Partia më e madhe e qeverisë, PD, e ka shprehur synimin e saj për një mandat të tretë, me çdo kusht dhe mjet, pa dilema dhe pa droje morale apo etike. Më 2009 ajo zgjodhi LSI si partner kryesor për të krijuar dhe mbetur në qeveri, më 2011 ajo zgjodhi Partinë Komuniste ai aleate për të fituar Bashkinë e Tiranës dhe tani, kur tetë vitet e pushtetit janë në ikje dhe bilanc negativ, po kërkon skema të reja a(morale) për të mbetur në pushtet.

Dy ditët e fundit tre deputetë të PD, një nga të cilët është eksponent kryesor në ekipin drejtues të saj, mbështetën në media idenë e një koalicioni të madh paszgjedhor midis PD dhe PS. Alibia mbetet e njëjtë si më 2009: për hir të interesave të qytetarëve dhe të vendit.

Që në Shqipëri të ketë bashkëqeverisje midis PD e PS jemi mësuar disa herë gjatë tranzicionit. më 1991 dy palët krijuan qeveri të përbashkët, më 1992 qeveria teknike ishte fryt i përbashkët, me 1997 dy palët përsëri sollën në jetë koalicionin e madh, më 1998 perëndimi dhe Kosova imponuan disa muaj paqe, më 2002 dy palët patën 6-7 muaj mjalti në bashkëqeverisje, më 2008 dy palët ndryshuan së bashku kushtetutën dhe sistemin politik.

Kanë qenë së bashku sa herë bëhet fjalë për interesa politike të ditës, gjatë hartimit dhe miratimit të Kodeve Zgjedhore, gjatë ndarjes së vendeve në KKRT apo në Bankën e Shqipërisë, gjatë ndarjes mes tyre të lejeve të ndërtimit për pallatet e reja në sheshin “Skënderbej”, në amnistimin e politikanëve përgjegjës për ngjarjet e vitit 1991, 1997 si dhe në amnistinë e fundit për të mbyllur përgjithmonë hetimet për politikanët e përfshirë në tragjedinë e Gërdecit dhe në ngjarjet e 21 janarit.

Në 22 vite PS ka qëndruar 10 vjet në pushtet, nga të cilët shtatë vite i përkasin dy kryeministrave të së majtës që bëjnë pjesë në koalicionin e sotëm të qeverisë, Nano e Meta.

Tre ministra aktualë të së djathtës kanë qenë ministra apo funksionarë të lartë në rang ministror edhe gjatë qeverisjes së majtë, siç të tjerë politikanë mbijetuan përmes sponsorizimit indirekt të së majtës. P.sh, zonja Topalli ishte zv/kryetare parlamenti gjatë viteve 1997-2005 e zgjedhur nga shumica socialiste në konkurrimin e saj me Pjetër Arbrorin.

Një nga deputetet më aktivë sot e nisi karrierën si zyrtare e lartë politike e kryeministrit Majko më 1998, siç pjesa më radikale e grupit parlamentar i përket karrierave personale e familjare të mesme ose të larta gjatë regjimit komunist. Në koalicionin qeverisës bëjnë pjesë edhe parti si PAA, të cilat drejtohen nga deputetë të ish Partisë së Punës, figura historike të së majtës, madje me lidhje të forta edhe me sistemin e kaluar.

Në diplomacinë e djathtë bëjnë pjesë tre kandidatë apo anëtarë të KQ të PPSH, kurse zyrtarët më të fuqishëm në administrimin publik të PD-së janë ish sekretarë rinie, kandidatë të Bashkimit të Rinisë më 1991, militantë të shoqatës Vullnetarët e Enverit, personat e vetëm të cilëve u janë hapur dosjet për shërbime në sigurimin e shtetit janë zyrtarë drejtues në kryeministri apo kandidatë të qeverisë për postet më të larta drejtuese të shtetit.

Ky bilanc real nuk cenon dhe as komprometon nevojën për një bashkëpunim institucional dhe logjik midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri. Në çdo vend ish komunist ku reformat kanë qenë të suksesshme një nga bazat e suksesit ka qenë konsensusi i gjerë politik në reformat kushtetuese, në çështjet e pronësisë, drejtësisë, privatizimit, integrimit dhe interesave kombëtare.

Tek ne konsensusi i vetëm në këto fusha u shënua më 1991, midis PD dhe PPSH për çështjet e pronësisë, ligj që nuk zgjidhi, përkundrazi e komplikoi edhe më shumë këtë çështje themelore për zhvillimin ekonomik të vendit. Bashkëpunimi institucional kërkon dialog dhe marrëveshje për gjërat themelore që lidhen me shtetin, qytetarët dhe shoqërinë.

Ato bëhen transparente, marrin mbështetje publike dhe kthehen në norma kushtetuese. Modeli shqiptar i deritanishëm është i kundërt: palët kanë bashkëpunuar vetëm në raste ekstreme, kryesisht për nevoja mbijetese në politikë, ose për qëllime fitimi ekonomik&politik, ndërsa kanë kontestuar njëra tjetrën edhe në ngjarje me rëndësi për shtetin, siç janë rastet e miratimit të kushtetutës, luftën e Kosovës apo procesin integrues.

