OP-ED/ Së bashku, për të luftuar trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve

/ATSH/ - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon sot pasdite pritjen e saj vjetore me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Këtë vit, i ftuari i nderit do të jetë Kryeministri Edi Rama, i cili do të flasë krahas Kryetarit të Prezencës, Ambasadorit Florian Raunig.
Me këtë rast Ambasadori Raunig ka shkruar një editorial për mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi dhe puna e detyruar.
Herën tjetër që makina juaj të ndalojë në semafor dhe fytyra të vogla të shfaqen pranë xhamit apo kur të kaloni në trotuar afër një dore të vogël, që zgjatet për të lypur, ndaluni një çast dhe mendoni: një në tre prej atyre fëmijëve të vegjël rrezikohet nga trafikimi. Studimi kombëtar i vitit 2013, kryer nga UNICEF-i, "Save the Children" dhe organizata shqiptare ARSIS, identifikoi mbi 2 500 fëmijë në situatë rruge në Shqipëri. Studimi tregoi, gjithashtu, se më shumë se 800 prej tyre rrezikohen të trafikohen, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e të shfrytëzohen për prostitucion, punë të detyruar, lypje apo krime të vogla.

Kjo është arsyeja që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vijon t'u mëshojë fort masave dhe veprimeve që duhen marrë për të mbështetur përpjekjet kundër trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve, si shkeljet më të urryera të të drejtave të njeriut - të drejta që i festojmë çdo vit më 10 dhjetor. Sigurisht, ky fenomen nuk i përket vetëm Shqipërisë. Ai prek mijëra fëmijë, në mbarë botën. Raporti i fundit botëror i Kombeve të Bashkuara për trafikimin e qenieve njerëzore tregon se një në tri viktima të identifikuara të trafikimit të qenieve njerëzore është fëmijë - një rritje prej pesë për qind në krahasim me pak vite më parë.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e fëmijëve, por vijon të hasë probleme serioze trafikimin e fëmijëve dhe me shfrytëzimin për punë. Janë hartuar ligje të mira, por, edhe nëse do të zbatoheshin plotësisht, përsëri nuk do të mjaftonte. U duhet kushtuar vëmendje edhe masave parandaluese. Intervistat me fëmijët e trafikuar tregojnë se, pothuajse të gjithë, kanë përjetuar privim të të drejtave të tyre dhe abuzim përpara se të trafikoheshin. Ata nuk do të kishin rënë pre e trafikantëve, nëse shërbimet profesionale arsimore dhe sociale, si dhe ato të zbatimit të ligjit, do t'i kishin dalluar shumë më herët shenjat e rrezikut dhe do të kishin reaguar në kohë e në mënyrën e duhur.
Trafikimi lidhet me problemet sociale dhe ekonomike dhe prek anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë. Për shembull, 70 për qind e fëmijëve në situatë rruge u përkasin komuniteteve rome dhe egjiptiane. Prandaj, ky fenomen nuk duhet parë vetëm si një vepër penale, por si një çështje sociale, politike dhe e të drejtave të njeriut, trajtimi i së cilës kërkon një qasje multidisiplinore.

Lufta kundër këtij fenomeni duhet të orientohet te krijimi i një mekanizmi efektiv për mbrojtjen e fëmijëve, i cili t'u përgjigjet nevojave të fëmijëve të cenueshëm dhe të përjashtuar nga shoqëria e të garantojë zhvillimin e tyre. Në Shqipëri, ka rreth 200 njësi për mbrojtjen e fëmijëve. Ato duhet të kryesojnë përpjekjet për t'u siguruar që fëmijët viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit të marrin kujdesin dhe mbrojtjen e duhur. Fatkeqësisht, vetëm disa prej tyre funksionojnë plotësisht.
Shteti ka për detyrë të ndalojë abuzimin e fëmijëve dhe të plotësojë nevojat e tyre për mbrojtje dhe asistencë të veçantë, duke përdorur një qasje të integruar e multidimensionale.  Që nga maji 2014, qeveria ka zhvilluar një plan veprimi ambicioz për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge. Duke kuptuar që kjo kërkon përpjekje afatgjata dhe zgjidhje të qëndrueshme, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po punon ngushtë me qeverinë dhe shoqërinë civile për të siguruar që politikat dhe veprimet konkrete të garantojnë interesin më të mirë të fëmijëve.

Përdorimi i fëmijëve për punë të detyruar është një tjetër shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, fëmijët punojnë në sektorin bujqësor, tekstil, fasoneri dhe në minierë. Shpesh, ata ekspozohen ndaj substancave kimike të rrezikshme dhe makinerive të rënda. Sipas pyetësorit për punën e fëmijëve, të kryer nga INSTAT-i në vitin 2012, 57 000 fëmijë në Shqipëri - tetë për qind e fëmijëve pesë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç - janë të angazhuar ekonomikisht. Kjo do të thotë se fëmijëria e 57 000 fëmijëve në Shqipëri është ndërprerë tepër herët dhe se ata mund të vuajnë pasoja fizike dhe mendore, për një kohë të gjatë.

Zbatimi i ligjeve ekzistuese kundër të gjitha formave të shfrytëzimit të lidhura me trafikimin ka rëndësi thelbësore. Shumë e rëndësishme është edhe rritja e rolit dhe kontributit potencial, në ndalimin e shfrytëzimit të punës së fëmijëve, të aktorëve të tjerë të shoqërisë civile, siç janë bizneset, sindikatat dhe organizatat jofitimprurëse.
Edhe pse garantimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut është, kryesisht, përgjegjësi e qeverisë, bizneset kanë detyrimin të sigurohen që askush të mos detyrohet të sakrifikojë jetën, të drejtat apo të ardhmen për prodhimin e një produkti të dëshiruar. Prezenca e OSBE-së ka ndërmarrë një qasje të dyfishtë në trajtimin e fenomenit të shfrytëzimit të punës së fëmijëve. Ne kemi mbështetur inspektorët e punës që të fuqizohen për të identifikuar rastet e punës së detyruar, duke përfshirë edhe punën e fëmijëve. Gjithashtu, ne po punojmë me qeverinë dhe me shoqatat e bizneseve për të hartuar një Kod Sjelljeje, që ndalon punën e fëmijëve.

Përvojat drithëruese të fëmijëve të trafikuar apo të shfrytëzuar na vënë përballë detyrimit moral që të ngrihemi kundër atyre që i shohin fëmijët si mjet shfrytëzimi. Vetëm një qasje e bashkërenduar dhe bashkëpunuese mund t'u sigurojë fëmijëve mbështetjen e nevojshme për t'u mbrojtur nga trafikimi dhe për të filluar të ndërtojnë jetën. Ne jemi përgjegjës për të ardhmen e tyre.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?