Objekti i rrallë, shtegtimi
i tryezës së Ndre Mjedës

Objekti i rrallë, shtegtimi<br />i tryezës së Ndre Mjedës
Lidhjet ndër  breza ndodhin duke përcjellë tek njëri- tjetri  trashëgiminë shpirtërore, intelektuale e materiale. Nga autorët veriorë të Rilindjes sonë të hershme apo të mëvonshme nuk shënohet apo dëshmohet se do jetë ruajtur ndonjë objekt pune i tyre, apo objekte të tjera personale. Kjo ka ndodhur jo gjithmonë për fajin e armiqve tanë të cilët do mund ta kenë shkatërruar apo vjedhur, por në më të shumtën e rasteve ka ndodhur për shkak të indiferentizmit që ne kemi treguar ndaj objekteve të figurave të  rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare.

Përkundrejt këtij fakti, fatbardhësisht, kemi të ruajtur në Kukël Kishën e vitit 1913 dhe shtëpinë e banimit të vitit 1906 të ndërtuar nga Ndre Mjeda dhe një objekt më vlera të rralla, i cili, falë individëve të caktuar dhe rrethanave të kohës, është ruajtur që nga koha e poetit Mjeda deri më sot, e ajo është tryeza e punës së Ndre Mjedës. Në këtë tryezë 100 vjeçare u shkruan dhe u rishkruan poezitë “Vaji i Bylbylit,” “Shtegtari”, “Tringa”, “Scodra”, “Lissus”, “Vorri i Skenderbeut” “Andrra e Jetës”etj., si dhe u përgatiten libra të ndryshëm shkollor e shkencor,  fjalime parlamentare e diplomatike. Kjo tryezë e fundshekullit XIX, e një kulture perëndimore, në të kaluarën e saj, duke kaluar nga dora në dorë, nga një vend në tjetrin, përkundrejt këtyre  peripecive që pati, qe ruajtur si e tëra, pa u dëmtuar rëndë.

[gallery]20581[/gallery]
Në kujtime të rrogëtarit Dodë Gjon Gazulli, i cili gjatë viteve 1920-1937 i ka shërbyer Mjedës, shënohet se “Tryeza e punës ishte plot libra e letra”. Njiherë i shtymë nga kurreshtja, sherbyesi kishte hy n’atë dhomë për të hetue të fshetën e poetit që e lente zgjuet, shumë herë deri në të parat rreze të mëngjezit. E çfarë kishte hetue. Vjerrsha… “Sa përpiqesha të lexoja nji vjerrshë, vizatë intensivisht e fjalë mbi fjalë, si pilë arrash, merrja me lexue tjetrën…Por edhe ajo, edhe tjetra, prap tjetra ishte e njëjta vjerrshë e laracueme. Nuk kuptoja gja!”

Pas vdekjes së poetit, më 1 gusht 1937, objekte të ndryshme kishin mbetur pasuri e famullisë së Kuklit, të cilat, sipas Kanunit kishtar duheshin të administroheshin nga  pasuesi i radhës. Në këtë rast famullia e Kuklit, për shkak të mungesës së klerikëve, administrohej nga famullitari i Barbullushit, përkatësisht nga Dom Karlo Prenndushi. Pas largimit të tij, Kukli gjatë viteve 1942- 1948 administrohej nga Dom Zef Gila, i cili e pati në përdorim tryezën e punës të Ndre Mjedës.

Sipas studiuesit të njohur të Mjedës, prof. Mentor Qukut, poeti Shkodran, Sandër Gera (1926-1982), duke folur për mësuesin e tij të dashur, Ndre Mjedën, me nostalgji të madhe flet për tryezën e poetit. “Kur kam qenë mësues në Barbullush, në vitin 1947, kam ndrrue tavolinën e Mjedës që e kishte Kryetari i Këshillit Popullor të Kuklit, Martin Neli, me nji tjetër.” Madje, Gera flet se, nga tryeza e Mjedës, që frymëzuar kur shkroi sonetin e tij "Bisedë me Poetin". Mësuesi Gera përshkruan një detaj të tryezës duke thënë: "Shtroja e tryezës së poetit asht kadifeje së gjelbërt, dalë ngjyre nga vjetërsia dhe e grisun ndër shumë vende."

Në një shkrim të vitit 1944, botuar te “Kumbona e së Dieles”, ndër të tjera thuhet: “Ende sot ruhet n’oden e Tij shkrojtorja ku punoj për sa vjet, e kryqi drunit me nji krah të thyem nga salvimet prej së cillash Poeti kje lidhë e rrahë pse s’ju bind urdhnit të mrapshtë të tyne me peshtye të kryqzuemin. Kisha e kryeme perjashta mbas normevet’arqitektures romane, ban në ball vjeten 1913. Nelt ka truporen e Shejtit Shtjefën Protomartir, të cillit i asht kushtue edhe famullia qi po lutë festën me 3 në Gusht.”
Meqënëse tryeza ishte e veçantë, sepse i takonte një liriku të madh të rilindjes sonë të mëvonshme kombëtarë Ndre Mjeda, mësuesi Sander Gera, pasi e mbajti tryezën për një kohë në dhomën e tij, në vitin 1959 e çoi për ruajtje në Muzeun e Shkodrës dhe për ta ekspozuar para publikut të gjerë shqiptar.

Këtë proces të bartjes së tryezës nga Kukli e dëshmon  dhe Vasil Llazari, drejtor i Muzeut Popullor të Shkodrës, duke shkruar në Almanakun “Shkodra” në vitin 1961: “Në kandin “Rilindja” janë vendosë fotografitë dhe veprat e rilindasve tonë qyshë nga Naim Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani e deri te Ndre Mjedja. Në kohët e fundit asht zbulue e sjellë nga shkrimtari Sandër Gera në muze tryeza e punës e Ndre Mjedës, ku poeti ka punue për një kohë të gjatë në fshatin Kukël.”

Ndre Mjeda, edhe pse ishte klerik, gjatë sistemit komunist ateist, u vlerësua për punën e tij intelektuale, e si atdhetar, prandaj Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Shkodrës, më 1 gusht të vitit 1962, në ndërtesën e tij në Kukël ngriti një dhomë muze për poetin Mjeda. Në dhomën e lyer me gëlqere, përveç ca fotografive dhe librave, në qendër të vëmendjes ishte tryeza e punës se Mjedës e sjellë nga Muzeu i Shkodrës. Përurimi i kësaj dhome muze kishte mbledhur nxënës të shkollave dhe fshatrave si Kukël, Barbullush e Bushat. Fjalën e rastit në këtë përurim e mbajti inspektori i arsimit Isa Alibali dhe më pas u zhvillua një program kulturor. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së poetit, në vitin 1966, dhoma Muze u kthye në “Shtëpi Muze Ndre Mjeda” sepse u rregulluan edhe dhomat e tjera të katit të sipërm, duke u zgjeruar gama e muzeut edhe me vegla pune të përdorura nga fshatarët, të sjellë prej Austrie nga poeti Mjeda.

Shtëpia Muze e Mjedës, e cila vizitohej rregullisht, sidomos nga shkollat, qe dëmtuar rëndë nga tërmeti i 15 prillit të vitit 1979, prandaj në janar dhe shkurt të vitit 1981, Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Shkodrës, me propozimin e Seksionit të Arsimit e të Kulturës, vendosi për restaurimin e Shtëpisë Muze. Pas punimeve që zhvilluan përgjatë një viti dhe rikthimit të objekteve nga Muzeu i Shkodrës, ku në qendër të vëmendjes ishte tryeza e poetit, si objekti më autentik e më me vlerë, më 22 nëntor 1982 u arrit të bëhej përurimi i Shtëpisë Muze të rikonstruktuar. Më këtë rast u punuan me porosi edhe dy vepra arti për Mjedën: portreti në vaj i punuar nga piktori Ismail Lulani dhe busti i mermertë,  punuar nga artisti Ferid Kola.

Agonia e tryezës së poetit
Ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipëri në vitin 1990-1991, përfshinë mjerisht edhe Shtëpinë Muze të poetit Mjeda, duke sjellë deri shpërbërjen e saj. Inventari, bashkë me to edhe tryeza e punës, u kthyen për ruajtje në Muzeun Historik në Shkodër. Por, për shkak të mospasjes të një ambienti të mjaftueshëm për ekspozim të tryezës, por edhe të gjendjes së keqe fizike të saj, ajo qe vendosur e ndarë në pjesë, në depot e muzeut, ku lagështira dhe dhëmbi i kohës e kishin dërmuar pothuajse krejtësisht objektin.

