Omicron në Shqipëri, Rakacolli: Dy rastet u konfirmuan në Tiranë! Kamza dhe Klosi bashkitë me numrin më të ulët të vaksinimit, Himara dhe Saranda më lartin

TIRANË- Sot u konfirmuan dy qytetarët e infektuar me Omicron, megjithatë varianti i ri i koronavirusit qarkullon në vendin tonë prej dy-tre javësh. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha në Studio Live në 'Report Tv' se Tirana është qyteti parë që preket nga Omicroni pasi dy rastet e reja janë pikërisht nga kryeqyteti. Dy personat e infektuar kishin udhëtuar në vendet e Bashkimit Europian dhe pas testimit në laboratorët gjerman rezultuan mbartës.

"Dyshimet për variantin Omicron kanë disa kohë që janë ngritur por duhej konfirmimi marrë në laboratorë që janë të specifikuar.  Çuam në laboratorin e certifikuar në Gjermani 241 mostra nga të cilat dy rezultuan pozitive me prezencën e variantit Omicron dhe janë të dy nga qyteti i Tiranës. I konfirmuar është tani, por që ta marrësh me kohën që janë marrë mostrat kanë nja dy tre javë që janë marrë. Është rast i importuar sepse personat e identifikuar kanë pasur udhëtim në BE", tha Rakacolli për Report Tv.

Në një intervistë për gazetarin Arbër Hitaj, shefja e Komitetit Teknik të Ekspertëve shpjegoi se Omicron e ka transmetueshmërinë më të lartë, por është më pak agresiv krahasuar me Deltën. Rakacolli theksoi se jo të gjithë personat mund ta kalojnë lehtë Omicronin.

"Deri tani mendohet që është e sigurt që infektueshmëria është më e madhe, por po mendohet që shenjat janë më pak agresive. Një shumicë e njerëzve e kalojnë lehtë, por jo të gjithë e kalojnë lehtë. Nëse një përqindje e caktuar e njerëzve që infektoheshin me delta, një pjesë e tyre e kalonin lehtë, ndërsa përqindja e atyre që e kalojnë lehtë Omicron është më e madhe", u shpreh shefja Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Duke u ndalur në vaksinimin e qytetarëve, Rakacolli tregoi se rreth 50% e popullsisë është e vaksinuar me një dozë. Ajo tha se Bashkia e Kamzës dhe e Klosit janë më problematiket pasi niveli i vaksinimit është i ulët, ndërkohë që Bashkia e Sarandës dhe Himarës kanë shifra të larta, rreth 80%.

"Rreth 50% e popullsisë së targetuar, mbi 16 vjeç, janë të vaksinuar me të paktën një dozë, pak më ulët janë me të dy dozat, por ka Bashki të tilla. Me Tiranën jemi mirë, është 58% e popullsisë e vaksinuar, ndërkohë që kemi edhe Bashki më të mira si ajo, Himarë apo Saranda janë vaksinuar rreth 80%. Bashkia e Kamzës ka probleme, nuk është në ato shifra që duhet të jenë. Ka një përmirësim. Klosi nuk është mirë. Në këtë dy javët e fundit vihet re një tendencë pozitive", vijoi ajo.

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme dhe bëri me dije se Omicron është identifikuar në vendin tonë. Pavarësisht shfaqjes së variantit të ri të COVID, Komiteti i Ekspertëve njoftoi se nuk do të ketë ashpërsim masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit me argumentin se masat që janë në fuqi mjaftojnë për të kontrolluar situatën.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë