7 efektivë policie, të akuzuar një vit më parë për mos-asgjësimin e rreth 1 mijë bimëve kanabis sativa në Njësinë e Shalës në Dukagjin, kanë mundur të marrin pafajësinë nga Gjykata e Shkodrës.

 Policët Gjergi Mala, Sokol Kroni, Faik Latifi, Nik Shkambi, Zef Doçi, Ardian Baçina dhe Kristian Lokthi, ishin në akuzë për shpërdorim detyre dhe të pezulluar nga detyra, por nga hetimi i Prokurorisë Shkodër për rreth 1 vit, organi i akuzës doli në përfundimin se nuk vërtetohet vepra penale dhe implikimi i policëve.

Në këto kushte prokuroria iu drejtua gjykatës për pushimin e çështjes. Gjykata pranoi kërkesën, duke pushuar përfundimisht çështjen. Më herët, me vendim të Gjykatës së Apelit u hoq pezullimi nga detyra për të gjithë policët.

Mes tyre ishte edhe Gjergj Mala, zv/shef seksioni në njësinë elitë RENEA, por në kohën që dyshohej të jetë kryer vepra penale, mbante detyrën e shefit të stacionit policor të Thethit.

Në nëntor 2024, AMP pretendonte se policët nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në korrik 2024, pavarësisht se janë konstatuar nga ana e tyre gjatë kontrollit.

Megjithatë, nga provat e mbledhura, pretendimi i AMP-së nuk u konfirmua gjatë hetimit. Në nëntor 2024, efektivët u pezulluan nga detyra dhe po hetoheshin në gjendje të lirë.