TIRANË- Një vit protesta rresht, rezistencë kundër shembjes së banesave të tyre! Bllokim rruge, djegie gomash, arrestime dhe ndalime, protestues me jelek portokalli...kështu mund të karakterizohej protesta e banorëve të Astririt.

Simbol i kësaj proteste ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Çdo pasdite, ish-deputeti u premtonte qytetarëve se nuk do të lejonte shembjen e banesave të tyre. Të gjendur përpara faktit se u ishte shuar çdo shpresë, banorët nisën të besonin tek premtimet e Balliut madje në sytë e tyre ai shihej si "shpëtimtar". "O klevis, o hero gjithë Astiri ty të do"! Jo pak herë është dëgjuar kjo frazë, kur ish-deputeti u arrestua për kundërshtim të forcave të policisë.

Dalëngalë, kjo protestë mori ngjyrime politike. PD-ja e dalë nga parlamenti dhe kur kishte humbur çdo formë të pushtetit, e ktheu protestën e banorëve të Astrit në kauzën e tyre. Në të gjitha protestat kombëtare që opozita e bashkuar zhvilloi, banorët e Astritit ishin aty, të udhëhequr nga Balliu. Ky i fundit zotohej se ai dhe partia e tij nuk do të lejojë shembjen e banesave, madje në një deklaratë të bërë në një emision televiziv ai tha "që banesat të shembet, duhet të kalohet mbi trupat e grupit parlamentar të PD-së".

"Jam gati që t'ua oganizojë unë takimin me Veliaj vetëm që t'u zgjidhin problemin këtyre qytetarëve. Aty ka fëmijë, është absurde, janë me qindra zonja. Hajde zgjidhuani problemin këtyre qytetarëve. Nuk i shemb dot ato shpia, nuk doi i shtypësh me fadroma banorët. Përpara se të shtypësh banorët, duhet të kalosh një herë mbi trupin e grupit parlamentar të PD-së që ditën që do i sjellë këto fadroma do i ketë rresht aty përpara, sepse i kemi thënë dhe do i përsërisim jemi në mbështetje të këtyre banorëve sepse janë aty për kauzë legjitime që e mbron dhe ligji dhe Kushtetuta dhe mbi Kushtetutën nuk do shkeli as Edi Rama dhe as Erion Veliaj. Për ta mbrojtur atë, ne do jemi në vijë të parë", tha më herët Balliu. 

Por si ishte situata sot? Banorët ishin të informuar IKMT do të niste shembjen e banesave rreth orës 06:00 të mëngjesit të kësaj të marte. Ata u organizuan në grupe, fjetën jashtë që sapo të dëgjonin lëvizjen më të vogël nga fadromat të mobilizoheshin dhe t'i ndalonin. Por përtej premtimeve, se grupi parlamentar i PD-së do të ishte në rresht të parë, sot në nisje të kësaj proteste mungonte edhe vetë Klevis Balliu, ai që u kishte premtuar se do e mbronte me trupin e tij këtë kauzë të këtyre banorëve. Ato ishin të vetëm në përballjen e tyre me policinë, ku ishin të organizuar me gurë, shkopin, madje edhe bomba molotov (detaj ky i parë në protestat kombëtare të opozitës). Pas 4 orësh, Balliu i bashkohet protestës, e ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha, pas 6 orësh zgjedh që të vizitojë të lënduarit në spital, atëherë kur gjithçka kishte mbaruar. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, të cilëve iu ra në sy mungesa e deputetëve të kësaj partie në nisje të këtij aksioni, Basha u mjaftua të thoshte se  "Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të “Astirit”.

"Basha se kur PD të vijë në pushtet çdo cm katror i pronës së banorëve të Astirit do kompensohet me vlerën e tregut. Ndërkohë gjatë protestave të mëparshme, kreu i PD Lulzim basha ishte zotuar se nuk do të lejonte prishjen e asnjë shtëpie në zonën e Astirit. Asnjë nga përfaqësuesit e opozitës nuk ishin krah banorëve në zonën e Astirit kur ndërtesat nisën të shembeshin.  Përballë këtij qëndrimi, Basha u shpreh: "Opozita ka qenë dhe është në krah të qytetarëve të “Astirit”. Kemi ndjekur gjatë gjithë kohës, mbrëmë, që në orët e para të mëngjesit sot ndodhemi në krahun e tyre. Shumë prej anëtarëve të opozitës janë burgosur, shumë të tjerë janë dhunuar. Opozita është njësh me qytetarët", tha Basha.

Në aksionin e sotëm të IKMT-së u shembën 33 objekte, 15 një katëshe, 11 2 katëshe, 6 objekte 3 katëshe dhe 1 objekt katër katesh.