Presidenti amerikan, Barack Obama përshëndeti sot nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe sigurie mes Uashingtonit dhe Kabulit që shtyn praninë ushtarake amerikane në vendin e shkatërruar nga lufta edhe pas vitit 2014.

"Kjo është një ditë historike", deklaroi Obama. "Kjo marrëveshje është një ftesë nga ana e qeverisë afgane për forcimin e marrëdhënieve që ne kemi patur gjatë 13 viteve të kaluara", theksoi ai.

"Marrëveshja reflekton angazhimin tonë për të mbështetur qeverinë e re afgane të unitetit kombëtar", shtoi Obama. Afganistani nënshkroi sot një marrëveshje sigurie për t'i mundësuar trupave amerikane të qëndrojnë në vend deri në vitin 2015, të nënshkruar nga presidenti i ri Ashraf Ghani që synon të ketë marrëdhënie më miqësore me Uashingtonin.

Kjo marrëveshje që pritej prej shumë kohësh nga Uashingtoni, u nënshkrua sot në Kabul nga ambasadori i SHBA-së, James Cunningham dhe Hanif Atmar, këshilltar afgan për sigurinë kombëtare, një ditë pas marrjes së detyrës nga Ghani. Presidenti Hamid Karzai, që u largua nga funksionet e tij dje, kishte refuzuar të nënshkruante këtë dokument, duke përkeqësuar marrëdhëniet mes Kabulit dhe Uashingtonit.

Aktualisht, në Afganistan gjenden 41 mijë ushtarë të NATO-s, nga 130 mijë që ishin në vitin 2012.

ATSH