Apeli i SHBA dhe BE për reforma serioze dhe gjithëpërfshirëse periodikisht ka rënë në vesh të shurdhër, ndaj edhe sot shumica e sfidave të politikës dhe shtetit shqiptar janë ende të papërmbushura.
Paradoksi më i madh është se ndërsa de facto palët janë dakord për interesa ditore, retorika publike e tyre është e ashpër, përjashtuese dhe denigruese.

Kryeministri flet për 50% të shqiptarëve që përfaqësojnë opozitën si e keqja e vendit, fton qytetarët të rrëzojnë fëmijët si prindërit e tyre 22 vjet më parë, thotë se ata janë kërcënimi i të ardhmes së vendit dhe premton t’i mundë, t’i shkatërrojë dhe ta çlirojë Shqipërinë prej tyre.

Nga ana tjetër edhe vetë opozita e majtë bën thuajse të njëjtën gjë, në stil e formë më të ndryshme. Mjafton të kujtojmë humbjen e shanseve të integrimit më 1996, 2002 dhe 2010-2012 apo rreth 3 mijë qytetarë që humbën jetën më 1997 për të lexuar bilancin shkatërrimtar të këtij konflikti absurd dhe joparimor.

Edhe tani në prag të fushatës elektorale dy palët janë në luftë “ballë për ballë” duke ndarë qytetarët dhe shoqërinë, kur në fakt, tej fasadës, dalin në jetë skenarë kompromentues, të cilat flasin se gjithçka ndodh është thjesht një lojë e radhës, dhe se palët janë të gatshme të merren vesh në çdo kohë dhe për gjithçka tjetër, përveç nevojave publike dhe interesave madhore të vendit.

PD nga njëra anë premton ta mundë PS si më 1992 dhe nga ana tjetër jep garanci për ofertën e një koalicioni të madh me PS pas zgjedhjeve. PS nuk e refuzon ofertën e saj, dhe duke premtuar fitore, është e gatshme të marrë pjesën e majtë të korrupsionit të qeverisë në aleanca para e paszgjedhore.


PD ka sloganin e ecjes përpara, se ajo është ndryshimi, dhe jashtë çdo sjellje morale e politike kërkon me çdo mjet të vijojë në pushtet, në aleancë me ish kryeministrat e majtë, me komunistët e Hoxhës dhe me socialistët e Ramës. Nuk kanë rëndësi parimet, identiteti, moraliteti dhe as përgjegjësia qytetare, nuk kanë rëndësi as premtimet, retorika, programi e statuti, - gjithçka ka rëndësi është pushteti, me çdo mjet dhe me çdo kusht.

PD ka refuzuar modelet morale të Merkel në Hanover apo të Berluskonit në Itali, madje edhe atë të LDK në Kosovë apo kryeministrit në ikje në Bullgari. Ajo ka zgjedhur rrugën unike, të pashembullt në një kontinent vlerash: ofertat amorale, të cilat në gojën, stilin dhe metamorfozën e saj shiten si zgjidhje morale për qytetarët.

Tri janë arsyet kryesore të këtij degradimi moral: mosha natyrale në ikje e kryetarit të saj, pamundësia e tij për rikthim pas humbjes; humbja tërësisht e identitetit politik dhe shndërrimi i forcës politike në kompani fitimi ekonomik, e vetmja parti në botë që ka në kryesi drejtor hipotekash, legalizimesh dhe burgjesh; dhe e treta, mentaliteti parademokratik në atë parti, pa respekt për votën dhe fjalën, pa respekt për shtetin, institucionet dhe qytetarët, në babëzi dhe bindje të marrë mesjetare se e drejta e pushtetit nuk është përgjegjësi periodike, por dhuratë e zotit që nuk negocionet, rinovohet dhe as vihet në dyshim.

Në një vend të korruptuar në çdo segment vendimmarrës të tij, pa elita serioze dhe qytetarë aktivë në mbrojtje të parimeve ku besojnë, me vota që trafikohen me standardet e domateve të tregut, me një pakicë që sundon dhe shumicë të nënshtruar, me lobe politike e biznesi që kontrollojnë jetën publike e private dhe me parti të mbyllura që drejtojnë shtetin, ofertat amorale nuk përbëjnë lajm.

Ato shihen dhe shiten si aftësi politike ku fiton më i forti, më i pasuri, më i afti për pazare dhe më i gatshmi për të ndarë torta pushteti. Ky mjedis pashallëku qesh e përqesh të urtin, të aftin, qytetarin e politikanin me dinjitet, personalitet dhe kurajë për tu distancuar nga ofertat moçalore të pushtetit. 2013 nis shekullin e ri shqiptar, shumë për një bashkësi demokratike dhe pak për një tokë sundimtarësh mesjetarë.

Tej shpresës për ndryshim, për ringritje dhe për kthesë historike kjo ende mbetet Shqipëria e tranzicionit, një shoqëri në rënie morale, ku dominon frika, frika nga pushteti dhe frika për humbjen e pushtetit, - të dyja tipare penalizuese për projektin dhe nevojën e madhe për një shoqëri qytetare në moral, identitet e sjelle politike, për një Shqipëri vërtetë demokratike, të zhvilluar dhe të integruar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)