Presupozohet se një pacient i siguruar që vjen në spital, duhet t'i marrë të gjithë medikamentete falas. Përse nuk ndodh kjo gjë?
Në momentin që pacientët që shtrohen vijnë me librezën e sigurimeve shëndetësore, të tërë medikamentet që janë në spital ata i marrin falas. Problem është me medikamentet që nuk janë në spital, pasi pacienti duhet të mjekohet njëkohësisht me katër preparate. Dy i merr në spital dhe ata dy që nuk janë është i detyruar që t'i blejë në farmaci që të bëjë skemën të plotë. Në momentin që nuk janë në spital ne nuk kemi çfarë bëjmë.
Duke u nisur nga rastet e arrestimeve të fundit që kanë ndodhur këtu tek Onkologjiku, a është e mundur që mjeku të vjedhë ilaçet?
Këto si citostatikë nuk ka mundësi të vidhen në spital pasi bëhet një procedurë shumë e sigurtë. Kur vjen pacienti për të marrë x medikament që ndodhet në spital (pasi bëhet fjalë për të vjedhur ilaçin që është në spital nga mjeku, infermieri, kryeinfermieri...) i hapet një kartelë, të cilin e ka pacienti dhe më pas shkon pranë pavijonit përkatës ku mjeku i hap një kartelë tjetër me kod dhe regjistrohet edhe në statistikë, në të cilën do të shënohet diagnoza e saktë, skema e plotë që ndjek, me ata që ka në spital dhe ata që blen në privat duke i shënuar me "P" (personale) ata që blen vetë, shënohet mjeku që e ndjek dhe emri i ilaçit që i duhet pacientit. Në të njëjtën kohë plotësohen edhe dy receta me emrin e ilaçit dhe sasia që do të tërheqë dhe vuloset nga mjeku përkatës. Më pas kryeinfermirja, së bashku me pacientin, shkojnë në farmaci për të tërhequr medikamentin në fjalë. Nëse ai ndodhet në farmaci, pacienti shkruan me shkrim dore në anën e pasme të recetës, se e ka marrë ilaçin pa pagesë, lë nr e pasaportës dhe e firmos recetën në farmaci. Njëra nga kopjet ngjitet lart në pavijon, ndërsa kopja tjetër rri në farmaci. Pra është një procedurë shumë strikte dhe që nuk i lë mundësi askujt që të vjedhin ilaçet që janë futur në spital.
Në çdo fillim viti çdo pavijon paraqet një listë medikamentesh që i nevojiten për të përballuar kërkesat që ka, a ju janë plotësuar këto kërkesave juve si shërbim?
Jo kjo nuk ndodh thuajse asnjëherë. Ne na duhet ta zëmë 10 mln dollarë, por na miratohen 5 milionë dollarë. Nga këto 5 milionë dollarë e gjithë lista jonë shkurtohet, pasi ne duhet t'i plotësojmë nevojat brenda këtij 5 milionëshi.
Çfarë lloj medikamentesh shkurtoni ju kryesisht nga lista?
Ne përpiqemi që të kemi një listë bazike, që do të thotë të kemi medikamentet më të thjeshta për personat që kanë nevojë për kimioterapi, por tani janë reduktuar të gjitha: edhe baziket edhe të shtrenjtat. Ne synojmë të reduktojmë të shternjtat dhe të kemi baziket për të gjithë, që janë edhe medikamentet më të lira. Por nga ana tjetër është mirë që në skemë të jenë edhe të shtrenjta, pasi në fund të fundit këta të lirat pacientët mund edhe t'i blejnë vetë, por duhen ndihmuar tek këto që janë të shtrenjta. Është një situatë e vështirë.
(s.g/shqiptarja.com)