Nuk respektohet shqipja, bojkotohet
festivali i poezisë në Strugë

Nuk respektohet shqipja, bojkotohet<br />festivali i poezisë në Strugë
STRUGE- Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka bojkotuar festivalin ndërkombëtar të poezisë “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”. Në një konferencë me gazetarët ai theksoi se arsyeja e bojkotit është mosrespektimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Strugë nga ana e organizatorëve të festivalit, ku e ka fjalën për drejtuesit e Mbrëmjes Strugane të Poezisë.

“Do t`i bojkotojmë Mbrëmjet Strugane të Poezisë, për shkak se, ashtu si ne përkujdesemi që të funksionojë ligji në çdo segment, u takon edhe atyre që të përkujdesen për përdorimin e gjuhëve në këtë rast. Mbrëmjet Strugane të Poezisë mbahen në Strugë dhe Struga është qytet që ka popullatë mbi 20 për qind që flet gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase, kështu është me ligj, kurse këtu janë 60 për qind të popullatës shqiptare dhe në takimin që kam pas me drejtorin e Mbrëmjeve Strugane të Poezisë kam kërkuar që në pjesën e hapjes dhe udhëheqjes së festivalit të përdoret gjuha shqipe, krahas asaj maqedonase. Imagjinoni, nuk ramë dakord për këtë gjë”, theksoi kryetari Sela. Ai ka theksuar më tej se do të kërkojë përgjegjësi për shkak të mosrespektimit të gjuhës shqipe këtu në Strugë.

 “Imagjinoni që në një manifestim ku marrin pjesë poetë nga gjithë bota, ku flitet gati në të gjitha gjuhët e botës dhe nuk lejohet të flitet në gjuhën shqipe, në një qytet ku shumica janë shqiptarë. Prandaj, ne nuk e përkrahëm, unë nuk do të marr pjesë as në hapje e as në mbyllje, por jam i gatshëm të pres delegacione dhe poet që duan individualisht të më takojnë, ndërsa me ata të cilët nuk respektojnë gjuhën që unë e flas, nuk do të bashkëpunoj”, theksoi Sela. Si raporton agjencia "Ina", ai shtoi se në qoftë se nuk ka disponim dhe zgjidhje, mundet që të vendosë që vitin e ardhshëm të mos lejohet mbajtja e këtij festivali tradicional. 

“Këtë vit kështu, ndërsa vitin tjetër, nëse nuk respektohet gjuha shqipe, edhe fizikisht nuk do të lejojmë që ky festival të mbahet në Strugë, në qoftë se nuk respektohet vullneti i popullatës shumicë në Strugë. Është çështje dinjiteti dhe çështje respekti, por edhe çështje e respektimit të ligjit. Unë asnjëherë nuk kam thënë që ky ligj për përdorimin e gjuhës është i mjaftueshëm dhe i plotëson nevojat e qytetarëve, por ja edhe rasti konkret që edhe ky ligj gjysmak nuk respektohet”, theksoi kryetari i Strugës. Ai ka nënvizuar se “pavarësisht nga praktikat e së kaluarës, qoftë në nivel lokal apo qendror, kur Struga është ndarë në blloqe, unë nuk do të lejoj që Struga të ndahet në blloqe, se a është gjuha shqipe zyrtare apo nuk është, ligji e lejon dhe prej momentit që kjo nuk bëhet këto Mbrëmje të Poezisë në Strugë do të bojkotohen”. 

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'