Më rastin e realizimit të filmit dokumentar, në vitin 2009, “Andrra e Jetës”, kushtuar poetit Ndre Mjeda, me producent Dom Nikë Ukgjini, skenat e xhiruara në shtëpinë dhe Kishën e Kuklit u realizuan duke iu vënë në dispozicion edhe tryeza e Mjedës, e cila me mirëkuptimin e punonjësve të muzeut, qe ngritur në këmbë në mënyrë provizore.
Me rastin e kremtimeve të “Ditëve të Mjedës” që do të organizohej nga 22 korrik dhe 27 korrik 2011, Dom Nikë Ukgjini shtron kërkesën që të sillej tryeza e poetit për tu ekspozuar në Kukël, e pastaj për ta dërguar për restaurim në Institutin e Monumenteve në Tiranë, por përgjigjja nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe zyrtarët e Muzeut Historik të Shkodrës qe negative. Për marrjen e tryezës për restaurim, në vitin 2012, qe angazhuar dhe Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, me urdhërin nr. 264, lëshuar me datën 25 korrik 2012, si dhe drejtori Rajonal i Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini. Ky urdhër i drejtohej  Bashkisë së Shkodrës dhe Muzeut Historik në Shkodër. Po për këtë çështje, Kryeipeshkvia Shkodër-Pult, bëri një shkresë që daton më 16 maj 2013, me të cilën i drejtohet Ministrisë së Kulturës dhe medias së shkruar, nëpërmjet të cilës kërkohej kthimi i tryezës në famullinë e Kuklit, si pronë kishtare, si dhe restaurimi i saj. Por, edhe përkundrejt këtyre shkresave, për shkak se në Ministrinë e Kulturës mbretëronte një anarki, çështja u zvarrit nga administrata e Ministrisë se Kulturës dhe qeverisja lokale e Shkodrës dhe Muzeu, deri me ardhjen në postin e Ministrit të Kulturës të poetit Visar Zhiti. Ai, në apelin e drejtorit të Muzeut “Ndre Mjeda”, Dom Nikë Ukgjinit, duke riaktivizuar urdhrin e Bumçit, arriti më 13 maj të vitit 2013 ta marrë tryezën nga Muzeu i Shkodrës, duke e dërguar për restaurim në Institutin e Monumenteve në Tiranë. Por, punës i duhej shkuar mbrapa. Kështu më 20 maj 2013, shkuam në Tiranë, për ta parë nga afër gjendjen e saj fizike, studiuesi Mentor Quku dhe unë ku dhe biseduam me specialistët e fushës për punën që duhet bërë, për ta rikthye tryezën në normalitet.

Odisea e tryezës mori rrugën e duhur me ardhjen në krye të Ministrisë së Kulturës të zonj. Mirela Kumbaro, e cila mori angazhimin për çuarjen përpara të çështjes së tryezës të poetit Mjeda. Meqenëse, për shkak të abuzimeve të ndodhura në kohën e administratës së mëparshme, në Institutin e Monumenteve mungonin fondet për materialet restauruese, mora përsipër sigurimin e tyre, kështu që në muajin korrik të vitit 2013 filluan punimet restauruese të tryezës në fjalë.

Nga meraku që punët të ecnin përpara, për çdo muaj vizitonin së bashku më Mentor Qukun, laboratorin e IMK në Tiranë njëkohësisht kemi diskutuar mbi peripecitë e tryezës së Mjedës edhe me Zv. Ministrin e Kulturës, z. Zef Çuni, i cili pati një angazhim të vyer rreth çështjes në fjalë.

Projekti restaurues i tryezës dhe  gjendja e konservimit
Projekti restaurues është bërë nga specialistët: Genci Treska dhe Gentian Vokopola. Tryeza  mban nr. kartele 464, nr. objekti 24431 dhe është e fundshekullit. XIX, e kulurës perëndimore. Ajo është prodhim industrial, e punuar me dorë me teknikën e gdhendjes. Përmasat e saj janë: lartësia: 88 cm, gjatësia: 127.5 cm, gjerësia: 65.5 cm. Materiali i përdorur është dru bredhi dhe rimeso arre. Bien në sy elementet e gdhendur të paraqitura në pjesën fundore të këmbëve, në këndet e tavolinës dhe në ballin e saj. Gdhendja paraqitet e ceket e me motive floreale. Këmbët e tryezës janë të punuara në torno në forma të rrumbullakosuara, ndërsa sirtarët paraqiten të korrnizuara me fileto ornamentike. Në pjesën e sipërme bien në sy dy parmakë të mbështetur në pjesët anësore të tryezës më nëntë koloneta të vogla të tornuara. Sipërfaqja e tryezës është tonuar me boje arre dhe e vernikosur me gomallate.

