TIRANË- Një vit protestë, një vit rezistencë. Si sot, një vit më parë (3 nëntor 2018) banorët e Astirit nisën rezistencën e tyre kundër projektit të Unazës së Re, i cili parashikon shembjen e banesa të tyre për të zgjeruar rrugën.

Me moton "mbrojmë familjet tona", banorët sot ka zgjedhur që të protestojnë ndryshe! Në një video- projektor, ato kanë bërë një përmbledhje të momenteve më kyçe të protestave të tyre përgjatë këtyre 12 muajve dhe më pas kanë nisur fjalimet, ku nuk kanë munguar akuzat për qeverinë e kryeministrit Edi Rama duke e etiketuar atë si "qeveria e krimit".

Edhe sot, ka qenë i pranishëm në protestë ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i arrestuar dy herë (në periudha të ndryshme) për shkak të kundërshtimit të forcave të policisë gjatë protestave, i cili në fjalimin e tij i cilësoi këta banorë si "heronj".

"Rama nuk arriti t'i mposhte këto heronj dhe t'i shemb shtëpitë e tyre. Opizta e bashkuar kanë qenë në mbështetje të kësaj kauze, e kemi mbështetur këtë kauzë që në ditën e parë dhe do të vijojmë që ta bëjmë", tha mes të tjerave Balliu.

Në një vit protesta ka pasur disa persona të arrestuar, bllokim të rrugëve, thirrje kundër qeverisë Rama, bashkim me kauzën e opozitës duke u bashkuar në protestat që Basha ka zhvilluar nga muaji shkurt, mesazhe të përcjella, histori të veçanta...një vit rezistencë në mbrojtje të shtëpive të tyre.