Omicron 'tërbohet', nxit masa të reja kufizuese

Omicron 'tërbohet', nxit masa të reja kufizuese

Foto ilustruese

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, paralajmëroi një dimër të vështirë përpara, si pasojë e përhapjes së variantit Omicron të koronaviusit. Fauci tha se Omicron ka “aftësi të jashtëzakonshme për t’u përhapur” dhe se “po tërbohet nëpër botë”.

Varianti do të nënkuptojë “disa javë ose muaj të vështirë”, tha ai për transmetuesin amerikan NBC. Fauci tha se situata në spitale do të jetë “shumë stresuese” nëse tendencat aktuale vazhdojnë, veçanërisht në zonat me nivele të ulëta vaksinimi. Ai përsëri u bëri thirrje amerikanëve që të vaksinohen.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, vetëm rreth 61 për qind e amerikanëve kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit dhe 29 për qind kanë marrë edhe dozën e tretë apo përforcuese.

Omicron tani përbën rreth 3 për qind të rasteve në Shtetet e Bashkuara. Përqindja pritet të rritet me shpejtësi, siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera. Prejse është raportuar për herë të parë në Afrikën e Jugut në muajin nëntor, Omicron është identifikuar edhe në dhjetëra vende të tjera, duke bërë që shumë prej tyre t’i rikthejnë kufizimet në udhëtim dhe masat e tjera.

Holanda ka kufizuar tashmë punën e bizneseve, shkollave dhe vendeve argëtuese. Policia në Vjenë të Austrisë duke kontrolluar certifikatat e vaksinimit. Nëntor, 2021.

Drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë në SHBA, Francis Collins, i tha transmetuesit amerikan CBS se numri i të infektuarve me Omicron do të rritet ndjeshëm në dy javët e ardhshme. Collins tha se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për rëndimin e situatës dhe shtoi se presidenti Joe Biden do t’i shpalosë planet e reja kur t’i drejtohet kombit për pandeminë, më 21 dhjetor. Biden po ashtu pritet të përsërisë thirrjen për vaksinim.

As Fauci, as Collins nuk u kërkuan qytetarëve të vaksinuar amerikanë që t’i anulojnë planet e udhëtimit për festat e fundvitit, por thanë se njerëzit duhet të mbajnë maska gjatë gjithë kohës në aeroporte, në aeroplanë, në trena dhe në autobusë.

Planet e tilla, megjithatë, mund të prishen nga kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit. Izraeli shtoi të hënën Shtetet e Bashkuara në listën e “ndalimit të fluturimeve”, duke u thirrur në shqetësimet për përhapjen e variantit Omicron. Sipas masës së re, e cila hyn në fuqi më 21 dhjetor, izraelitëve do t’iu duhet leje e posaçme për të fluturuar drejt SHBA-së - njërin prej më shumë se 50 vendeve drejt të cilave qytetarët izraelitë nuk mund të udhëtojnë.

Këto vende përfshijnë edhe Belgjikën, Gjermaninë, Hungarinë, Portugalinë, Kanadanë, Zvicrën e Turqinë.  Në Shtetet e Bashkuara, dy senatorë amerikanë njoftuan tashmë se kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Elizabeth Warren dhe Cory Booker thanë se janë të vaksinuar plotësisht, përfshirë edhe dozat përforcuese. Gjermania, e cila tashmë ka një numër kufizimesh, përfshirë ndalimet për njerëzit e pavaksinuar në shumicën e vendeve publike, përjashtoi mundësinë e izolimit përpara Krishtlindjeve, por një grup këshillimor qeveritar tha të dielën se nevojiten urgjentisht masa të reja.

Omicron i ka dhënë një “dimension të ri” pandemisë, sepse “po infekton shumë njerëz në një kohë shumë të shkurtër dhe prek më shumë të shëruarit dhe të vaksinuarit”, thanë ekspertët. Ata paralajmëruan mbingarkesë në spitale dhe shërbime shëndetësore, nëse nuk ndërmerren hapa të mëtejshëm. Ata gjithashtu u kërkuan njerëzve që t’i reduktojnë kontaktet e tyre me të tjerët, në ditët në vijim./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit

Krishtlindja, Presidenti e Kryeministri urojnë besimtarët katolikë! Begaj: Të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit