Nureyev: Çdo burrë duhet 
të kërcejë, gjatë gjithë jetës

Nureyev: Çdo burrë duhet <br />të kërcejë, gjatë gjithë jetës
Rudolf Nureyev, një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit të njëzetë dhe gjeniu i baletit, në fund të jetës së tij (ai vdiq nga SIDA në vitin 1993), shkruan një letër të mrekullueshme, si një testament për dashurinë e tij të madhe: Baletin.

Po e publikojmë atë në tërësinë e saj, sepse mendojmë se edhe për ata që shkruajnë është e njëjtë ndjenja e përkushtimit dhe dashurisë, të njëjtat hapa për të përmbushur e për tu lehtësuar. Brenda jetës e përtej dhimbjes…

“Ishte era e lëkurës time që ndryshonte, ishte të përgatiteshe përpara leksionit. Ishte të braktisje shkollën e pasi të kishe punuar në fusha me babanë, (sepse ishim dhjetë fëmijë), të bëjë ato dy kilometra në këmbë për të arritur në shkollën e baletit. Nuk do kisha bërë kurrë balerinin, nuk mund t’ja lejoja vetes këtë ëndërr, por ja që isha aty, me këpucët e veshura në këmbë, me trupin tim që çelej nga muzika, e me frymëmarrjen që më çonte mbi re. Ishte sensi që i jepja qenies time, ishte të ndjenjurit aty duke i shndërruar muskujt e mi në fjalë dhe poezi, ishte era në krahët e mi, ishin djemtë e tjerë si mua që prisnin dhe që ndoshta nuk do bëheshin kurrë balerinë, por në ato momente shkëmbenim erërat e djersës, heshtjen, lodhjen.

Për 13 vjet kam studiuar dhe punuar, pa asnjë audicion, asnjë, sepse krahët e mi shërbenin për të punuar fushave. Por mua nuk më interesonte: Unë mësoja të kërceja sepse e kisha të pamundur të bëja ndryshe, e kisha të pamundur të mendoja se isha dikur tjetër, e kisha të pamundur që të mos e ndjeja tokën të transformohej nën këmbët e mia, të pamundur të mos humbja në muzikë, ishte e pamundur të mos përdorja sytë e mi për tu parë në pasqyrë, për të provuar hapa të rinj.

Çdo ditë çohesha me mendimin e atij momenti kur do të vishja këpucët e baletit dhe çdo gjë tjetër e bëja duke pritur atë moment. Dhe kur isha aty me erën e kamfurit, të drurit, trikove, isha një shqiponjë në çatinë e botës, isha poeti mbi të gjithë poetët, isha kudo dhe isha çdo gjë. Me kujtohet një balerinë, Elena Vadislowa, vinte nga një familje e  pasur, shumë e mbajtur, e bukur. Dëshironte të kërcente po aq sa unë, por më vonë kuptova që nuk ishte kështu. Ajo kërcente në të gjitha audicionet, për spektaklin e fundit të vitit, për mësuesit që e shikonin, për ti bërë jehonë bukurisë së saj. U përgatit dy vjet për konkursin Djenko. Parashikimet ishin të gjitha për të. Dy vjet ku sakrifikoi pjesë nga jeta e saj. Nuk e fitoi konkursin. Hoqi dorë nga kërcimi, përgjithmonë. Nuk e duroi dot humbjen.

Kjo ishte diferenca mes meje dhe saj. Unë kërceja  sepse kërcimi ishte besimi im, nevoja ime, fjalët që nuk thoja, përpjekja ime, varfëria ime, lotët e mi. Unë kërceja sepse vetëm në ato momente qenija ime rrëzonte kufijtë e gjendjes sime sociale. Të ndrojteve të mia, të turpit tim. Unë kërceja dhe kisha gjithë universin në duart e mi, dhe ndërkohë që isha në shkollë, lëroja fushat në 6 të mëngjesit.  Por mendja ime mund të përballonte çdo gjë, sepse isha i dehur nga trupi im që prekte ajrin.

Unë isha i varfër dhe para meje parakalonin djem që shfaqeshin nëpër konkurse, kishin rroba të reja, udhëtonin. Nuk vuaja. Vuajtja ime do të ishte sikur të mos më lejonin të hyja në sallën e kërcimit e të ndjeja djersën time duke shpërthyer nga poret e fytyrës. Vuajtja ime do të ishte nëse nuk do isha aty, i rrethuar nga ajo poezi që vetëm sublimimi i artit mund të ta japë. Isha piktor, poet, skulptor.

Balerini i parë i shfaqjes së fund-vitit nuk ndihej mirë. Isha i vetmi që dija çdo lëvizje, sepse thithja në heshtje çdo hap. Më veshën rrobat e tij, të reja, brilante. Pas 13 vjetësh, më dhanë përgjegjësinë e të treguarit, të demonstruarit. Asgjë nuk ishte ndryshe në ato momente që kërceva në skenë. Ishte njësoj si në sallat e provës, kur isha me rrobat e mia të vjetra. Isha aty duke performuar, por ishte baleti që më interesonte. Duartrokitjet më vinin të largëta. Pas kuintave, e vetmja gjë që doja ishte të hiqja atë trikon e pakëndshme, por u derdhën komplimentet e të tërëve e mu desh të prisja. Ëndrra ime nuk ishte ndryshe nga netët e tjera. Kisha kërcyer, dhe ata që më shikonin nuk ishin veçse një re e largët në horizont. Nga ai moment jeta ime ndryshoi, por jo pasioni im dhe nevoja për të kërcyer.

Vazhdova të ndihmoj babain tim në ara, edhe pse emri im ishte në gojën e të gjithëve. U bëra një nga yjet më të shndritshëm të baletit. Tani e di se duhet të vdes, sepse kjo sëmundje nuk të fal, dhe trupi im ka “ngecur” në një karrocë me rrota, gjaku nuk qarkullon, humb në peshë përditë. Por e vetmja gjë që më shoqëron është baleti, është liria e të qenit. Vërtet jam këtu, por kërcej me mendje, fluturoj përtej fjalëve dhe dhimbjes time. Unë kërcej qenijen time me pasurinë që e di që e kam dhe që do të më ndjek kudo: Faktin që i dhashë vetes mundësinë që të ekzistoj përmbi lodhjen, dhe të mësuarit se nëse provon lodhje dhe vështirësi kur kërcen, dhe të duhet të ulesh me zor, nëse mëshirojmë këmbët tona të gjakosura, nëse ndjekim vetëm gjysmën dhe nuk e kuptojmë kënaqësinë e plotë dhe unike të lëvizjes, nuk mund të kuptojmë thelbin e të jetës.

Ku kuptimi është në të qenit e saj dhe jo në shfaqjen e saj. Çdo burrë duhet të kërcejë, gjatë gjithë jetës.

Mos ji thjesht një balerin, por kërce. Ata që nuk do të arrijnë të njohin kënaqësinë e të hyrit në një sallë me mbajtëse druri dhe pasqyra, ata që heqin dorë se nuk arrijnë rezulatet, ata që kanë nevojë për stimuj për të jetuar e për të dashuruar, nuk kanë arritur të hyjnë në thellësitë e jetës dhe e braktisin jetën sa herë ajo nuk i jep atë që duan. Është ligji i dashurisë: Dashuron sepse ndjen nevojën për ta bërë, jo për të arritur diçka apo për ta marrë mbrapsht atë që ke dhënë, ndryshe jeni të destinuar për të qenë të palumtur. Unë po vdes, dhe falenderoj Zotin që më dha një trup për të kërcyer, kështu që unë të mos çoja dëm as edhe një moment nga kjo dhuratë e mrekullueshme e jetës”.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës