe në bojën e fisnikërisë ndonjëherë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja