Cilësia e spermës është më e lartë gjatë verës dhe më e ulët në dimër, sipas një studimi të ri.

Studiues nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Danimarka analizuan kampionë sperme nga 15,581 burra në Danimarkë dhe Florida, të gjithë të moshës 18 deri në 45 vjeç.

Rezultatet treguan se lëvizshmëria e spermës ose aftësia e spermatozoidëve për të notuar në mënyrë efektive, ishte vazhdimisht më e lartë në qershor dhe korrik.

Kuptimi i këtyre modeleve sezonale mund të përmirësojë trajtimet e fertilitetit, duke optimizuar kohën e trajtimit dhe analizave për të ofruar udhëzime më të mira për çiftet që përpiqen të kenë fëmijë.

Studimi, i publikuar në revistën Reproductive Biology and Endocrinology, tregon se nivelet e lëvizshmërisë së spermës mbeten të qëndrueshme në klima të ndryshme, por ndryshojnë sipas stinëve. Nivelet ishin më të ulëta në dhjetor dhe janar, edhe pse Florida është e ngrohtë gjatë gjithë vitit.

Megjithatë, shkencëtarët nuk dalluan ndryshime në përqendrimin total të spermës, sasinë e spermatozoidëve në spermë apo në vëllimin e saj.

Kjo do të thotë se ndërsa aftësia e spermës për të lëvizur në mënyrë efektive ndryshon sipas stinës, periudha e vitit nuk ndikon në numrin e spermatozoidëve të prodhuar.

Por duhet theksuar se temperatura është faktor i rëndësishëm pasi lëngu spermatik duhet të ruhet në një temperaturë 2-4 gradë më pak sesa mesatarja 37 gradë e trupit.

Luhatja mund të ndikojë negativisht në lëvizshmërinë e spermës, duke ndikuar kështu në fertilitet.