Largimi i qytetarëve me pushime dhe lënia bosh e shtëpive, ka bërë që Policia e Tiranës të marrë masa për personat që vjedhin banesave.

Po çfarë kujdesi duhet të tregojnë qytetarët? Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, tregon se shpesh vjedhësit e banesave informohen për vendodhjen e qytetarëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Ziu thekson se një metodë e re për vjedhjen e banesave është nëpërmjet vendosjes së fletushkës te dera.

Zv.drejtori i Policisë së Tiranës tregon edhe banesat që janë më të rrezikuara për t'u vjedhur dhe mënyrat se si funksionojnë.

Nxjerrja e informacionit nga vetë qytetarët duke treguar se është sezon plazhi, sezon pushimi. Një mekanizëm tjetër është kontrolli i derës me anë të fletëpalosjes. Trokasin dhe nëse nuk përgjigjet njëri e vendosin fletëpalosjen tek dera. Dhe pastaj e kontrollojnë nëse nuk ka lëvizur atëherë aty nuk jeton njeri. Objektet më të dëmtuara janë banesat e lënë të mbyllura për shumë kohë, ato të emigrantëve dhe ato në periferi.

Dhimitraq Ziu, Zv.Drejtor i Policisë Tiranë

Dhimitraq Ziu thotë se të rinjtë janë mosha që kryejnë këto grabitje dhe se Policia ka marrë masa përgjatë këtij sezoni për të shmangur vjedhjen e banesave. Shërbime Policie shtesë janë vendosur në zonat turistike, ndërkohë që në terren do të jenë edhe oficerë policie civil për të zbuluar çdo tentative për vjedhjen e apartamenteve dhe vilave.