GJIROKASTËR- 20.080 euro i janë sekuestruar një 58-vjeçarje në pikën Kufitare të Kakavijës pasi nuk i kishte deklaruar paratë. Ndërsa 58-vjeçarja po hetohet në gjendje të lirë pasi iu kap shuma e parave. Burime zyrtare për Report Tv bëjnë me dije se 58-vjeçarja është identifikuar me inicialet L. F.
Në dalje të territorit shqiptar, policia ka konstatuar mjetin tip 'Jeep' në pronësi të 58-vjeçares ku ka ushtruar dhe një kontroll të detajuar. Në çantën e saj është gjetur shuma e parave të cilat janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
58-vjeçarja është proceduar penalisht për veprat penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".