Sipas të dhënave të UNODC, në vitin 2009 rreth 60 ton heroinë me një vlerë tregu prej 13 miliardë dollarësh, u shpërnda përmes Europës juglindore. Në këtë trafik vendi ynë luan një rol të rëndësishëm dhe për këtë Fedotov ka shprehur shqetësimet e tij në Tiranë, shqetësime për të cilat në njoftimet për shtyp të institucioneve shqiptare mbi takimet e zhvilluara është heshtur rreptësisht.
“Ne kërkojmë bashkëpunim të ngushtë me vendet e zinxhirit të heroinës. Duhet të vështirësojmë arteriet e trafikut ilegal të drogës prej të cilit grupet e organizuara kriminale në Ballkan përfitojnë rreth 2 miliardë dollarë në vit”, ka thënë Fedotov në Tiranë.
Fedotov njoftoi dhe UNODC do të vendosë qendra operacionale për Programin e Kontrollit të Konteinerëve në portin e Durrësit në Shqipëri dhe atë të Bar-it në Mal të Zi, për të përforcuar kontrollet në këto mjete transporti që mendohet se përdoren për të shpërndarë drogën nga Afganistani si dhe materiale të tjera të paligjshme.
Gjatë vizitës në Tiranë, Fedotov është njohur me përpjekjet që Shqipëria ka bërë deri tani për të luftuar trafiqet e paligjshme dhe krimin e organizuar, thuhet në njoftimin e UNODC.
(im/shqiptarja.com)