Olen Cesari, një mbrëmje magjike për 30 vitet e miqësisë italo-shqiptare (VIDEO)

Ky artist që po i bie violinës, i mbështjellë me këtë shpërthim eksploziv tingujsh, kur ishte në moshën 5-vjeçare ishte cilësuar si fëmija “gjeni” në violinë.

Kur hesht violina ai shpërthen në të qeshura. Me humorin që  e karakterizon, gjithnjë e prezanton veten:

“Unë jam Olen Cesari artist shqiptar nga Roma e Italisë....”

Olen Cesari në Shqipëri mbolli farën e talentit. Në moshën 7-vjeçare dha një koncert virtuoz, e tre vjet më vonë, kur ishte vetëm 10 vjeç ai do të korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve.

Edhe pse ishte i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë, Olen Cesari arriti ta mbaronte të gjithë programin e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për violinë.

E pyes nënën e Olenit, Lavdije Cesari, për kujtimet e fëmijërisë së tij, në çfarë situate po ndodhej ajo, një nënë e re mësuese violine, teksa shihte që djali i saj po shfaqte talent të vetvetishëm.

“Oleni ka studiuar shumë, por jo dhe shumë-shumë, sepse ka të tjerë që kanë studiuar edhe më shumë, por në këtë mes hyn në punë edhe talenti, që të studiosh e të japësh pastaj rezultatin e duhur. Kush nuk e ka talentin, sado të studiojë nuk mundet ta japë maksimumin. Dhe ai ndonjëherë kur ishte i vogël mundohej ta shmangte orarin e studimit, por unë isha një nënë rigoroze dhe nuk ia falja orarin e studimit. I thosha, jooo, nga kjo orë tek kjo orë do bësh violinë dhe pikë. Ai ikte ndonjëherë gjysmë ore para të luante me shokët dhe unë i thërrisja: Eja këtu! Mbaro studimin, dhe pastaj ik e luaj.  Dhe ai e ka bërë punën  e vet me korrektesë, por sigurisht ka qenë edhe insistimi im si nënë, si profesoreshë dhe kjo ka qenë  shumë e nevojshme.” – tha ajo.

E pyes nënën e Olen Cesarit nëse e mban mend momentin e parë kur i ka thënë vetes: Po im bir është i talentuar.

“Po e mbaj mend shumë mirë kur unë mora një decizionin që Oleni do të vazhdojë studimet për violinë. Mësimet e violinës unë ia kisha filluar si shumë nxënësve të mitë që u jepja mësim në shkollë të mesme edhe thashë kur e mësojnë të gjithë, le të mësoj edhe ky violinë, ta ketë për qejfin e vet. Pastaj kur e pashë që ishte aq i talentuar, jo thashë, ky do të bëhet violinist dhe pikë”, -shprehet e lumtur nëna e Olen Cesarit, Lavdija.    

Në karakterin e vet, Olen Cesari ruan si pasuri të gjenisë së tij një dëlirësi fëmijërore. E pyes nënën e tij, nëse ka bërë ndonjë prapësi kur ai ishte i vogël.

“Po ka bërë edhe prapësi, sepse kishte një energji të pashtershme. Por nga ana tjetër, kjo energji ka bërë që e gjitha tashmë të kthehet në muzikë. Ai kompozon. Ka bërë muzikë filmash. Ka bërë gjëra shumë të bukura, ka bërë disqe. Tani presim që të dalë në treg një disk i ri”, thotë Lavdije Cesari.  

Violinistin e lindur me shenjën e gjeniut, në vitet ‘90 shteti shqiptar e  dërgoi në Romë të vazhdonte studimet. I mirëpritur dhe i edukuar më tej me mjeshtrit dhe artistët italianë, Olen Cesari si ndali sfidat: në moshën 18-vjeçare kishte mbaruar 3 konservatorë, një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri.

Në Itali  jeton prej 30 vitesh së bashku me familjen.

Dhe ja shtëpia e tij e dytë Italia ka surpriza dhe lajme të bukura për artistin shqiptar: Olen Cesari dekorohet nga presidenti i Italisë Sergio Mattarella me titullin “Komendator i Urdhrit të Yllit të Italisë”. 

Dekorata iu dorëzua artistit shqiptar nga ambasadori i Italisë në Tiranë Fabricio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomate si ambasadorja amerikane Juri Kim, ministrja e Kulturës Elva Margariti, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj,  Parlamentin Elisa Spiropali, etj Inva Mula, Kastriot Tusha, Mirush Kabashi, Marsela Cibukaj, etj.

Ambasadori i Italisë z. Bucci u shpreh i kënaqur që Olen Cesari është një artist italo- shqiptar i nivelit botëror dhe kujtoi se prej vitesh në Itali jetojnë dhjetëra artistë shqiptarë që u edukuan bashkë me artistët italianë dhe janë sot të nivelit më të lartë europian.

“Olen Cesari beson tek muzika si një mjet universal për paqe, miqësi, vëllazëri midis popujve dhe i ka përcjellë këto mesazhe me kulturën dhe dashurinë për Italinë, atdheun formues dhe adoptiv të tij që konfirmon në vazhdimësi me projektet kulturore e sociale, tezën për përhapjen e modelit të integrimit shqiptar në Itali. Për të gjitha këto motive, presidenti i Italisë Sergio Matarella i jep dekoratën "Komendador i Urdhrit të Yllit të Italisë". - tha ambasadori Fabrizio Bucci.

“Me shumë krenari dhe mirënjohje e pranoj këtë nderim nga presidenti i Republikës së Italisë Sergio Matarella, shumë i dashur edhe për shqiptarët këtu. Dhe e falënderoj nga thellësia e zemrës që më nderoi me këtë medalje që do ta mbaj me kujdes përgjithmonë në kujtesën time. Me mirënjohje do t’ia dedikoj mësueses time të violinës dhe të jetës, nënës time.”, tha violinisti Olen Cesari.

Ka qenë një nga festat më të bukura italo-shqiptare në rezidencën e ambasadës italiane në Tiranë.

Përveçse instrumentist e kompozitor, Olen Cesari shfaqet tashmë edhe si moderator ekselent skenash. Ai improvizon aty për aty një koncert të vogël.

Këtë herë e ka të thjeshtë, artistët e talentuar shqiptarë janë mbledhur pikërisht për të në këtë mbrëmje të gëzuar italo-shqiptare.

Me sopranon Inva Mula e bashkon një fill i përbashkët suksesi në skenat italiane pas rënies së murit ndarës të komunizmit.

Inva dhe Oleni  depërtojnë në nostalgjinë e ëmbël të këngëve napolitane, aty ku opera ka edhe origjinën e vet.

Inva Mula thotë se: “Oleni është tashmë një institucion i kulturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Ai është shtegtari më i madh i muzikës dhe kulturës italiane kudo në botë, ndaj e  meriton këtë titull.”

Me këngëtaren Marsela Çibukaj si dy moderatorë të sprovuar japin emocione të bukura

Muzika është një gjuhë ndërkombëtare dhe mendoj se Oleni ka ditur ta përdor mirë këtë pasaportë ndërkombëtare, të krijojë ura bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme, midis  pikëpamjeve të ndryshme artistike. Ai e krijon këtë urë komunikimi kaq harmonioze sa të bëjë sikur italianët kanë qenë këtu prej qindra vjetësh dhe ne kemi qenë në Itali për më shumë se 30 vjetësh dh kjo është magjia e muzikës dhe magjia e muzikantëve të mëdhenj, siç është Olen Cesari.”-thotë Marsela Çibukaj.

Olen Cesari e do shumë aktorin e njohur Mirush Kabashi, dhe ai nuk ia kursen surprizat. Pas dy recitimeve të autorëve italianë, reciton në italisht edhe poezinë satirike “Kali dhe gomari” të Dritëro Agollit.

Me ambasadorin Fabricio Buci, dikur ushtarak karriere, i duhet të përdor “strategji” që ta përfshijë në pasionin e këngës. Ata nisin të këndojnë së bashku.

Olen Cesari është i dashur me të gjithë, po në këtë natë nga maja ku ai ka arritur i përulet nënës. Nuk dihet sesi janë ngërthyer tek i njëjti person, tek nëna e Olenit zemërbutësia dhe rreptësia.  

“Me Olenin kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi” -thotë nëna e tij.

Por unë e pyes për një pikë delikate, që e di mirë se ka pasur debat me të birin: Kur e ndërroi violinën  e tij të drurit me atë prej qelqi, e keni pasur problem?

Aty shfaqet tek ajo spektri i maestros së violinës.....

“Mos e pyet. Nuk kemi folur me njëri-tjetrin pothuaj një muaj të tërë. Një ditë ai më thotë: - Mama do të vish në Paris se kam organizuar një koncert.

-Nuk vij, -i thashë. Nuk të shoh dot të luash në atë violinë. Sepse unë gjithnjë kam synuar mësimin e muzikës klasike. Nuk kam qenë dakord për disa nga rrymat moderne, e sidomos për instrumentin. Ik, shko vetë, me atë violinë unë nuk të dëgjoj.

-Jo ti do të vish në koncert e do rish tek radha e parë, tha. Bëri ç’bëri dhe më mori.

Vajtëm në Paris. Kur pashë atje që jo vetëm që salla ishte mbushur plot, por edhe aq sa ishin ulur ishin edhe në këmbë dhe duartrokisnin aq me entuziazëm, sa atëherë e mbylla gojën dhe i thashë: Atëherë vazhdo rrugën tënde!”, rrëfen nëna e Olen Cesarit.

Olen Cesari i ka pushtuar me koncerte dhe suksese të gjitha skenat e teatrove prestigjiozë të botës në të gjitha kontinentet, nga Franca në Brazil, tashmë me një violinë qelqi.

E pyes Olenin sesi është ndier kur mori vesh që do të dekorohej nga Presidenti i Italisë, pikërisht i atij vendi që është zemra e artit dhe e kulturës, që ka aq shumë artistë të shkëlqyer italianë dhe shqiptarë.

Oleni të rrëmben me humorin e vet, dhe të detyron qe edhe pyetjen t’ia bësh me nota humori

Si ia ke “prishur” mendjen presidentit italian që të zgjodhi ty për të të dekoruar, e pyes.

“Nuk e di si ka ndodhur kjo gjë. Është një arritje  e jetës që kur të vjen e merr dhe jam shumë i lumtur, dhe sot u emocionova edhe më shumë, sepse nuk jam mësuar të flas e të dëgjoj se çfarë kam bërë, i bëj, i dëgjoj dhe pikë mbaroi. Kurse kur të nderojnë me një titull kaq të madh hutohesh.”, thotë Olen Cesari.

Nëna dhe njëherësh mësuesja  tij e violinës Lavdije Cesari thotë:  

'Jam shumë e lumtur për të gjitha ato koncerte që bën djali im dita-ditës dhe kjo dekoratë është një vlerësim për një punë të madhe dhe jam e gëzuar mbi të gjitha që kjo dekoratë është dhënë nga presidenti i Republikës Italiane.'-thotë ajo.

E pyes Olenin se çfarë ke bërë ti në thelb për Italinë.

“Epo si të them... deri tani jemi tek kuota 4000 mijë koncerte në Itali, 7 vjet koncerte për shtetin italian nëpër misionet italiane nëpër botë. Pra, është Italia që vendos pse u jep dekorata shtetasve të vetë, nuk e kam unë ne dorë, por fal Zotit erdhi. Është shumë e bukur dhe do ta mbaj në një vend të veçantë në zemrën time dhe ne memoriet e mia”, -shprehet i lumtur Olen Cesari.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë