Për herë të parë që pasi shprehu ambicien e tij për të garuar për kryetar të Bashkisë Tiranë, deputeti Erion Braçe ka lëshuar disa kritika që duket se i drejtohen kryesocialistit dhe kryeministrit Edi Rama.

Përmes rrjeteve sociale, Braçe tha se nuk arrin të kuptojë se si "një udhëheqës shkon bën mbledhje në Njësinë 5, pa deputetin". Ligjevënësi socialist thekson se në Njësinë 5 të Tiranës, aty ku fitoi mandatin parlamentar në zgjedhjet e vitit 2025, duke marrë mbi 23 mijë vota, nuk mund të zhvillohet asnjë takim politik i rëndësishëm i Partisë Socialiste "nën hundën e tij".

“Unë nuk arrij ta kuptoj këtë që një udhëheqës shkon bën mbledhje në njësinë 5 pa deputetin. Një udhëheqës krijon një grup me të cilin komunikoj e me një arsye, deputeti të mos dijë Nuk ka gjë që ndodh në njësinë 5 dhe mos ta di unë. Dhe kjo është një gjë joproduktive”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Braçe duket se për herë të parë foli publikisht për "shpërnguljen" e tij politike nga Divjaka, pasi Rama e kandidoi si deputetet në listën e hapur të Qarkut Tiranë.

Ai thotë se praktika e ‘shkuljes’ së deputetit nga zona e cila e ka votuar dhe zëvendësimi me ‘drejtorokracinë’ është një lëvizje e pamend dhe nënvizon se politika është një punë që bëhet me njerëzit dhe merr vite të tëra. 

“Të zëvendësosh deputetin e votuar nga njerëzit me drejtorokracinë, është e pamend, sado elegant të jetë emri që i vëmë; tërësisht e pamend në raport me qëllimet që ke, veçanërisht kur delegon pushtet partiak tek ta, për të kapërcyer deputetin; veçanërisht kur harron që njëarsye pse punetorë partie demotivohen është drejtorokracia e padurueshme” shtoi ai

Braçe, i cili një javë më parë shpalli ambicien për të qenë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës tha se nuk është kundër Ogerta Manastirliut, kandidates së shpallur nga kryetari Rama për kryeqytetin, kur në vjeshtën e 2025-ës, priteshin zgjedhje të parakohshme në Tiranë.

“Thjesht dua t’i jap PS-së dhe qytetit që nuk po qeveriset e nuk shërben, një alternativë tjeter” tha Braçe.

Braçe, një nga emrat e rëndësishëm të Partisë Socialiste shpalli ambicien për të qenë kandidat i saj për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në Asamblenë e PS në njësinë 5 në kryeqytet ku ai është një nga tre drejtuesit politik, së bashku me Taulant Ballën dhe Fatmir Xhafën.

Në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar, Braçe u përfshi vetëm pak muaj përpara mbajtjes së tyre, në listën e hapur të kandidatëve socialistë për Tiranën, pasi për një kohë të gjatë kishte qenë deputetë i Qarkut të Fierit në zonën e Divjakës. Megjithatë, ai arriti të siguronte 23.694 duke u renditur i dyti me mbështetjen më të lartë elektorale jo vetëm në Tiranë, por dhe në të gjithë Shqipërinë.

Postimi i plotë i Erion Braçes në Facebook 

"Java e mirë e pashkës dhe “hudhër” që nuk duhet!

Ishte realisht një javë e mirë; mbyllet sot dhe dua t’i them disa fjalë:

Shumë faleminderit edhe një herë për gjithë mesazhet, telefonatat, përkrahjen, mbështetjen, vlerësimet, gatishmërinë për të punuar bashkë.
shumë faleminderit posaçërisht socialistëve të asambleve të ps, me të cilët u takova e shtrëngova duart këtë javë.
ju jam shumë mirënjohës!

Faleminderit gjithashtu për urimet e ditës së lindjes, edhe pse kam kohë që kujtoj më shumë ngjarjet e jetuara sesa numrat!

Urimet për pashkë i kemi bashkë dhe kjo javë, me bajramin që i parapriu dhe pashkën ortodokse që pason, është përshkrimi prej zotit i asaj që jemi ne në një dimension.
kështu që, gëzuar kujtdo!

Tani “hudhër” e javës! Një histori e vjetër që përsëritet dhe më ndjek nga mbrapa, nga Lushnja e Divjaka; një histori deliri dhe e padenjë, tërësisht jo produktive, që kërkon të ndërtojë madhështi qesharake, gjithmonë duke më ndjekur pas.

Shikoni:

Kjo mania për të shkulur deputetin nga zona – me arsyen se krijon lidhje njerëzore dhe mezi shkulet pastaj – është gabim. jo për deputetin, por për njerëzit! paqëndrueshmëria në marrëdhënie me ta është mungesë serioziteti dhe dëmton punën.

Politika është punë me njerëzit, marrëdhënie besimi që nuk vendoset me orë, as me ditë, por merr vite!

po flas për deputetët që territorin e kanë punë, jo ofiq, as mburrje, as delegim për njerëz pa mandat, pa njohje, pa dije e pa ndikim kund.

Thënë kjo, të zëvendësosh deputetin e votuar nga njerëzit me “drejtorokracinë” është e pamend, sado elegant të jetë emri që i vëmë; tërësisht e pamend në raport me qëllimet që ke, veçanërisht kur delegon pushtet partiak tek ta për të kapërcyer deputetin; veçanërisht kur harron që një arsye pse punëtorët e partisë demotivohen është drejtorokracia e padurueshme.

Në fund, kjo paranoja “Erionin e kemi kundër”, pasuar me këtë “markimin” që kurrë s’ju bë karburanteve – fjala bie – por njerëzve u bëhet, është qesharake, sinqerisht!

Ua thashë edhe në asamblenë e #5sës: nuk jam kundër Ogertës; thjesht dua t’i jap PS-së dhe qytetit, që nuk po qeveriset e nuk shërbehet, një alternativë tjetër. Më thjesht se kaq nuk ka!"