Opozita ia ka atrubuar mbështetjen politike të biznesmenëve dhe sipërmarrësve të vendit Partisë Socialiste, por faktet e publikuara sot nga hetimet e SPAK tregojnë se të ashtuquajturit oligarkë janë pozicionuar ndër vite edhe pranë opozitës. Një rast i tillë është ai i biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pronar i kompanisë Gener 2 dhe financues i hershëm i familjes së Sali Berisha, të cilit zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i bëri ‘nderin e jetës’ duke i dhënë koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar. 

Për këtë çështje u diskutua në emisionin Studio Live në Report TV, me kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe analistin Fatmir Merkoci.

Sipas Ndokës,oligarkët janë produkt i një sistemi politik pa ligj e konkurrencë, ku pushteti i ka përdorur dhe drejtuar ata ndër vite përmes pazareve korruptive, duke shkatërruar konkurrencën dhe duke bërë pis politikën.

“Oligarkët janë në të drejtën e tyre. Fatkeqësisht, politika shqiptare i ka detyruar ata. Kur nuk ka standard, kur nuk funksionon ligji dhe konkurrenca, dhe kur kryeministri është ai që cakton radhën e oligarkëve përmes aferave korruptive, politika bëhet e pistë. Por për hir të realitetit, nën qeverisjen e Edi Rama ka pasur një çoroditje të organizuar, sepse ai i drejtonte oligarkët, i thërriste në takime dhe bënte pazare me ta. Kjo krijoi një klimë jo optimale edhe për vetë biznesin, sepse u prish konkurrenca. Janë 10–15 persona që marrin tendera nga qeveria dhe pushteti vendor, ndërsa të tjerët e kanë të pamundur të konkurrojnë me këto rregulla loje,” tha Ndoka.

I pyetur nëse kjo kulturë është trashëguar në Shqipëri, veçanërisht nga Partia Demokratike, Ndoka u shpreh se historikisht oligarkët kanë gëzuar privilegje nga politika.

“Ajo që u kthye në gangrenë ishte keqpërdorimi i oligarkëve, të cilët janë përdorur për fushata elektorale, sponsorizime dhe marrëveshje informale, duke mundësuar mbajtjen dhe forcimin e pushtetit, si për Partinë Socialiste, ashtu edhe për Partinë Demokratike. Secili oligark e ka parë të udhës të japë dy thasë nga njëra anë dhe gjysmë thesi nga ana tjetër. Ky ka qenë standardi kriminal në Shqipëri. Kur këta ndërhyjnë në politikë përmes financimit, mbështetjes dhe organizimit të strukturave të armatosura, bëhen shumë të rrezikshëm për jetën demokratike,” u shpreh ai.

Njësoj mendon edhe analisti Fatmir MerkoçI sipas të cilit fenomeni i oligarkëve të lidhur me partitë politike ka qenë gjithmonë i pranishëm në vend.

“E keqja nuk vjen brenda ditës, por hap pas hapi. Të gjithë këta oligarkë që sot konsiderohen të Ramës, dikur kanë qenë të Berishës. Janë oligarkë që financojnë të dyja krahët. Nuk ka rëndësi nëse dikujt i japin më pak apo më shumë; ata investojnë për ta pasur politikën nën kontroll. Për ta nuk ka rëndësi kush fiton,” tha Merkoci.

Sipas tij, Shqipëria është një rast unik, ku brenda 30 vitesh individë janë kthyer në miliarderë falë lidhjeve politike.

“Pas oligarkëve që marrin pasurinë kombëtare qëndron gjithmonë mbështetja politike,” u shpreh ai.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:35
Protesta e 22 Dhjetorit, Ndoka: Solli shpresë! Merkoçi: Gënjeni veten, Ramën e largojnë amerikanët!

Aftësitë e opozitës për të mbledhur njerëzit në shesh kundër kryeministrit Edi Rama nxitën debate të forta në Studio Live në Report TV, teksa Nard Ndoka dhe Fatmir Merkoçi analizuan protestën e 22 dhjetorit të Partisë Demokratike. Analisti Merkoçi insistoi se bëhet fjalë për një miting ku ishin mbledhur militantë të PD-së. por ndryshe mendon Nard Ndoka, sipas të cilit protesta politike e PD-së ishte e madhe. “Por i mungonte kauza” argumentoi Merkoçi. “Mua më intereson çfarë përcjell protesta tek qytetarët, jo që të gënjeni veten tuaj”, replikoi ai. Megjithatë, për Ndokën, protestat e opozitës kanë shënuar pjesëmarrje në rritje dhe u bënë lajm ndërkombëtar.

“Ky ishte testi i parë që opozita e kaloi me sukses Nuk mund të pretendohet që do të rrëzosh Ramën që në protestën e parë. Goditja e parë ndaj Ramës ishte ekzemplare. Është e pamjaftueshme, por ishte një shpresë shumë e madhe. Sepse nëse do të vazhdonim me ato foltoret skandaloze me 300 vetë, do të ishte një imazh shumë regresiv për opozitën”, tha Ndoka.

Ai përsëriti kërkesën e opozitës për një qeveri teknike, por Merkoçi insistoi që “PD nuk e ka konceptin e qeverisë teknike.”

“Janë mbledhur tek ajo guacka e vet, lavdërojnë njëri tjetrin dhe mendojnë se populli i mbështet. Jo zotëri! Nuk kishte kauzë, alternativë apo zgjidhje!”, tha Merkoçi, duke insistuar që PD nuk është e djathtë dhe aq më pak konservatore. Sipas tij, opozita nuk do të arrijë ta largojë Ramën nga pushtetit. “Ramën e largojnë amerikanët, jo opozita”, tha ai.

Ora 19:10
‘PD nuk proteston për të rrëzuar Ramën’, Merkoçi për Report TV: Dëshiron të faktorizohet. Nuk ka kredo politike!

Analisti politik Fatmir Merkoçi ka kritikuar ashpër qëndrimin e opozitës lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Duke u ndalur te roli i Komisionit të Mandateve dhe zhvillimet e fundit në lidhje me heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Merkoçi argumentoi se opozita duhej të kishte një qëndrim më të qartë për këtë çështje.

“Kur vjen puna te Këshilli i Mandateve, opozita, nëse do të ishte dakord për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duhet të ngrinte dorën dhe të thoshte: ‘ne jemi dakord për heqjen e imunitetit’. Partia Demokratike kërkoi tre ose katër ditë për të dhënë mendim. Për çfarë i duheshin këto tre-katër ditë, unë nuk e di, por ata e dinë,” u shpreh Merkoci.

Ai kritikoi gjithashtu formën e mobilizimit të opozitës, duke theksuar se aktiviteti i zhvilluar më 22 dhjetor nuk ishte protestë, por miting politik.

“Opozita bën miting, jo protestë. Protestën e bëjnë qytetarët. Ajo që organizoi opozita më 22 dhjetor ishte miting. Ju manipuloni popullin duke e thirrur në protestë dhe duke mos e lënë të protestojë vetë,” i tha ai Ndokës

Sipas Merkocit, protestat e organizuara nga opozita nuk kanë për qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, por shërbejnë për të rikthyer peshën politike të Partisë Demokratike.

“Të gjitha këto nuk janë protesta për të rrëzuar Edi Ramën, por për t’u faktorizuar politikisht, sepse Partia Demokratike ka humbur kredon e saj politike,” përfundoi analisti.

Ora 19:01
Çështja 'Balluku', Ndoka për Report TV: Rama po përpiqet të fitojë kohë

"Halli më i madh i Ramës është çështja Balluku”, deklaroi kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në studion e Report TV teksa analizonte hetimet e SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe qëndrimin e Partisë Socialiste për mosheqjen e imunitetit të saj.

I pyetur nëse duhet pritur vendimi i Gjykata Kushtetuese më 22 janar apo nëse duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve për t’i hequr imunitetin Ballukut, Ndoka tha se situata tregon qartë vështirësinë politike të kryeministrit Edi Rama.

“Shihet qartë që Rama ka një hall të madh. Është një dosje që i bën bashkëfajtorë të dy. Ndryshe nga herët e tjera, kur të tjerët ‘hanin dardhë e mollë’ pas shpinës së tij, tani situata ka ndryshuar. Rama po përpiqet të fitojë kohë përmes akrobacive me rregullore dhe Gjykatën Kushtetuese, por po zhytet gjithnjë e më thellë,” u shpreh Ndoka për Report TV. 

Sipas tij, kryeministri duhet të marrë një vendimmarrje të shpejtë për të zgjidhur ngërçin, duke kujtuar se Partia Socialiste e ka shpallur reformën në drejtësi si kauzën e saj kryesore.

“PS ka deklaruar se nuk do ta kundërshtojë dhe as do ta komentojë drejtësinë e re, por sot po ndodh e kundërta. Duket sikur janë në opozitë,” tha Ndoka.

Ai shtoi se Rama ndodhet në rënie politike dhe se çështja Balluku nuk është e ndryshme nga rasti i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

“Rama nuk ka problem personal me Ballukun. Ai vepron me të njëjtin standard me emrat e përveçëm: nuk ka dashuri politike për ta dhe, kur vjen momenti, i lëshon në rrugë,” argumentoi Ndoka.

Ora 18:36
Standardet e dyfishta, Ndoka për Report TV: E dëmtojnë opozitën moralisht dhe politikisht

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka komentuar dosjet e SPAK ku përmenden biznesmenë që kanë përfituar tendera publikë, mes tyre edhe Bashkim Ulaj.

Në një intervistë për emisionin Studio Live në Report TV, Ndoka tha se opozita po ndjek një standard të dyfishtë, duke sulmuar oligarkët që mbështesin mazhorancën, ndërkohë që, sipas tij, hesht kur dosjet e SPAK përfshijnë emra të lidhur me vetë opozitën.

“Në aspektin moral, opozita nuk ka të drejtë as të cenojë dhe as të tolerojë, as për veten dhe as për kundërshtarin. Opozita duhet të ketë të njëjtin standard. Ata persona që janë bërë pis me prova dhe fakte duhet të trajtohen me të njëjtin standard. Standardet e dyfishta vetëm sa e dëmtojnë opozitën moralisht dhe politikisht,” u shpreh Ndoka.