OKB: Kultivimi i opiumit më i larti që nga 1930-ta

/ATSH-AFP/ - Kultivimi botëror i opiumit mund të arrijë nivelin më të lartë që prej viteve '30 të shekullit të kaluar për shkak të një rritjeje shumë të madhe të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike në Afganistan, deklaroi sot zyra e OKB-së kundër drogës dhe krimit (ONUDC) në raportin vjetor.
"Ky fenomen shfaqet me një rritje të dukshme të konsumit të heroinës në botë, që nga Shtetet e Bashkuara në Kinë, ndërkohë që kjo drogë ka patur një rënie të ndjeshme rreth 20 vjet më parë", vëren agjencia.
"Prodhimi i opiumit, nga i cili nxirret heroina, është rritur më shumë se dy herë gjatë dy vjetëve për të arritur në 7 554 tonë në 2014-n", thekson ONUDC-ja.
Shkaktari kryesor i kësaj rritjeje është Afganistani, që siguron 85 për qind të prodhimit botëror dhe ku kultura e lulëkuqes së opiumit është rritur shtatë për qind vitin e kaluar, për të arritur në 224 000 hektarë, ndërkohë që pjesë gjithmonë e më të mëdha të territorit nuk kontrollohen nga qeveria qendrore.
"Me këtë rritje, sipërfaqet e kultivuara me lulëkuqe kanë arritur tashmë 310 900 hektarë në të gjithë botën gjatë vitit 2014, një nivel i paparë që prej fundit të viteve 1930", ngre shqetësimin kjo zyrë e OKB-së.
"Pasoja e kësaj rritjeje të ofertës është e ndjeshme për konsumatorët në Azi, të cilët tërheqin dy të tretat e produkteve të opiumit në botë, si dhe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", thekson ONUDC-ja.
"Në SHBA numri i vdekjeve lidhur me heroinën po rritet dhe disa tregues sugjerojnë që heroina është e pranishme në sasi më të mëdha dhe në tregjet më të mira", thekson Angela Me, koordinatorja e rapportit.
"Në këtë vend, numri i vdekjeve nga mbidoza lidhur me heroinën ka patur një rritje të bujshme prej rreth 40 për qind brenda dy vjetëve, duke arritur në 8 257 vdekje në 2014-ën, e paprecedentë gjatë këtyre 10 vjetëve të fundit", shton zyra.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kërkohet hetim ndërkombëtar për masakrën Cetinjës