Shqipëria është renditur e katërta, pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut sa i përket numrit të zilkërkuesve të regjistruar si refugjatë në vendet e Bashkimit Europian.

Zyra europiane e statistikave ’Eurostat’ përmes një studimi të kryer, ka bërë të ditur se është rritur numri i refugjatëve të regjistruar në Europë nga të gjitha vendet e rajonit.

Duke krahasur të dhënat e grumbulluara gjatë vitit 2014 me të dhënat e këtij viti, del në pah fakti se është dyfishuar numri i personave që janë regjistruar si refugjatë.

Statistikat tregojnë se shumica e azilkërkuesve janë shtetas të Sirisë dhe Irakut dhe numri i tyre nga muaji Prill deri në Qershor ka qenë 213 200 vetë.

Ky numër i lartë i refugjatëve është shënuar në disa vende të Europës, por Gjermania dhe Hungaria renditen në krye të vendeve ku Gjermania ka regjistruar 108305 kërkesa për azil, ndërsa Hungaria ka regjistruar 108085 kërkesa të tilla.

Pas tyre renditen Suedia me 42500 kërkesa për azil, Italia me 28400 kërkesa, Austria me 27600 kërkesa dhe Franca me 17640 kërkesa për azil.

Rreth 33% e azilkërkuesve janë sirianë dhe pas tyre janë afganët me 14%, irakianët me 11%, shqiptarët me 6% dhe pakistanezët me 5%. 

Këto të dhëna janë publikuar nga agjencia franceze AFP e cila thotë se Shqipëria renditet e katërta sa i takon numrit të personave që i janë larguar drejt Europës dhe kanë kërkuar në vende të ndryshme azil.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)