Është organizuar këtë të premte në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ ceremonia e largimit nga kombëtarja e trajneri Sylvinho dhe stafit të tij. Në fjalën përshëndetëse, ku morën pjesë rreth 100 të ftuar, të cilët kanë punuar me Sylvinhon dhe stafin e tij në 3 vite e gjysmë, trajneri brazilian u kujdes të thoshte mirupafshim dhe jo lamtumirë, duke lënë të hapur mundësinë për një tjetër bashkpunim. Në fjalën e tij Sylvinho ishte emocional, duk kërkuar pak kohë para se t'u shprehte.

Kur dikush e merr përsipër një punë, e merr përsipër që ta bëjë në 100% të saj. Ka raste që puna shkon mirë, ka raste që nuk shkon mirë. Kështu është futbolli. Unë bëj një profesion shumë të vështirë, shumë prej jush këtu e dini. Tani flasim për 3 vite e gjysmë. Jam absolutisht i lumtur për atë që kemi bërë. Kemi thënë që nga dita e parë që “Ne jemi një”.

Nuk do doja të flisja për Euro 2024, kualifikueset e Botërorit apo fazën play-off. Unë do doja të flisja për më shumë se 100 persona që jetojnë dhe punojnë për Federatën. Me shumë prej jush kam pasur mundësi të bëj një bisedë të bukur dhe të pi një kafe. E kujtoj ende që 3 vite më parë, në katin e katërt ku është presidenti, aty ishte kafeja. Në orën 9 të mëngjesit shkoja aty dhe, ditë pas dite, kam pirë kafe me secilin prej jush dhe kam dëgjuar secilin prej jush që punoni në atë vend të bukur pune. Do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Përtej çdo gjëje që kemi parë këtu, që është e bukur, të emocionon, por sidomos ju, raporti human, këtë nuk do ta harroj kurrë. Secilin prej jush e kam në zemrën time. Faleminderit shumë, mirupafshim!”, – tha Sylvinho.

Në fjalën e tij, kreu i FHSF-së Duka theksoi se stafi teknik ka lënë gjurmë jo vetëm për rezultatet sportive, por edhe për dinjitetin, përkushtimin dhe mënyrën se si përfaqësuan fanellën kuqezi.
Presidenti i FSHF-së sqaroi se ndryshimi i stafit vjen si pjesë e mbylljes së një cikli dhe hapjes së një etape të re për ekipin Kombëtar, jo për mungesë rezultatesh apo motivimi. Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë stafin dhe u uroi suksese në karrierë dhe jetë.

Në këtë histori, keni marrë edhe një pjesë të historisë së Shqipërisë, një pjesë të historisë tonë dhe të Kombëtares tonë, që besoj se është gjëja më e bukur dhe besoj se do t’ju ketë zbukuruar dhe do t’ju mungojë në të ardhmen. Ne jemi sot këtu të gjithë, për t’ju falënderuar për kontributin tuaj në futbollin shqiptar me ekipin Kombëtar, që realisht është simboli i futbollit shqiptar, simboli i të gjithë shqiptarëve. Gjatë 3 viteve, Silvinjo, Doriva dhe Zabaleta kanë dhënë një kontribut maksimal. Kanë përjetuar momente të bukura, jo vetëm në rezultate.

Rezultati është padyshim i rëndësishëm, por ajo që mbetet është edhe dinjiteti me të cilin ata kanë përfaqësuar fanellën shqiptare. Përkushtimi me të cilin ata kanë punuar gjatë këtyre 3 viteve dhe, në fund të fundit, mbetet miqësia dhe dashuria jonë. Fakti që pothuajse jemi të gjithë nga FSHF këtu për t’i falënderuar, tregon që respekti është gjëja kryesore që mbetet. Gjatë këtyre tre viteve ne kemi përjetuar padyshim edhe momente të vështira, kemi përjetuar edhe momente shumë të bukura. Kulmi ka qenë vendi i parë në grup në eliminatoret për Kampionatin Europian, pjesëmarrja në Euro 2024, një moment historik për të gjithë ne. Unë besoj që edhe për Silvinjon, Dorin dhe Zabaletën, sepse nuk është shumë e lehtë që në CV-në tënde të kesh shumë Kampionate Europiane apo Botërore. Unë uroj që ata t’i kenë, uroj që padyshim edhe Shqipëria t’i ketë, por nuk është shumë e lehtë.

Ne kemi vendosur që ta ndryshojmë stafin e ekipit Kombëtar, sepse këto janë rregullat e futbollit, sepse futbolli i ekipeve Kombëtare nuk është njësoj si ai i klubeve. Në klube mbase ke mundësi të ndryshosh lojtarët, ndërsa në ekip Kombëtar mbetet për të ndryshuar vetëm stafi, sepse lojtarët nuk ndërrohen, nuk shiten dhe nuk blihen lojtarët e ekipit Kombëtar. Ky është slogani që ne përdorim: mbyllet një cikël dhe hapet një cikël tjetër, për këtë arsye. Jo për arsye të mungesës së motivimit, përkushtimit dhe të rezultateve të ekipit Kombëtar. Duke qenë se ne sot jemi për këtë lloj ndryshimi, për t’i falënderuar stafin e ekipit Kombëtar, në të njëjtën kohë do të doja të falënderoja, sepse edhe një pjesë tjetër e stafit është zëvendësuar.

Do të doja të falënderoja Ilir Bozhiqin për kontributin e tij në ekipin Kombëtar, për më shumë se 3 vite, për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Do të doja të falënderoja edhe Luca Laurentin dhe Alarico Rossin, të cilët edhe ata do të zëvendësohen. Një falënderim shumë i madh nga unë dhe nga e gjithë FSHF për të gjithë kontributin tuaj për ekipin Kombëtar dhe, në të njëjtën kohë, unë ju uroj që të keni vetëm suksese në futboll, por padyshim që të keni një jetë sa më të mirë dhe të shëndetshme. Derën në Shqipëri do ta keni të hapur, padyshim që do të jeni pjesë e eventeve tona në çdo moment dhe uroj që të kemi vetëm momente të bukura dhe momente gëzimi. Faleminderit edhe njëherë të gjithëve dhe urime!”, – tha Duka.

Të martën FSHF konfirmoi se Sylvinho dhe stafi i tij nuk do të rinovonin me FSHF-në, teksa Rolando Maran do të ulet në stolin e Kombëtares me një kontratë deri në vitin 2028.