KORÇË- Mëngjesi i kësaj të hëne ka sjellë edhe normalizim të situatës në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Report Tv me gazetaren Gladiola Hoxha është zhvendosur mëngjesin e sotëm në Kapshticë, ku pas dy ditësh, fatmirësisht radha e makinave dhe e autobusëve është zhdukur.
Me hapjen e doganës në orën 06:00, kanë arritur që të kalojnë të gjithë emigrantët që kanë qenë në dje pritje për të kaluar drejt Greqisë. Asnjërit prej tyre nuk i është hapur probleme për tamponin, pasi shumë qytetarë kishin shqetësimin se do i kalonte afati prej 72 orësh të testit COVID apo probleme që mund të vinin nga skadimi i aplikimit online.
E gjithë radha, përgjatë fundjavës ka ardhur si rezultat i plotësimin në një kohë rekord të kuotës prej 300 personash, e vendosur nga autoritetet greke si masë mbrojtëse ndaj COVID-19. Gjatë fundjavës, kjo kuotë është plotësuar për rreth 1 orë e gjysmë. Fatmirësisht, gjatë kësaj të herë, ku ora ka kaluar 09:00, ka ende hapësirë për qytetarë të tjerë, pasi mësohet se deri më tani kanë kaluar rreth 250 emigrantë.