Nobelisti Modiamo: “Letërsia në
kohën e internetit do të vazhdojë”

Nobelisti Modiamo: “Letërsia në<br />kohën e internetit do të vazhdojë”
TIRANE- Shkrimtari francez Patrick Modiano, fitues i çmimit Nobel për letërsi, ka tërhequr çmimin në Stokholm të Suedisë dje në mbrëmje. Sipas traditës, fjalimin për pranimin e çmimit ai e mbajti tre ditë më parë, duke shpjeguar se cila është shtysa prapa kreativitetit të tij. I lindur në vitin 1945, Modiano shpjegoi se e ka kaluar shumicën e fëmijërisë i vetmuar, pa prindërit, shpesh duke qëndruar nëpër miq në Paris. Këto ndodhi të jetës janë bërë temat themelore të romaneve të tij.

Në romanet e Modiano-s ka një univers me prindër që mungojnë, kriminalitet dhe rini të humbur, dhe kjo jetë bëhej në zemër të Parisit. Ndërsa Akademia e Nobelit e cilësoi romancierin si Marcel Proust-in e kohës tonë, Mondiano u shpreh se “Dua vetëm t’ju them sa i lumtur ndihem këtu mes jush dhe sa i mallëngjyer nga nderi që më keni bërë duke më dhënë çmimin “Nobel” për letërsinë.

” Duke komentuar në fjalimin e tij se një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes, Modiano tha se “Lajmi për këtë çmim m’u duk ireal dhe kisha nevojë të ngutshme të kuptoja përse më keni zgjedhur. Atë ditë, kurrë më parë nuk kisha kuptuar aq qartë sesa i verbër është një romancier karshi librave të tij dhe se lexuesit e tij dinë shumë më tepër se ai rreth asaj që ka shkruar. Një romancier nuk mund të jetë kurrë lexues i vetes, vetëm në rastet kur korrigjon në dorëshkrim gabimet e sintaksës, përsëritjet, apo kur heq një paragraf të tepërt”.

Në fjalimin e Modianos shprehet edhe një reflektim për vijimësinë e traditës së të shkruarit letërsi në kohët moderne. “Punë e çuditshme dhe vetmitare kjo e të shkruarit. Ju përjetoni momente dekurajimi kur shkruani faqet e para të një romani. Çdo ditë keni përshtypjen se jeni në rrugë të gabuar. Dhe në këtë moment është i madh tundimi për t’u kthyer mbrapsht dhe për të marrë një rrugë tjetër. Nuk duhet rënë pre e këtij tundimi, por duhet vazhduar rruga. Është pak si të jesh në timonin e një makine, në dimër, në një rrugë me akull, ku nuk duket asgjë.

Ju nuk keni zgjidhje tjetër, nuk mund të ktheheni pas, duhet të vazhdoni t’i jepni përpara duke menduar se rruga do të përmirësohet dhe mjegulla do të shpërndahet.” Fjalimi i Patrick Modiano-s tri ditë para marrjes së Çmimit Nobel përqendrohej në një leksion të zgjeruar për marrëdhëniet e shkrimtarit me lexuesin. “…lexuesi di më tepër rreth një libri se vetë autori. Mes romanit dhe lexuesit të tij, ndodh diçka e ngjashme me procesin e larjes së fotografive, ashtu si kryhej para erës digjitale. Në momentin e larjes në dhomën e errët, fotografia qartësohej pak nga pak.

Gjatë leximit të një romani, zhvillohet i njëjti proces kimik. Por që të ekzistojë një marrëdhënie e tillë mes autorit dhe lexuesit të tij, duhet që romancieri të mos e sforcojë kurrë lexuesin - në kuptimin që thuhet për një këngëtar kur sforcon zërin e tij - por ta tërheqë pa u ndier dhe t’i lërë kohën e mjaftueshme që libri ta depërtojë pak nga pak, dhe kjo nëpërmjet një arti që ngjan me akupunkturën, ku mjafton të shpohen me gjilpërë disa vende të caktuara dhe rryma shpërhapet në sistemin nervor.” Duke iu referuar autorëve të famshëm francezë Bodler e Mallarme dhe romancierëve të mëdhenj të shekullit XIX si Balzakut, Dikensit, Tolstoit, Dostojevskit, duket se novelisti francez e sheh me optimizëm të ardhmen e letërsisë në edhe në kohët e përfshirjes së komunikimit në internet e facebook.

“Por dua të mbetem optimist për të ardhmen e letërsisë dhe jam i bindur se shkrimtarët e të ardhmes do ta vazhdojnë misionin, ashtu si çdo brez që prej Homerit… ai argumenton se “Në vëniet në skenë të veprave të Racine-s apo Shekspirit, pak rëndësi ka nëse personazhet janë të veshur sipas kohës antike apo regjisori ka vendosur t’i veshë me bluxhins dhe xhup lëkure. Janë hollësi pa rëndësi. Kur lexojmë Tolstoin, harrojmë që Ana Karenina mbante fustane të vitit 1870, aq e afërt na duket edhe pas një shekulli e gjysmë. Dhe pastaj, disa shkrimtarë si Edgar Poe, Melville apo Stendal, janë kuptuar më mirë 200 vjet pas vdekjes, sesa nga bashkëkohësit.” 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës