TIRANE- Tre pjesëtarë të një familje në Peqin mbeten dje të plagosur rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit që kishin në banesën e tyre në fshatin Shezë. Mësohet se bombola ka shpërthyer në momentin që po montohej nga vetë familjarët. Të lënduar kanë mbetur 72-vjeçari me inicialet O.Çepa, një grua 71 vjeç S.Çepa dhe 49-vjeçarja K.Çepa.

Gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, shpërthimi i bombolës së gazit ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë së familjarëve gjatë montimit. Ndërkohë që Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe e Shpëtimit, PMNZSH, tha për “Shqiptarja.com” se padija dhe pakujdesia e njerëzve është shkaktari kryesor i aksidenteve të shpeshta me pajisjet e gazit.

Sipas Zyrës Operative të PMNZSH, prej dy vjetësh është mundur të vihet në kontroll situata e subjekteve tregtare, që dikur ishte skandaloze, por sensibilizimi i qytetarëve mbetet ende në shkallë shumë të ulët. Qytetarët jo vetëm nuk i drejtohen subjekteve të specializuar kur vjen fjala të përdorimi i pajisjeve të gazit, por ndërhyjnë pa respektuar asnjë kusht teknik, duke u bërë shpesh viktima të shpërthimeve.