Oltsen Gripshi: Si i zbulova dy tregimet dhe romanin për shqiptarët të Emilio Salgarit

Oltsen Gripshi: Si i zbulova dy tregimet dhe romanin për shqiptarët të Emilio Salgarit

Emilio Salgari, një shkrimtar i shquar italian që ka vdekur një shekull më parë, dhe që e gjithë bota e njeh si autorin e serialit të famshëm “Sandokan”, paska shkruar tregime dhe romane edhe për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ndoshta kjo nuk do të mësohej kurrë, nëse studiuesi i njohur i artit, prof. Dr. Oltsen Gripshi, nuk do t’i kishte zbuluar kur punonte në sektorin e restaurimit të librit antik në Bibliotekën Shtetërore të Veronës, gjatë vitit 2009. Dhe kjo do të mjaftonte për një studiues këmbëngulës e kërkues siç është Gripshi, që të ngjizte një studim monografik, falë këtyre zbulimeve. Ishte pikërisht kjo rastësi që u bë shkak të hidhet rrënjë monografia “Emilio Salgari e i suoi romanzi illustrati da Alberto Della Valle” ("Emilio Salgari dhe romanet e tij të ilustruara nga Alberto Della Valle ").

Kjo monografi që studion krijimtarinë artistike të shkrimtarit italian, Emilio Salgari, pati edhe një promovim pak ditë më parë në kuadër të “Tetorit të Librit”, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Ndërkohë Gripshi, në intervistën për “Shqiptarja.com” rrëfen sesi ra në gjurmët e veprave të shkrimtarit veronez, Salgari, që edhe pse nuk udhëtoi asnjëherë drejt Shqipërisë, mendja dhe zemra e tij ishin të lidhura me vendin fqinj.  

Kush është Emilio Salgari

Emilio Salgari, lindi në Verona të Italisë, më 21 gusht 1862 dhe u largua nga jeta më 25 prill të 1911-s. Ishte shkrimtar i shquar italian i asaj kohe, i lindur në Jug të Italisë. Ai shquhet për veprat e tij të shumta, por më i njohur është si shkrimtar i zhanrit të aventurës, ku në fillimet e tij ka nisur të shkruante novela të famshme të këtij zhanri për fëmijë.  

Oltsen Gripshi

Salgari ka shkruar më shumë se 200 tregime aventureske dhe romane, ku këto tregime të drejtojnë drejt vendeve ekzotike, ku njihesh me heronj nga një shumëllojshmëri të gjerë të kulturave, duke poetizuar botën e tyre dhe të banorëve të këtyre vendeve. Ai shkroi disa seri të mëdha si “Piratët e Malajzisë”, ”Piratët e Karaibeve”, etj. Në këto romane Salgari poetizonte heronjtë kryengritës kundër lakmisë, abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit. Salgari me veprat e tij ka kundërshtuar kolonizimin, dhe ky mision kulmon me personazhin legjendar të tij Sandokanin, Tigrin e Malajzisë, që ishte një princ Bornean i kthyer në pirat. Novelat e Salgarit ishin aq popullore, saqë pa kaluar shumë kohë, botuesi i tij punësoj shkrimtarë të tjerë për të vijuar tregime aventurore nën emrin e tij. Stili Salgari u imitua nga shumë autorë, por asnjë shkrimtar tjetër italian nuk e arriti famën e tij, si autorin më popullor të narrativës aventureske.

Intervista

Zoti Gripshi, si lindi libri juaj “Emilio Salgari e i suoi romanzi illustrati da Alberto Della Valle” ("Emilio Salgari dhe romanet e tij të ilustruara nga Alberto Della Valle ")?

-Ky studim monografik lindi krejt papritur, ndërkohë që punoja në sektorin e restaurimit të librit antik në Bibliotekën Shtetërore të Veronës gjatë vitit 2009. Një vendtakim mbresëlënës për mua, i rrethuar nga mijëra libra antikë, mijëra autorë të së kaluarës dhe të së tashmes, – por ai që do të ndikonte thellë tek unë ishte shkrimtari veronez, Emilio Salgari! Një shkrimtar, i cili në një jetë tepër të shkurtër arriti të shkruante 82 romane dhe 24 tregime, ku ndër to i ka kushtuar Shqipërisë dy tregime dhe një kapitull në romanin “Capitan tempesta” (“Kapiten furtuna”) … dhe këtu zë fill hulumtimi i kësaj monografie […].

Monografia e Oltsen Gripshit -Emilio Salgari dhe romanet e tij të ilustruara nga Alberto Della Valle

Cila ishte shtysa dhe përse?

-Shtysa ishte tepër e thjeshtë, gati e pavetëdijshme që në çastin kur lexova për herë të parë dy tregimet kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve e më pas, duke u thelluar mbi këtë autor zbulova se dy tregimet nuk ishin të vetmet të shkruara për Shqipërinë, por edhe një kapitull ku autori tregonte për dashurinë e djalit të Ali Pashë Tepelenës, Veliu ndaj princeshës së Damaskut. Tregime të cilat i zbulova, duke shpluhurosur të gjitha dorëshkrimet e shkrimtarit Emilio Salgari të ruajtura me shumë kujdes në Bibliotekën e Veronës, nga ku dhe shkrimtari kishte shkruar të gjithë krijimtarinë e tij letrare...

Ajo çfarë e bëri tejet të veçantë dhe mbresëlënëse njohjen time me shkrimtarin veronez, ishte se ai nuk kishte ardhur asnjëherë në tokën shqiptare apo siç e quan shpeshherë ai “Il paese delle aquile”-“Vendin e shqiponjave”! Por gjithçka ka përshkruar në ato dy tregime dhe romanin “Capitan tempersta”, i ka lexuar dhe i ka parë, duke shfletuar atlaset e kohës të cilët paraqisnin kostumet, traditat, pozitën gjeografike dhe besimet e popullit shqiptar gjatë shekullit XVIII-XIX. Dhe ky aspekt më mrekulloi aq shumë sa nisa të hedh skicat e para mbi këtë monografi […].

E gjitha filloi natyrshëm, sepse mënyra sesi shkrimtari i kishte shkruar ato vepra më la një gjurmë të thellë në kujtesë dhe, shpeshherë mendoja sesi mundet një i huaj pa shkelur asnjëherë në Shqipëri, pa njohur temperamentin e popullit të këtij vendi, doket, traditat dhe gjithçka tjetër të përshkruaj aq bukur dhe me aq dashuri vendin e shqiponjave?!

Çfarë përshkruan shkrimtari italian në vepra letrare për Shqipërinë dhe si?

-Mendoni pak që në ato dy tregime dhe kapitullin brenda romanit njoha edhe unë më shumë për Shqipërinë! Vepra letrare të cilat nxirrnin në pah jetën, virtytet, kostumet dhe besimet e shqiptarëve, në kapërcyell midis shekullit të XIX dhe XX. Në tregimin e parë “Në kufinjt e Shqipërisë”, shkrimtari përshkruan historinë e një dashurie të pamundur gjatë luftërave për territore mes popujve të Ballkanit, nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, ku protagonistë ishte një djalë i ri shqiptar syshkruar i besimit islam me emrin Osman dhe një vajzë e dëlirë me emrin Sava bullgare ortodokse. Ndërsa në tregimin tjetër “Malësorët shqiptar”, përshkruan jetën dhe antropologjinë e shqiptarëve në Alpet e Veriut. Tregime të shkruara me një gjuhë të thjeshtë, lirike dhe plot ndjenjë, aq sa kthehen në një dëshmi të rrallë dhe të pazëvendësueshme për të kuptuar më mirë se si ishte Shqipëria dhe shqiptarët asokohe. Dy tregime të cilat botohen për herë të parë në këtë kërkim shkencor, pasi shkrimtari nuk arriti t’i botonte ato për arsye se vdiq në një moshë shumë të re nga depresioni.

Ilustrime shqiptare

Z. Gripshi, ju jeni doktor i shkencave në Histori Arti, në çfarë këndvështrimi e keni sjell këtë hulumtim shkencor?

-Kjo monografi, së pari, nxjerr nga harresa dhe mosnjohja për herë të parë dy tregime shumë të bukura, por dhe shumë të rëndësishme për ikonografinë shqiptare në kapërcyell midis shekullit XIX dhe XX, kjo falë edhe rëndësisë së shkrimtarit Emilio Salgari, si një ndër autorët më në zë të letërsisë së fund shekullit XIX […], ku ndër romanet e tij më të njohur është “Sandokan”, i cili më pas u bë edhe një nga serialet e filmave televiziv më të suksesshëm të vitit 1976 në Itali. Një film me regji të Sergio Sollima dhe në personazhin kryesor në rolin e Sandokan luante aktori indian Kabir Bedi. Së dyti, ky hulumtim shkencor tenton të analizoi të gjithë rrugëtimin krijues dhe artistik të shkrimtarit, duke e vendosur veprën e tij letrare në një excursus krahasues. Një hulumtim sa historik fakt-mbledhës, aq dhe analitik-përshkrues së gjuhës së përdorur në trajtimin e shumë elementëve nga jeta shqiptare, antropologia kulturore dhe etnografia. – Boshti qendror i kësaj monografie nuk është vetëm sjellja për herë të parë për lexuesit shqiptar e të huaj të dy tregimeve për Shqipërinë të shkrimtarit Salgari, por dhe analizimi i kostumeve dhe i ilustrimeve të jashtëzakonshme të realizuara nga ilustratori napoletan Alberto Della Valle, si një nga ilustratorët e fundit me të cilin shkrimtari veronez bashkëpunoi për ilustrimin e romaneve dhe tregimeve të tij para se të kryente vetëvrasjen në moshën 31-vjeçare në Torino nga depresioni… ashtu si Emilio Salgari edhe ilustratori i tij Alberto Della Valle arriti ta pikturonte Shqipërinë, kostumet dhe skena nga jeta e shqiptarëve vetëm nëpërmjet imazheve të revistave, pikturave të Leon Gerome, i cili pikturoi shqiptarët me fustanellë të Mehmet Aliut në Egjipt, librave dhe atlaseve të kohës që gjendeshin në Bibliotekën Shtetërore të Napolit dhe Veronës […].

Emilio Salgarit te ilustruara nga Alberto Della Valle.jpg" style="height:956px; width:720px" />

Pikturat e shqiptarëve në librat e Emilio Salgarit te ilustruara nga Alberto Della Valle

Cilës moshë i drejtohet ky studim shkencor me në qendër dy tregimet dhe romanin për Shqipërinë të Emilio Salgari-t?

- Padyshim ky studim i përket thuajse të gjitha moshave. Duke filluar nga adoleshentët të cilët do të përhumben ëmbëlsisht në një histori të bukur dashurie mes dy të rinjve gjatë luftërave ballkanike për territore në shekullin XIX, studentëve të letërsisë, shkencave njerëzore (humane) dhe arteve pamore. Një mundësi e mire kjo për t'u njohur me një shkrimtar kaq të rëndësishëm jo vetëm për letërsinë evropiane në kapërcyell midis shekullit të XIX dhe XX, por edhe për mënyrën se si ai ka arritur me shumë përsosmëri të trajtojë antropologjinë shqiptare në rreshtat e këtyre veprave dhe ilustrimin e tyre me kostumet kombëtare shqiptare. Dhe së fundmi ky studim e sjell për here të parë Emilio Salgari-n në një vështrim tjetër, atë në gjirin e kulturës shqiptare […], duke i dhënë atij vendin e merituar për lexuesin shqiptar. Ndonëse ky studim është botuar në gjuhën italiane nga shtëpia botuese Aemme Edizioni, por që në një të ardhme shumë të afërt do të ribotohet edhe në shqip.

Cilat janë projektet e afërta dhe a do të kemi ndonjë studim të ri nga Ju?

- Si historian dhe kritik arti më takon të them që mbetem gjithmonë në kërkim të horizonteve e gjurmimeve të reja rreth hulumtimit të artit dhe të estetikës si qasje filozofike kundrejt dinamikave fenomenologjike në artin bashkëkohor. Pjesë e qenësishme e kërkimeve të mia janë semiotika e artit bashkëkohor shqiptar në marrëdhënie krahasuese me zhvillimet e artit bashkëkohor në botë dhe roli vendimtar i arteve në psikologjinë e grup-moshave të sistemit parauniversitar, ku mbi të gjitha ndikimi i tyre tek fëmijët me problematikat e autizmit. – Studimi i fundit që pres të botohet shumë shpjet është për historinë e artit shqiptar me temë “Peizazhi në pikturën shqiptare shek. XIX-XXI”, për të cilin kam më shumë se shtatë vite që punoj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Elio: 09/11/2019 18:34

    Shtoji edhe Librin "Avventure di montagna"

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja