Në një gjykatë të qarkut të Luksemburgut ka nisur gjyqi për Aldo Gjinin, emri i të cilit ka qenë në top listën e personave më të kërkuar të Europol deri në momentin e arrestimit në 2021.
Ai akuzohet për tentativë vrasjeje për një ngjarje të ndodhur në 24 nëntor 2020 në Remich, Luksemburg pasi qëlloi me pistoletë një shqiptar duke i dëmtuar të dyja këmbët.
Ndërkohë Gjini kërkohet në Shqipëri për një tjetër ngjarje. Në 24 korrik 2021 plagosi me armë në Tiranë, Altin Gjokën 32-vjeç dhe Jetmir Marashin 28-vjeç. Në dhomën e 12-të penale të gjykatës së qarkut të Luksemburgut para gjykatësit Gjini ka mohuar të ketë dashur të vrasë por është përpjekur të vetëmbrohet.
Ngjarja ka ndodhur në një lokal ku Aldo Gjini kishte shkuar me 3 vajza. Sherri ka vijuar në rrugë ku dhe ka pasur të shtëna me armë. Avokati pretendon se Aldo Gjini ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u gjend përpara disa persona me thika dhe shkopinj të cilët e kanë qëlluar.
Portofoli që tradhëtoi Aldon
Pas hetimeve policia arriti të binte në gjurmët e Aldos, i cili para se të ndodhte ngjarja kishte raportuar në polici se kishte humbur portofolin. Fotoja në pasaportën e tij ngjasonte me përshkrimin e dëshmitarëve për autorin so dhe me personin që e kishin kapur kamerat e sigurisë.
Një dëshmitar e kishte identifikuar përmes një fotografie por ndërkohë që Aldo Gjini kishte arritur të largohej në Shqipëri.
Një email anonim që iu dërgua policisë së Belgjikës e ndihmoi atë të gjejë armën, një pistoletë Glock në apartamentin e Brukselit.
Gjurmët e tij të AND-së u gjetën në një nga gëzhojat e gjetura në Remich.
Në banesën e tij në Bruksel u gjetën edhe municione të së njëjtës markë, automatikë, një revole dhe dokumente në emër të Aldos.
Aldo nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Në Gjermani dhe në Shqipëri ai akuzohet për trafik droge ndërsa nga policia holandeze për pastrim parash.
Vetë Adlo ka pranuar të martën: "se nuk ishte papë’ dhe se kishte pasur probleme me ligjin që në moshën 18 vjeçare, citojnë mediat belge.
Ai ishte përfshirë në top listën e personave më të kërkuar të policisë evropiane pasi u arratis në vendin e tij për në Bruksel. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2021 në Bruksel dhe u vendos në paraburgim më 17 mars 2022 pasi u ekstradua në Luksemburg.
Në vitin 2011, ai është arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohej për pengmarrje.