Shoqatat e gazetarëve vijojnë me kundërshtitë për rregulloren e re të GJKKO-së qe futet në fuqi nga sot, duke sjellë kufizime të forta për mediat, deri te ndalimi i përdorimit të telefonave dhe regjistruesve nga gazetarët brenda në sallën e gjyqit. Shoqatat e gazetarëve paralajmërojnë se do të përdorin të gjitha mjetet për ta kundërshtuar dhe zhbërë atë, duke theksuar se rregullorja e re e GJKKO-së censuron median.
“Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim”, deklaroi Asociacioni i Gazetarëve.
“Jemi të vendosur për ta zhbërë këtë. Kemi të bëjmë me rregullore dhe jo me ligj, një rregullore mund të rishqyrtohet kur ka të bëjë me cedime të tilla”, tha Aleksandër Çipa kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në një intervistë për Report Tv, ndërsa i bëri thirrje drejtuesit të GJKKO-së, Erion Bani që të rishqyrtojë rregulloren dhe të marrë në konsideratë edhe propozimet e bëra nga komuniteti i medias.
Sipas Çipës, rregullorja nuk është vetëm censuruese, por bie ndesh edhe me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të drejtën e informimit. Ai paralajmëroi përshkallëzim të reagimit edhe përmes organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.
“Rregullorja që ka vendosur GJKKO është jo vetëm censuruese, por është ceduese me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Do atakohet jo vetëm nga komuniteti ynë profesional, por edhe nga grupe të tjera të interesit qytetar dhe të drejtës ligjore. Kjo rregullore krijon një precedent të rrezikshëm.
Edhe pse ne u përballëm dhe po përballemi me një padëgjueshmëri nga kjo gjykatë, përpjekja dhe reagimi jonë do jetë i përshkallëzuar. Do kemi reagime nga rrjete dhe organizata të tjera ndërkombëtare të gazetarëve, për këtë precedent antiligjor. Do të këmbëngulim që të kemi reagime të menjëhershme nga hierarkia e drejtësisë”, tha Çipa për Report Tv.
Ai kundërshton masat censuruese, nga ndalimi i përdorimit të celularit dhe regjistruesve në sallën e gjyqit, ndalimi i kamerave, rotacioni i gazetarëve kur sallat nuk kanë vende të mjaftueshme, apo edhe detyrimi për tu regjistruar 24 orë para për të ndjekur një seancë gjyqësore.
“Nuk ka arsye përse të vendosen kritere të diskrecionit profesional të mos lejimit. Aty ka nonsense procedurale dhe juridike, aty thuhet se janë të hapura seancat, por nga ana tjetër vendosen kufizime për prezencën e gazetarëve dhe operatorëve. Dhe regjistrimi 24 orë më parë nuk është gjë tjetër vese kleçkë kufizuese.
Rotacioni i vendeve? Hipokrizi. Aty janë të përcaktuar se kush janë të interesuarit, janë familjarët e palëve dhe mbrojtja, mjedisi është gjithmonë i kufizuar. Krijimi i një precedenti për rotacion, është mishërimi i censurimit”, vijon Çipa.
Ndërkohë, AGSH thotë se e vlerëson rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së, por duhet të ketë harmonizim me të drejtën e medias për të raportuar dhe informimin e publikut.
“Solidarizohem me të gjithë gazetarët dhe nëse nuk do të këtë reflektim, masat do jenë më agravuese deri të bojkoti i seancave gjyqësore. Nuk do ta bëjnë gazetarët, por është bojkot i imponuar nga GJKKO, nëse ti i mbyll dyert i ke përjashtuar nga raportimi. Nëse s’do ketë reflektim, nëse do mbahet kjo distancë mes zyrtarëve të gjykatës dhe gazetarëve, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të kalojmë në të tjera faza te kundërshtimit të kësaj rregulloreje", thotë AGSH.
Rrjeti SafeJournalist, që bën bashkë gazetarët e Ballkanit, i bëri thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojë zbatimin e dispozitave që lidhen me median dhe të ndërmarrë një konsultim të gjerë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile.
“Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vijojë të monitorojë zbatimin e rregullores.”-thuhet në reagim.
Ndërsa për Rregulloren e re pati një valë në rritje reagimesh, nga GJKKO, i vetmi reagim ishte ai i konfirmimit se nuk ka ndërmend të bëj pas. Gazetarët u njoftuan pas mesditës se grupi i deritanishëm i komunikimit të njoftimeve do të mbyllet dhe se do të hapet një grup i ri, vetëm me gazetarët që do të akreditohen sipas përcaktimeve të Rregullores së re.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj kërkon pezullimin e rregullores së re të GJKKO-së që censuron median. Para GJKKO-së, ai i bëri thirrje GJKKO-së që të ulen në konsultime ose në të kundërt, nëse s’do të ketë reflektim, do të shkojnë deri në gjykatë.
“Mbyll dyert e mediave. Në emër të asociacionit të gazetarëve, i bëj thirrje kryetarit të GJKKO për një bashkëpunim të mëtejshëm, të ulemi të gjithë së bashku, me gazetarët dhe shoq dhe të diskutojmë mbi atë çfarë gazetarët dhe organizatat janë duke kërkuar. Bashkëpunimi nuk është i rrezikshëm dhe mbyllja e dyerve të Gjykatave është një akt flagrant. Ka ikur koha kur gazetarët kanë hyrë në gjykata me laps e letër, jetojmë në kohen e teknologjisë dhe pajisjet telefonike nuk janë lukse, por janë mjete te domosdoshme pune. Kërkoj të pezullohet kjo rregullore, të nis diskutim me palët e interesuara. Ne jemi duke punuar ti drejtohemi dhe gjykatave, do ta takojmë qoftë në gjykatën administrative, por do të shohim mundësinë e atakimit në kushtetuese. Solidarizohem me të gjithë gazetarët dhe nëse nuk do të këtë reflektim, masat do jenë më agravuese deri të bojkoti i seancave gjyqësore. Nuk do ta bëjnë gazetarët, por është bojkot i imponuar nga GJKKO, nëse ti i mbyll dyert i ke përjashtuar nga raportimi. Është e drejtë e gazetarëve për të ndjekur seancave gjyqësore, i takon GJKKO dhe gjykatave të tjera për të siguruar këto ambiente. Gazetarët duhet të bëhen bashkë për t’iu kundërvënë këtyre masave. Nëse s’do ketë reflektim, nëse do mbahet kjo distancë mes zyrtarëve të gjykatës dhe gazetarëve, ne duhet të bëhemi bashkë dhe të kalojmë në të tjera faza te kundërshtimit të kësaj rregulloreje”, tha Isa Myzyraj.

Rrjeti SafeJournalists i kërkon GJKKO-së të rishikojë rregulloren e re dhe të pezullojë dispozitat që prekin mediat. Sipas organizatës, ndalimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike dhe procedurat e akreditimit pengojnë gazetarët të ndjekin dhe raportojnë në kohë nga seancat gjyqësore.
Deklarata e plotë e Rrjetit SafeJournalists
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për disa nga dispozitat që lidhen me median në Rregulloren e re të Brendshme të miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 49, datë 17 korrik 2026, publikuar më 31 korrik 2026 dhe që parashikohet të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026.
Rrjeti njeh përgjegjësinë e Gjykatës së Posaçme për të garantuar sigurinë, për të mbrojtur të gjithë pjesëmarrësit në proces, për të ruajtur integritetin e procesit gjyqësor dhe për të siguruar administrimin e rregullt të drejtësisë. Ai gjithashtu vlerëson garancitë e parashikuara në rregullore për të nxitur transparencën, trajtimin e barabartë dhe vendimmarrjen e arsyetuar.
Në të njëjtën kohë, efekti i kombinuar i disa dispozitave rrezikon të kufizojë aftësinë e gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt proceset gjyqësore, për të mbajtur shënime të sakta, për të komunikuar me redaksitë e tyre dhe për të raportuar në kohë për çështje me interes të jashtëzakonshëm publik.
Vërejmë se neni 90 vendos akreditim vjetor dhe individual, ndërsa neni 93(1) rregullon aksesin e përfaqësuesve të akredituar të medias. Rregullorja nuk përcakton qartë nëse një gazetar pa akreditim të përhershëm nga Gjykata e Posaçme mund të ndjekë një seancë, e cila përndryshe është publike, si anëtar i publikut. Shtojca 7 kërkon gjithashtu që gazetarët e pavarur të dëshmojnë veprimtari profesionale gjatë 12 muajve të mëparshëm. Kjo qasje rrezikon të vendosë në pozita të pafavorshme gazetarët freelancer, të pavarur, në fillimet e karrierës apo të sapocaktuar për të mbuluar Gjykatën. Akreditimi mund të lehtësojë identifikimin dhe aksesin e barabartë, por nuk duhet të shndërrohet në një filtër apo kusht të panevojshëm për të ndjekur procedimet publike.
Procedura e aksesit mund të krijojë gjithashtu një barrë të panevojshme administrative për gazetarët, veçanërisht për ata që punojnë në redaksi të vogla ose si gazetarë të pavarur. Kur aktivizohet procedura e posaçme sipas nenit 93(2), neni 93(3) kërkon, si rregull, që gazetarët të paraqesin kërkesë të paktën 24 orë përpara seancës. Më pas mund t’u kërkohet të konfirmojnë pjesëmarrjen, të respektojnë rregullin e përgjithshëm të një përfaqësuesi për çdo media dhe, nëse kërkohet mbulim audioviziv, të paraqesin një kërkesë të veçantë sipas nenit 95. Këto procedura mund të ndihmojnë organizimin kur ekziston një nevojë konkrete për shkak të kapacitetit të sallës apo të sigurisë, por nuk duhet të shndërrohen në kusht rutinë për ndjekjen e seancave publike. Seancat urgjente, njoftimet e vona dhe zëvendësimi i gazetarëve kërkojnë një procedurë të thjeshtë dhe të shpejtë.
Jemi të shqetësuar për nenin 76 dhe nenin 93(16), të cilët ndalojnë gazetarët e lejuar vetëm për të ndjekur një seancë që të mbajnë ose përdorin telefona celularë, laptopë dhe pajisje të tjera elektronike. Parandalimi i regjistrimit apo transmetimit të paautorizuar është legjitim. Megjithatë, një ndalim i përgjithshëm pengon gjithashtu mbajtjen në heshtje të shënimeve, raportimin me shkrim, komunikimin me redaktorët, verifikimin e informacionit ligjor dhe përdorimin e pajisjeve për nevoja aksesueshmërie. Duhet të shqyrtohen masa më pak kufizuese dhe të zbatueshme, si përdorimi në modalitet të heshtur, vende të posaçme për median, kufizime të funksioneve të kamerës dhe udhëzime të përshtatura për raste konkrete nga kryesuesi i seancës.
Vërejmë gjithashtu se neni 95 rregullon në mënyrë specifike mbulimin audioviziv të seancave gjyqësore, përfshirë filmimin, fotografimin, regjistrimin audio dhe transmetimin. Autorizimi paraprak gjyqësor dhe kufizimet ndaj një mbulimi të tillë mund të jenë legjitime kur janë të nevojshme për mbrojtjen e dëshmitarëve, të miturve, privatësisë, provave, rendit në sallën e gjyqit apo administrimit të rregullt të drejtësisë. Megjithatë, çdo kufizim duhet të bazohet në rrethanat konkrete të seancës, të jetë i arsyetuar dhe proporcional dhe, përpara një refuzimi të plotë, të shqyrtojë alternativa më pak kufizuese. Materialet e prodhuara nga Gjykata apo të siguruara përmes një sistemi “media pool” mund të mbështesin aksesin kur ekzistojnë kufizime sigurie apo teknike, por duhet të plotësojnë dhe jo të zëvendësojnë në mënyrë rutinë praninë e pavarur të gazetarëve në sallën e gjyqit.
Për më tepër, neni 96(3)(e)–(g) trajton manipulimin përmes inteligjencës artificiale, materialet e konsideruara mashtruese dhe publikimin e imazheve të personave të identifikueshëm kur identifikimi konsiderohet i panevojshëm. Mbrojtja nga manipulimi i rremë dhe publikimi i paligjshëm është legjitime. Megjithatë, sjellja editoriale apo pas publikimit që shtrihet përtej ambienteve të Gjykatës nuk duhet të rregullohet përmes sistemit të akreditimit. Çështje të tilla duhet të trajtohen përmes legjislacionit në fuqi, mjeteve juridike, mekanizmave të korrigjimit dhe etikës profesionale.
Neni 98 parashikon paralajmërime, pezullim të akreditimit deri në gjashtë muaj dhe heqje të tij. Rregullorja përmban garanci të rëndësishme për masat më serioze, përfshirë kërkesën për prova konkrete, një urdhër të arsyetuar dhe mundësinë që gazetari ose media të dëgjohet. Megjithatë, ajo nuk parashikon qartë një mekanizëm të shpejtë rishikimi që të mund të zgjidhë një refuzim aksesi apo një masë ndaj akreditimit përpara se të humbasë vlera gazetareske e seancës përkatëse.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Gjykatës së Posaçme të pezullojnë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara që lidhen me median dhe të ndërmarrin një rishikim të fokusuar përmes konsultimit kuptimplotë me gazetarët, organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile. Kuadri i rishikuar duhet të garantojë që kufizimet që prekin aksesin dhe raportimin e medias të jenë të bazuara në ligj, të nevojshme, proporcionale, të përcaktuara qartë dhe të zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme; që gazetarët të mund të punojnë në kushte praktike dhe të arsyeshme; dhe që refuzimet, përjashtimet apo masat ndaj tyre të jenë të arsyetuara dhe t’i nënshtrohen një rishikimi të shpejtë dhe efektiv.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje dhe do të vijojë të monitorojë zbatimin e rregullores.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 7 gusht 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur keqardhje e zhgënjim për hyrjen në fuqi të rregullores së re të GJKKO-së në shpërfillje të të gjitha reagimeve të bëra më herët nga gazetarë e organizata të medias.
Sipas Asosacionit, dialogu, i cili ishte kërkuar para hyrjes në fuqi të rregullores, është ende i mirëpritur, por vendimi i Gjykatës së Posaçme do të sulmohet me çdo mjet.
AGSH thotë se e vlerëson rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së, por duhet të ketë harmonizim me të drejtën e medias për të raportuar dhe informimin e publikut.
Deklarata e plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin që, prej sot, 1 shtator, ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pavarësisht shqetësimeve dhe rekomandimeve të ngritura më herët nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat vendase e ndërkombëtare të medias.
AGSH kishte kërkuar që përpara hyrjes në fuqi të Rregullores të zhvillohej një proces konsultimi me gazetarët dhe organizatat përfaqësuese të medias, veçanërisht për dispozitat që ndikojnë drejtpërdrejt në punën e reporterëve, përfshirë kufizimin e përdorimit të telefonave celularë gjatë seancave gjyqësore.
Ne vlerësojmë rolin dhe përgjegjësinë e GJKKO-së për garantimin e mbarëvajtjes së proceseve gjyqësore, por besojmë se ky objektiv mund dhe duhet të harmonizohet me të drejtën e medias për të raportuar dhe me të drejtën e publikut për t'u informuar.
Ne mbetemi të gatshëm për bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, por do të përdorim të gjitha mjetet për ta atakuar këtë vendim.










Komente
Komento