TIRANE-Operacioni Forcat e Ligjit u ka dërguar formularin për vetëdeklarimin e pasurisë 4 individëve në Shkodër, dy vëllezërve Lici, që janë djemtë e Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe dy vëllezërve të tjerë, Bledar e Gëzim Cafi. Ibrahim Lici ka qenë i arrestuar së bashku me vëllanë e tij, Muhamed Lici në mars të 2017 pasi akuzoheshin se drejtonin një grup që u vendosnin gjoba tregtarëve të Zdrales në Shkodër.

Muhamed Lici u dënua me burg dhe më pas doli kur përfundoi dënimin, ndërsa gjykata e la të lirë Ibrahim Licin, i cili aktualisht është në kërkim për t'u pyetur në lidhje me rrethnat e ngjarjes në atentatin e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali më 30 mars 2019.

Ibrahim Lici nuk është person në hetim. Ai është thirrur vetëm në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Pra është vetëm në kërkim policor, përgjigjja që prokuroria i ka dhënë avokatit Sajmir Visha, tregon se nuk është person në hetim për vrasjen e vëllezërve Bilali.

Gjithashtu edhe dy vëllezërit e tjerë, Bledar e Gëzim Cafi janë të njohur në kryeqendrën e veriut, por jo vetëm, pasi për disa ngjarje kriminale Gëzim Cafi është kapur dhe dënuar në Francë. Bledar Cafi është i njohur edhe si i forti i Shkodrës.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL deklaron se është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

Ibrahim Lici dhe Muhamet Lici