Olta & Fabi: Natën e kemi
personale, ditën për të tjerët

Olta & Fabi: Natën e kemi <br />personale, ditën për të tjerët
Janë një çift shumë karizmatik dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Punojnë bashkë, jetojnë në një apartement “të rrëmujshëm” dhe përsëri janë të lumtur. Kështu rrëfejnë për suplementin THASH&THEM, balerina Olta Ahmetaj dhe artisti Fabian Basha.
“Na rastis gjithnjë të punojmë bashkë, dhe ndihemi komod”, thonë një zëri të dy artistët, kjo jo vetëm në spektaklin “Dancing With the Stars”, ku Fabi është drejtori muzikor ndërsa Olta balerinë, por edhe në projekte të tjera dhe kjo sipas tyre është një gjë shumë pozitive, pasi rikuperojnë kohën kur nuk janë pranë njëri-tjetrit. Në këtë intervistë çifti Ahmetaj dhe Basha, tregojnë për planet e tyre të ardhshme në jetë dhe karrierë.
Ndërkaq Olta së bashku me balerinin italian të DWS, kanë hapur një palestër kërcimi, ndërsa Fabi aktualisht është i angazhuar me emisionin “Next”, dhe premton se shumë shpejt publiku do ta shoh përkrahë grupit “Produkt 28”, ku ai është bërë i njohur për publikun shqiptar.

Fabi ka mbaruar “Dancing With the Stars”, si ishte ky edicion i tretë për të dy?

Fabi: Në fakt gjërat sa vijnë e vështirësohen, pasi këngët nuk është se po shtohen. Vipat vijnë me një format të mësuar tashmë. Nëse vipat e vitit të parë nuk e dinin se çfarë do të ndodhte , se çfarë do të bëhej, ata tani vijnë me një strategji të saktë menaxhimi sepse e dinë se çfarë duan dhe çfarë pjese të imazhit të tyre duan të projektojnë. Në këtë pjesë të tyre hyn jo vetëm kërcimi, koreografia por edhe muzika, pasi muzika jep edhe orientimin bazë.

Sa e lodhshme është ?

Fabi: E lodhshme është të them të drejtën por kur vjen dita e enjte që jepet shfaqja dhe kur sheh sesi dalin vipat, apo edhe komentet e njerëzve në Facebook, kur thonë si e ka emrin kjo kënga, atëherë po që është kënaqësi.

Olta po për ju si ishte eksperiencë ?

Olta: Është viti i tretë që unë marr pjesë. Mund të them që ka kënaqësitë dhe lodhjet e veta, por në fund të fundit nuk ka punë pa lodhje (qesh).

Nëse do të bënit një krahasim me tre konkurrentët, që keni punuar me cilin prej tyre jeni ndjerë më komode?

Olta: Nuk mund ta bëj krahasimin, sepse përveç punës fizike duhet edhe shumë përshtatje psikologjike dhe në momentin që ke karaktere të ndryshme, atëherë edhe unë do të përshtatem.

Cili prej tyre u’a ka bërë punën më të lehtë?

Olta: Ka qenë Big Basta ai që ma ka bërë punën më të lehtë. Arsyeja është ose mosha ose personi vet. Por me moshë ne ishim më afër pasi i përkasim të njëjtit brez.

Fabi sa të vështirë e keni për ta përzgjedhur muzikën dhe për ta sjell në disiplinat e ndryshme të kërcimit?

Fabi: Kjo është pjesë më e debatueshme. Normalisht që në vitin e parë kemi marr direktivat nga BBC, kemi marr një listë të gjatë trackesh, që mund të merren si referencë. Kjo patentë zbatohet në 50 shtete të botës, por këtu kam parë që ka plasur shumë shpesh debate për muzikën, qoftë nga juria qoftë nga vipat. Vipat e përdorin kur kanë defekte të tjera dhe mundohen të fshihen, sepse asnjë nuk e merr këngën me zorr. Unë paraqes alternativat dhe vipi zgjedh atë këngë që do apo që i rri më shumë zemër. Pastaj kur nuk e justifikon dot thotë që ishte drejtori muzikor ai që ma dha nuk e zgjodha vet. Problemi i rrymave në Shqipëri është se nuk i kemi patur të ndara. Kemi pasur vallëzimin dhe jo disiplina të ndara dhe ky është problemi.

E përshtatni muzikën me vipin?