Sipas specialistëve në fjalë gjendja e tryezës paraqitej tejet e dëmtuar. Tryeza paraqitet në shumë pjesë të ndara si nga dora e njeriut ashtu dhe nga shpërbërja e faktorit kohë. Vërehen mungesa të pjesëshme dhe totale të pjesëve funksionale ( 2 sirtaret, fileto dekorative etj.), të tryezës si dhe mungesës së elementëve konstruktive të saj. Në përgjithësi druri është shumë i dëmtuar ku vërehen çarje, ndarje, deformime të elementeve të syprinës, depozitim sipërfaqësor (pluhura), sulm i insekteve ksilofage, sulm i faktorit biologjik (myk) dhe si pasojë e prezencës së lagështirës kemi shkëputje të rimesos nga suporti i drurit të bredhit dhe në disa zona vërehet mungesa e saj.

Kthimi i tryezës në vendin e origjinës në Kukël
Pas një përkushtimi disamujorë në restaurimin e tavolinës së poetit Ndre Mjeda, puna ka përfunduar më 20 nëntor të vitit 2013. Të nesërmen, më 21 nëntor, tryeza në gjendje të shkëlqyer u rikthye në vendin e origjinës, në Kukël, pas një odiseje 23 vjeçare shkatërrimi në Muzeun Historik të Shkodrës. Ekspozimi i saj në Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda” përkoi me vitin jubilar të 100 vjetorit të ndërtimit të Kishës së Kuklit dhe 147-vjetorit të lindjes së Mjedës, që u kremtua solemnisht më 23 nëntor të këtij viti. Ardhja e tryezës dhe sistemimi i saj pikërisht në dhomën ku ajo dhe poeti pandashmërisht kishin kaluar 30 vite së bashku, solli emocione të posaçme për shumë vizitorë: poetë, shkrimtarë, studiues, artistë, politikanë e deri tek njerëzit e thjeshtë nga trevat shqiptare, të cilët vërshuan dhe vizituan Qendrën e Poetit Mjeda.
Ndjesi të veçantë u përjetuan sidomos me rastin e inaugurimit të Shtëpisë Muze të restauruar më 18 tetor 2014, ku nëqendër të vëmendjes të të gjithëve, e sidomos të Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, spikaste tryeza e dom Ndreut. Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, e shpallur Monument Kulture më 16 dhjetor 2011 nga Aldo Bumçi, dhe njohja zyrtare e Muzeut “Ndre Mjeda” nga Ministria e Kulturës më 16 tetor 2015, i kanë dhënë një vlerë të veçantë tryezës së restauruar të poetit Mjeda.

Përfundimi
Të gjitha veprimtaritë studimore për Mjedën kanë vlerat e tyre, por ato nuk arritën të tërheqin mendimin shkencor në masën që meritonte jeta dhe vepra e Mjedës. Kemi të bëjmë me një person që zotëronte energji të pashtershme, që luftoi në forma të ndryshme gjithë jetën për edukimin e njeriut dhe lirinë e atdheut. Mjeda, sipas studiuesit Mentor Quku, qe një guximtar dhe rrënues kornizash i cili shkoi me vetëdije drejt caqeve të panjohura dhe të paralajmëruara, drejt rreziqeve, drejt te vërtetave, për të cilat qe i gatshëm të paguante çmim. Të gjitha këto së bashku të nxisin që ta promovosh veprën e tij, punën intelektuale dhe atë materiale si: Kisha e shtëpia e tij e banimit në Kukël dhe tryeza më të cilën ai është shoqëruar që nga ardhja e tij në vitin 1906 në Kukël apo dhe më parë kur ishte famullitar në Vig apo Dajç të Zadrimës. Prandaj këto objekte, tashme të restaurua, më vlerë historike dhe artistike, kërkojnë sot një respekt dhe një vëmendje më të madhe nga shoqëria shqiptare.
 
*) Drejtor i Qendres Muzeore “Ndre Mjeda”, Kukel-Bushat

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre