Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë konfirmon se ka nisur një hetim në lidhje me nxjerrjen e hetimeve nga Zëri i Amerikës pak ditë më parë, pas transmetimit të disa përgjimeve për blerje të votave në qytetet si Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë përmes një reagimi për mediat njoftoi sot se po kryhen hetime për veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, të lidhur me publikimin në mediat elektronike dhe të shkruara të disa akteve proçedurale të proçedimit penal nr.339 viti 2016.

Prokuroria deklaron se hetimet ne lidhje me këtë vepër penale kanë filluar që në muajin nëntor 2018 dhe lidhen me faktin se duke filluar që nga viti 2017 dhe në vazhdim, në kundërshtim me ligjin janë bërë publike akte sekrete të përgjimeve të këtij procedimi penal por thekson se nuk po hetohen gazetarët që i kanë publikuar.

Sipas prokurorisë, hetimet janë duke u kryer në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e funksionarëve të organeve të drejtësisë, të cilët kanë hartuar aktet e përgjimeve, kanë administruar këto akte dhe kanë patur akses në to, por dhe kushdo tjetër që në bazë të ligjit është njohur me aktet e sipërcituara dhe ka patur detyrimin ligjorë për ruajtjen e sekretit hetimor si dhe marrjen e masave të nevojshme për ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal të mësipërm. Në përgjimet e publikuara del edhe emri i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako (lexo ketu).