Fabi:
Ai është qëllimi. Puna ime qëndron në faktin që të zgjedh një melodi, e cila të jetë e saktë ritmikisht, në stil dhe të bind vipin që do jap maksimumin e tij, të bind balerinin, koreografët por në të njëjtën kohë edhe regjisorët. Pra çdo gjë niset nga muzika, fatkeqësisht duhet të jem pararojë, sepse unë jam i pari që ha “goditjen”. Kjo është vështirësia por edhe sfidë njëkohësisht. DWS nuk është konkurs i vërtet kërcimi por një shou televiziv, i cili nëqoftëse do të mbahej vetëm me muzikat klasike, do të kishim vetëm 30 këngë që do të përsëriteshin kohë pas kohe dhe do të ishte një gjë monotone nga ana audio, që e mban në ritëm këtë spektakël.

Pas DWS , me çfarë po merreni?

Fabi: Jam pak qetësi pasi periusha e DWS për mua qëlloi pak e ngarkuar, pasi merrja pjesë edhe në A Show, ku merresha me sistemin e ndriçimit të audios, ku ajo ishte një punë më vete. Pastaj mbaruan të dyja dhe ngela me Next.

Si ndiheni me Next?

Fabi: Ndihem si një fëmijë i lumtur, pra Next është qejf. Të gjitha ato informacione që unë i marr dhe i lexoj, kam një megafon ku mund ti shpreh dhe ky është Next. Se kisha provuar ndonjëherë prezantimin , madje e kisha me frikën me të madhe, sepse nuk hyj tek djemtë e bukur (qesh) dhe ekrani shqiptar është mësuar ti pëlqejë djemtë e bukur. Për këtë arsye e kisha pak me frikë, sepse nëse nuk je i bukur duhet të kesh karakter dhe duhet të jesh njeri karizmatik, ta hash ekranin dhe publiku të të pëlqejë. Shpresoj t’ia kem arritur.

Olta me çfarë projekte të tjera jeni angazhuar?

Olta: Ka patur projekte të tjera ka qenë Miss Shqipëria si dhe Netët e Klipit.

Fabi: I kemi të dy këto projekte (qeshin).

Olta:
Unë jam pjesa e koreografisë, ndërsa Fabi merret me pjesën muzikore. Janë projekte që i kemi të përvitshme, kënaqemi shumë sidomos Miss Shqipëria, që zgjat 1 muaj është një eksperiment social por edhe pune. Kam përpara 30 femra që nuk janë mësuar as me të ecurin dhe vit për vit shoh ndryshime jo vetëm profesionale por edhe sociale, gjë që është shumë interesante.

Jeni në çdo projekt bashkë?

Fabi:
Kështu na rastis (qesh).

Olta: Na ka rastisur, por edhe e kemi kërkuar.

Ndiheni komod?

Fabi: Kuptohemi që në ajër.

Olta:
Shumë njerëz mund ta kenë bezdi, që punojnë bashkë por ne themi shyqyr që e kemi, pasi është kompesimi i kohës së munguar në shtëpi.

Si jeni njohur?

Fabi:
Jemi njohur në rrugë (qesh), pastaj në shkollë, në punë.

Edhe në Vizion Plus jeni bashkë, sa kohë i kushtoni kolegëve?

Fabi: Kjo është e thjeshtë, ne kemi kohë deri në 6 të mëngjesit, pasi deri atëherë rrimë zgjuar. Kështu që natën e kemi tonën personale, ndërsa ditën e kemi për të tjerët (qesh).

Olta është shprehur se dëshiron shumë një fëmijë, meqë natën e keni tuajën kur do ta kemi një fëmijë?

Fabi: Po prit tani kjo është çështje për tu diskutuar (qesh).

Olta: Se di kur të jetë fati.

Cili do të jetë hapi i radhës në lidhjen tuaj, pasi keni 4 vjet të dashuruar dhe 3 vjet që bashkëjetoni?

Fabi: Hapat në çift ne i kemi marr në kohën e duhur dhe kur ne e kemi ndjerë të nevojshme, si dhe kur ka qenë kushtet për ti marr ato hapa. Çdo gjë ka ardhur natyrshëm dhe besoj që po kështu do të vazhdojnë, pasi kjo është mënyra e duhur e të bërit të gjërave.

Sa larg mediave e keni mbajtur lidhjen tuaj?

Olta: Nuk jemi munduar ta mbajmë larg por edhe nuk e kemi kërkuar ta mbajmë të pranishme. Kështu që çfarë është ofruar, nuk është marr me zor.

Ju kanë bezdisur thashethemet?

Olta: Jo aspak.

Fabi: Jo. Faktikisht kemi një raport goxha të mirë me gazetarët dhe paparacët. Me paparacët bëj edhe një lojë “hë s’më kap dot” (qesh) dhe nuk na është publikuar ndonjë gjë që nuk kemi dashur të publikohej, pasi në të vërtet nuk ka patur asgjë shqetësuese.

Ty Fabi njëherë të kanë kapur me një bjonde, ndërsa Olta nuk është përfolur asnjëherë në media për histori të tilla?

Olta: Ka qenë historia në Kosovë.

Fabi: Aaaa kanë qenë dy gjakovare jo një. Unë i them faleminderit atij gazetari, të lumtë goja por nuk është e vërtet. Ne 24 orë të ditës jemi me njëri tjetrin dhe raporti që ne kemi krijuar te njëri tjetri, është i bazuar mbi besimin.

Si është Fabi në shtëpi, gatuan, bën punë shtëpie?

Olta: Fabi nuk gatuan, pasi më pëlqen mua ta bëj këtë gjë, por problemi është që ai nuk ha.

Fabi: Vezët dhe makaronat i qaj, mos të flas për patatet e skuqura dhe bukën me gjalp (qesh).

Është rrëmujaxhi?

Olta: Më shumë rrëmujë bëj unë, pasi kur jam në shtëpi dhe kur bëj rrëmujë më duket sikur jam më e pranishme aty.

Si është shtëpia juaj?

Olta:
Shtëpia jonë është shumë e madhe dhe shumë e parregulluar (qesh). Është një projekt për t’u realizuar. Momentalisht nuk është ashtu siç e duam ne, por do të bëhet siç e duam ne.

Ka Fabi një të metë?

Olta: Nuk e di. Kur bashkëjeton me një person mësohesh të bashkëjetosh edhe me të metat e tij. Nuk është viti i parë që ne bashkëjetojmë, kështu që mbase jam mësuar të bashkëjetoje më të metat e Fabit (qesh).

Fabi: Çdo njeri ka të meta, por nuk e kemi bazuar raportin tonë tek të metat. Jemi marr me të metat në fillimet tona, në mënyrë që t’ia vinim njëri-tjetrit gjërat në dukje dhe që personi tjetër të reagojë . Tek Olta nuk ka diçka specifike, por mund të them kokëfortësia. Jemi të dy në fakt ndaj dhe ky mund të jetë shkaku i ndonjë grindjeje të vogël.

Ndodh të grindeni në punë?

Fabi:
Në punë çuditërisht kemi një sintoni të paparë.

Olta:
Debatet nuk i kemi për punën, sepse për punën kemi më tepër debate konstruktive, ndërtojmë ndërtojmë dhe pastaj shohim ç’kemi ndërtuar. Ndërsa për gjërat tona po që zihemi, për gjërat të tipit ku do ti bëjmë pushimet (qesh).

Në fakt ku do ti kaloni pushimet?
Të dy: Nuk e dimë ende (qeshin).

Është e sigurt që do pushoni?

Olta:
Patjetër që po, mund të përfundojmë edhe tek tarraca e shtëpisë.

Fabi:
Mund të frymë një pishinë aty (qesh).

Keni miq të përbashkët?

Fabi: Normalisht që kemi miq të përbashkët.

Olta: Edhe kur s’kemi qenë të lidhur kemi patur miq të përbashkët.

Pas 4 vitesh ka ndryshuar diçka në raportin tuaj?

Fabi: Ne jemi edhe vet tipa të çuditshëm. Jemi tipa që ndryshojmë vet me kalimin e kohës. Në momentin që merresh me art duhet ti lësh emocionet e tua të lira dhe kjo gjë të bën të jesh dinamik. Di të them diçka që dy ditë nuk ka qenë dhe nuk do jenë njëlloj , kur të vijnë dy ditë njësoj atëherë do përmbyset bota (qesh).

Fabi, duket sikur muzikën e keni lënë pas dore. Nuk ju kemi me asnjë projekt bashkë me “Produkt 28”, jeni më bashkë?

Fabi:
Le ta themi me plot gojën jemi bashkë, do mbetemi bashkë edhe projektet muzikore do vijnë. Çështja është e tillë , kjo shkëputje nga muzika është konceptuar në formën e një katarsis. Ne kishim një periudhë kohe të gjatë që ishim tepër prezent në treg, saqë Leonard Bombaj më ka thenë një shprehje shumë të lezetshme, “ jeni bërë monoton në sukses”, dhe të bëhesh monoton në sukses është vërtet e trishtë. Produkti besoj që do rikthehet fuqishëm në momentin që do të jetë nevoja e publiku, për të dëgjuar këngë të mira.

Mos ndoshta jeni përqëndruar në profile të tjera tani dhe kjo ju ka bërë të qëndroni larg muzikës?

Fabi: Profilet kanë qenë gjithnjë , të tre kemi qenë në punën tone . Kjo nuk na bërë të bëjmë kompromise me tregun. Këngët tona janë këngë personale, janë këngë që janë bërë për qejfin tonë, pasi muzika atë vend zë për ne. Është një pjesë e pasionit tonë ndaj dhe kemi patur fatin të jemi të suksseshëm. Kemi punuar për qejfin tonë dhe jo të bëjmë diçka që ti pëlqejë publikut, dhe besoj që ky është blloku momental i të gjithë këngëtarëve shqiptar apo i muzikës shqiptare, që për mendimin tim ka arritur në një kllapi.

Nuk menduat të sillnit një projekt veror muzikor, pasi shumë këngëtar e bëjnë këtë periudhë?

Fabi:
Këngët bëhen atëherë kur lindin. Mund të them që angazhimet tona personale na bëjnë që të mos shpenzojmë me shumë kohë të tre, siç shpenzonim dikur dhe që patjetër do të dilte diçka e re. Ne jemi gati për të shpërthyer, por se kur do vij ky shpërthim është thjesht çështje kohe.

Si e shikoni njëri- tjetrin në profesionet tuaja?

Fabi: Mbyll veshët Olta (qesh). Unë Oltën që në fillim e kam parë si koreografe më shumë se balerinë. Mendoj që profesioni i balerinës është i bukur por shumë afatshkurtër dhe gjithnjë e kam shtyrë drejtë këtij profesioni. Oltën si koreografeve e respektoj vërtet, është një nga koreografet e reja shumë aktive në treg. Ka punuar me sfida në kompeticione të ndryshme muzikore, dhe është e vetmja në moshën e saj që ka marr përsipër të ndërtojë një shfaqje të madhe nga ana koreografike siç është Miss Shqipëria dhe Miss Globe ndaj dhe kam bindjen që do të shkoj shumë përpara. Pasi fillimi ka qenë goxha i mbarë.

Olta:
Karakteristika që ka do thoja për Fabin është që çfarë do të kapi me dorë do ta çoj deri në fund. Ka zërin fantastik që nuk i mbushet mendja, zë që praktitkisht është i rrallë dhe po ta dëgjosh dihet që është zëri i Fabit, pra është zë me karakter. Pjesa teknologjike e Fabit është perfekte ka shumë prirje, i jepet shumë për ti bërë vet ato gjëra. Ndërsa Fabi në pjesën foni, ndriçim, është shumë i aftë dhe ka ide shumë të bukura.
Fabi : Ç’më sheh syri ma bën dora (qesh).

Olta po ju vet si ndiheni si koreografe?
Olta : Unë jam shumë e dyshuese, çdo gjë e kam me pikëpyetje. Duhet të jem shumë e sigurt përpara se ta hedh një hap. Por për këtë pjesë kam Fabin, i cili më mbështet gjithnjë dhe që më thoti jepi bëje . Nuk e di mbase siguria profesionale është një gjë që të vjen me kalimin e kohës ndaj shpresoj të më vij (qesh).

Së bashku me Simonen balerinin e DWS, keni hapur një palestër kërcimi si po ecën puna me të?
Olta: Palestra me Simonen po shkon mirë. Lindi çdo gjë pa dashje dhe ishte professor Bujar Kapexhiu ai që na çoi te “Stela Resort”. Nuk ka filluar fuqishëm sepse është periudhe vere dhe ne i kemi këshilluar klientët që periudha ideale është shtatori.

Kush shpenzon më shumë nga ju?
Fabi : Të dy shpenzojmë shumë. Vjen një datë e caktuar e muajit që mundohemi të bëjmë llogari, dhe vëme re që një pjesë shumë e rëndësishme e buxhetit mujor, ka shkuar në drejtim të paditur. As vet nuk e kuptojmë se kush na i vjedh (qeshin).

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë