Pas përplasjes midis Ministrisë së Drejtësisë dhe një kompanie private për misterin e 300 byzylykëve elektronikë të cilët shërbejnë për mbikqyrjen elektronike të të dënuarve, “Shqiptarja.com” zbulon detajet e zhvillimit tenderit me vlerë rreth 2 milionë euro që shteti shqiptar ka paguar për këtë shërbim, bashkimit të tre operatorëve ekonomikë: Soft & Solution, Fastech dhe Ratech.

Një rëndësi të veçantë dhe me mjaft interes është edhe mënyra dhe afati kohor i prodhimit dhe dorëzimit të pasijeve të sistemit elektronik nga privati tek shteti. Nga dokumentacioni zyrtar që ka siguruar “Shqiptarja.com" rezulton një fakt i habitshëm që për një muaj kompania fituese e këtij tenderi ka arritur të ngrejë të gjithë sistemin e këtij shërbim elektronik të sofistikuar.

Kështu, pasi ka fituar tenderin në mënyrë zyrtare më datë 20 shkurt 2017, konsorciumi i tre kompanive ka lidhur kontratën me Ministrinë e Drejtësisë një ditë më pas, më 21 shkurt, dhe fiks një muaj më pas, në 21 mars të 2017, është bërë dorëzimi i gjithë sistemit të këtij shërbim elektronik të sofistikuar duke përfshirë 300 byzylykë që janë prodhime të huaja.

tenderi dokumenti nga gazeta byrzylyket e te burgosurve

Pra, gjithmonë sipas asaj që parashtrohet në letër, kompania ka porositur të paktën në datën 21 shkurt, kur u lidh kontrata me ministrinë e Drejtësisë, 300 byzylykët përgjues, gjithë aparaturat e tjera të nevojshme, kompjutera e programe të specializuara për këtë shërbim jashtë Shqipërisë, pasi kjo teknologji nuk prodhohet në vendin tonë.

Këto paisje janë prodhuar, kanë ardhur nga jashtë në vendin tonë, janë instaluar programet, është vënë në funksion i gjithë rrjeti i këtij shërbim elektronik të sofistikuar, është provuar dhe më pas, kur ka rezultuar i sukseshëm, më 21 mars gjithça ishte totalisht në rregull dhe iu dorëzua ministrisë së Drejtësisë.

Pra sipas letrave zyrtare që janë përpiluar nga ministria e Drejtësisë dhe kompania private në muajt shkurt-mars 2017, fiks për një muaj ka ndodhur gjithë kjo procedurë kaq e komplikuar.

Një shpejtësi dhe saktësi marramendëse dhe për t’u pasur zili. Po kështu edhe fakti që kjo shpejtësi ishte parashikuar që në kontratën e lidhur midis ministrisë së Drejtësisë dhe konsorciumit privat sërish nuk le një shije të mirë.

Sipas kontratës midis dy palëve ministria kishte vendosur afat kohor prej një muaji të dorëzimit të gjithë aparaturave dhe sistemit. Menjëherë pas dorëzimit (pra brenda vetëm një muaji nga nënshkrimi i kontratës) ministria e Drejtësisë ka likujduar tre firmat, duke paguar faturën e parë prej 150 milionë lekë të reja, pra shumicën e pagesës së përgjithshme prej 194,960,000 lekë të reja.
 
Anomalitë e tenderit
Dokumenti zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë i shpalljes së njoftimit të fituesit të këtij tenderi, më 16 shkurt 2017, që “Shqiptarja.com” publikon, hedh disa dyshime edhe për mënyrën e konkurrimit.

Shpejtësia me të cilin është zhvilluar ky tender, që mbyllet brenda 1 muaji dhe fituesi shpallet për vetëm 48 orë nga hapja e ofertave nga komisioni, mos paraqitja e dokumentacionit të duhur nga shumica e kompanive pjesëmarrëse, ku 5 nga 7 nuk bën asnjë ofertë, si dhe shifra e fitueses shumë e përafërt me fondin limit të tenderit, vetëm 2 milionë lekë më pak, hedhin hije dyshimi mbi këtë tender me vlerë kaq të madhe, që duket sikur është fituar gati pa garë.

dokumenti 1 botimi gazeta per ministrine e drejtesise byzylyket per te denuarit

dokumenti 1 botimi gazeta per ministrine e drejtesise byzylyket per te denuarit


 
5 kompani nuk japin asnjë ofertë
Ajo që bie menjëherë nga dokumenti zyrtar i shpalljes së fituesit të tenderit për byzylykët mbikqyrës elektronikë, është fakti se nga 7 kompani që janë paraqitur në tender, 5 prej tyre nuk kanë bërë fare ofertë ekonomike.

Kompanitë: Albital-Cannon, B360, C.C.S, Elektrosek dhe Intracom Telecom Albania nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike por edhe nuk kanë paraqitur asnjë dokumentacion për vlerësim. Një fakt ky tejet i çuditshëm ky që të le përshtypjen e pjesëmarrësve “fantazmë” në një tender sa për të plotësuar numrin.
 
1 kompani ofertë shumë të ulët
Po kështu veç kompanisë fituese dhe 5 të tjerave që nuk paraqitën asnjë ofertë, në këtë tender ka marrë pjesë edhe kompania, Icom, e cila ka bërë ofertë ekonomike 150,000,000 (njëqindë e pesëdhjetëmilion) lekë pa TVSH.

Kjo ofertë është shumë e ulët në krahasim me fonfin limit që është 196,046,666, pra oferta është 46 milionë lekë më e ulët. Por komisioni i ministrisë e ka përjashtuar "për mungesë dokumentacioni".
 
Fituesi “godet” me vetëm 2 milionë lekë
Nga 7 kompanitë e paraqitura në tender duket se vetëm konsorciumi i përbërë nga bashkimi i tre operatorëve ekonomik, ka qenë më “normali”, ndaj edhe u shpall fituesi. Kështu konsorciumi i përbërë nga Ratech sh.p.k, Fastech sh.p.k dhe Soft & Solution sh.p.k ka bërë ofertën ekonomike 194,960,000 (njëqindë e nëntëdhjetë e katërmilion e nëntëqindë e gjashtë mijë) lekë pa TVSH dhe mesa del nga dokumenti zyrtar ka paraqitur dokumentacionin e plotë.

Pra me një ofertë të mirëllogaritur me vetëm 2 milionë lekë më pak nga fondi limit, kompania fituesi ka goditur në shenjë duke shpartalluar rivalët.
 
Shpejtësi rekord, tenderi mbyllet në një muaj
Një fakt tjetër që bie në sy në këtë tender, është shpejtësi me të cilën ai është zhvilluar. Në diçka më shumë se një muaj është mbyllur gjithçka. Një tender që ka si objekt një shërbim elektronik të sofistikuar me shumë detaje për mënyrën operative si kompjuterike ashtu edhe të funksionimit real në terren ka marrë shumë pak kohë.

Sipas dokumetave zyrtare të publikuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike del se gjithçka ka mbaruar brenda një muaji. Në datën 30.12.2016 është publikuar zyrtarisht thirrja për tenderin e byzylykëve me llojin e procedurës se prokurimit: Procedurë e Hapur (Prokurim me mjete elektronike). Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër: “Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale”.

Po në këtë njoftim të datës 30 dhjetor thuhet se “Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje: 24/01/2017, ora 12:00”.

Nga sa del prej dokumentacionit zyrtar data e afatit të dorëzimit të ofertave është shtyrë më pas për 06.02.2017, ora 12:00. Pra ofertat janë hapur në 6 shkurt dhe sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, fituesi është shpallur më 8 shkurt. Brenda dy ditëve komisioni ka vlerësuar gjithë procedurën për këtë shërbim kaq të sofistikuar dhe përderisa nuk ka pasur asnjë ankesë me 16 shkurt të 2017 Ministria e Drejtësisë njofton fituesin në rrugë zytare duke e publikuar njoftimin edhe në Agjensisë e Prokurimeve Publike.


Kontrata mes ministrise dhe kompanise