Presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh i gatshëm për të goditur xhihadistët e Shtetit Islamik në Siri dhe për të vazhduar sulmet amerikane të ndërmarra në Irak që prej një muaji.

Një ditë para 13-vjetorit të atentateve të 11 shtatorit, Barack Obama premtoi se do të godasë Shtetin Islamik, në sajë të fuqisë ajrore të SHBA-së, por gjithashtu duke riforcuar mbështetjen e forcave irakiane nga njëra anë dhe të opozitës siriane të moderuar nga ana tjetër.

"Objektivi ynë është i qartë: ne do të dobësojmë dhe në fund do të shkatërrojmë Shtetin nëpërmjet një strategjie globale antiterroriste dhe të qëndrueshme", deklaroi presidenti amerikan. "Nuk do të hezitoj për të reaguar kundër ISIS në Siri, ashtu si në Irak nëpërmjet një operacioni të vazhdueshëm me anë të goditjeve ajrore", shtoi ai.

Duke rikonfirmuar se dërgimi i trupave luftarake amerikane në terren ishte përjashtuar, Obama njoftoi dërgimin e 475 këshilltarëve ushtarakë shtesë në Irak për të mbështetur forcat kurde dhe irakiane përsa i përket pajisjeve, trajnimit dhe shërbimit sekret. Kjo do ta çojë në 1 600 numrin e ushtarëve amerikanë të pranishëm në vend.

Në fjalimin prej katër orësh, presidenti amerikan i kërkoi Kongresit t'i japë më shumë burime për armatosjen dhe trajnimin e rebelëve sirianë.Deri tani SHBA-ja ka kryer mbi 150 sulme ajrore kundër militantëve në Irak, gjithashtu ka dërguar armë për forcat irakiane dhe kurde në luftën e tyre kundër ISIS./ATSH/