SHKODËR- Petrit Ndoci, një i dënuar në burgun e Reçit, është arratisur. Ai kishte marrë leje shpërblyese nga Drejtoria e Burgjeve, por burime bëjnë me dije se nuk është kthyer më në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Ndoci kishte dalë me leje më 14 gusht, në orën 12:30, dhe gjatë kësaj periudhe po qëndronte në fshatin Rukaj në qarkun e Shkodrës. Ai duhej të rikthehej në burg sot, më 21 gusht, në orën 12:30, por nuk u paraqit.
Punonjësit e institucionit e kanë telefonuar në numrin e kontaktit, por në telefon është përgjigjur vëllai i tij, i cili ka treguar se Ndoci ishte larguar. Sipas informacioneve, përpara se të largohej, i dënuari kishte lënë një letër për familjarët.
“Po largohem, ju dua shumë”, citohet të ketë shkruar ai.
Petrit Ndoci ishte dënuar për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa i kishin mbetur edhe rreth dy vite burg për të përfunduar dënimin.
Mësohet se Ndoci kishte përfituar edhe më herët leje shpërblyese nga Burgjet, një e drejtë që të dënuarit në burgjet e sigurisë së zakonshme mund ta përfitojnë çdo tre muaj, nëse plotësojnë kriteret ligjore. Herët e tjera ai ishte rikthyer në qeli.
Në 2017-ën Ndoci renditej në listën e 30 shqiptarëve në kërkim ndërkombëtar për grabitjet që ishin kryer brenda territorit të Shqipërisë. Sipas një artikulli të 2017-ës Petrit Ndoci, ishte kthyer në tmerrin e karburanteve në 2010-ën për shkak se kishte grabitur disa prej tyre.
Njoftimi i Burgjeve
Në IEVP Reç, Shkodër, i dënuari P.N., i sigurisë së zakonshme, i cili ndodhej me leje shpërblyese në fshatin Rukaj, Njësia Administrative Luf, Qarku Shkodër, nuk është paraqitur për t’u rikthyer në institucion në përfundim të afatit të lejes. I dënuari P. N. kishte përfituar leje shpërblyese nga data 14.08.2026, ora 12:30, deri më 21.08.2026, ora 12:30.
Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç, Shkodër, kanë kryer verifikimet përkatëse. Nga kontakti me familjarët është marrë informacioni se i dënuari ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit.Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, po e ndjek me prioritet rastin dhe do të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme.
-
Ja degjoni lajmet te vidhet ndonje karburant keto dite se ka ngel pa leke.
Përgjigju









Komente
Komento