Presidenti amerikan Barack Obama u tha mbrëmë amerikanëve se ka autorizuar për herë të parë sulme ajrore amerikane në Siri dhe intensifikimin e sulmeve në Irak, si pjesë e strategjisë së SHBA-ve në luftën kundër shtetit islamik të Irakut dhe Levantit.
 
Në një fjalim televiziv 15 minutësh që përshkruante strategjinë e tij kundër ISIS, ai tha se çdo grup që kërcënonte Amerikën ‘nuk do të qëndrojë i sigurt’.
 
Obama njoftoi dërgimin e 475 ushtarakëve në Irak, të cilët nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në luftime si dhe ka autorizuar 25 milionë dollarë ndihmë për ushtrinë irakene. Ai gjithashtu reflektoi edhe në aftësitë e Amerikës për të ‘mobilizuar botën kundër terroristëve’, në përvjetorin e 13-të të sulmeve të 11 shtatorit në New-York.
 
Vendimi i Obamës për të nisur sulme në Siri, e cila është e përfshirë në një luftë civile 3-vjeçare, tregoi seriozitetin e kërcënimit terrorist të shtetit islamik. Sekretari amerikan, John Kerry është aktualisht në Lindjen e Mesme në përpjekje për të ndërtuar një koalicion të gjerë kundër ISIS.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)