Opera 'Bijtë e Skënderbeut' në Durrës
para 50 vitesh, u ndoq dhe nga Enveri

Opera 'Bijtë e Skënderbeut' në Durrës<br />para 50 vitesh, u ndoq dhe nga Enveri<br>
Pak kush e di se Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” ka vënë në skenë edhe një opera.Pavarësisht kësaj, kjo mbetet ngjarja më kulmore në historinë e këtij institucioni. Gjithcka ka ndodhur në vitin 1968 në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Opera quhej “Bijtë e Skënderbeut”. Në kronikat e shkruara të kohës lexojmë se opera ka pasur një sukses të madh. Brenda një viti është shfaqur 80 herë në Durrës, Tiranë, Shkodë, Elbasan dhe Korcë. Shfaqja e parë është dhënë në Durrës me 9 janar 1968.

shtypi
(Shtypi i kohës)

Në atë kohë ishte vendosur festimi me madhështi i 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Që në vitin 1967 u vendos vënia në skenën e Durrësit e Operas “Bijtë e Skënderbeut”e kompozitorit Abdulla Grimci me libret të Matish Gjelucit. Dirigjent u caktua Ermir Dizdari. Opera është vënë në skenë nga artistët amatorë të qytetit të Durrësit, që nga orkestrantët e deri te solistët. Ishte një angazhim i madh dhe i vështirë. Në këtë opera morën pjesë 200 artistë amatorë.

artistet
(Artistët diletantë në faqet e shtypit)

Dirigjenti i kësaj vepre muzikore, Ermir Dizdari kujton se operan, kur u shfaq në Tiranë erdhi dhe e pa vetë Enver Hoxha. Ai mbeti i habitur kur mori vesh se që të gjithë artistët nga Durrësi ishin diletantë, punonjës në ndërmarrje të ndryshme të qytetit. Fill pas kësaj shfaqje u dha direktiva që të gjithë artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe ata të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve me patjetër duhej ta shihnin të paktën një herë Operan “Bijtë e Skënderbeut”.

Ja si e kujton pas 50 vjetësh këtë ngjarje artistike dirigjenti Ermir Dizdari.

dirigjenti

(Dirigjenti Ermir Dizdari)

Ermir si u vendos një ndërmarrje kaq e madhe artistike dhe për më tepër në Durrës ku nuk kishte një trupë opere? Një vit më parë (1967), me vendim të Këshillit të Ministrave ishte vendosur që në vitin 1968 të kremtohej 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Në atë kohë ishte dhënë urdhër që artistët ,shkrimtarët e njohur, kompozitorët e të tjerë të kësj natyre të shkonin e të punonin për një periudhë të caktuar kohe në qytete të ndryshme të vendit. Në Durrës kishte ardhur kompozitori i njohur Abdulla Grimci me një kontribut të madh në Radio Tirana. Për të qenë më i saktë ai ishte vendosur në Kavajë e cila në atë kohë ishte pjesë e rrethit të Durrësit.

Ishte vendosur që të viheshin në skenat tona 2 opera kushtuar heroit tonë kombëtar. Njëra në Tiranë, ajo e kompozitorit Prengë Jakova e titulluar “Skënderbeu” dhe tjetra në Durrës “Bijtë e Skënderbeut” e kompozitorit Abdulla Grimci. Pra që një vit më parë u vendos që të niste puna për vënien në skenë të kësaj vepre. Libretin e operas “Bijtë e Skënderbeut”e kishte shkruar Matish Gjeluci ndërsa dirigjimi mu besua mua. Unë atëhere isha 25 vjec dhe barra që mu ngarkua ishte tepër e rëndë duke menduar edhe përgjegjësitë e asaj kohe.

Si u vendos që një vepër e tillë ti besohej diletantëve?
Në atë kohë, në Durrës, Sekretar i Parë i Partisë ishte Rita Marko. Ishte ai që dha urdhër që opera të vihej në skenë nga amatorët ose diletantët. Të mos harrojmë se në atë kohë i kushtohej një kujdes i madh lëvizjes kulturore artistike në ndërmarrje apo nëpër shkolla. Kishte plot njerëz me talent artistik por që punonin në zanate dhe profesione të ndryshme në fabrika e uzina.

Kështu p.sh roli i Skënderbeut ju besua të ndjerit Napolon Llalla me profesion elektricist në Kantierin Detar. Ai kishte një shtat vigan se kishte qenë edhe volejbollist me ekipin e Durrësit, dinte të këndonte dhe roli i shkonte më së miri. Gjeto Guri ju besua Sotir Afezollit tornitor po në Kantier Detar. Më vonë Tirka, sic e thërrsinim për shkurt e që nuk jeton më, bëri emër të madh si një ndër baritonët më të mirë të vendit tonë. Po kështu po përmend rolin e Bardhës e cila u interpretua nga këngëtarja diletante Ferial Kamata e që ishte me profesion ekonomiste dhe punonte si llogaritare në një ndërmarrje të qytetit të Durrësit. Dublante e saj ishte Liljana Bekirdheli me profesion mësuese fiskulture e kështu me radhë.

Sa artistë diletantë morën pjesë në këtë vepër muzikore?
Morën pjesë 200 vetë, solistë, koristë, valltarë dhe orkestrantë. Përzgjedhja e tyre kërkoi kohën e vet. Vetëm orkestra kishte 50 vetë. Na u desh që të angazhonim edhe studentë nga Durrësi që vazhdonin shkollën në liceun artistik në Tiranë. Për herë të parë në Durrës u realizua rreshtimi i orkestrës se formacion muzikor.

Po ashtu u krijuan 2 kore, ai i të rriturve dhe ai i fëmijëve me pionierë të shkollave të Durrësit. Kishte skena masive shumë të vështira por që u realizuan me sukses. Më duhet të them se vetëm drejtuesit artistikë ishin profesionistë. Të tillë ishin Jorgjie Truja, Koco Uci, Enver Plaku, Pjetër Dungu, unë e të tjerë që drejtuam këtë vepër muzikore.

dirigjenti

(Dirigjenti E.Dizdari)

Kush e financoi gjithë këtë vepër muzikore?
Financimin e kryen ndërmarrjet e qytetit të Durrësit. Duke nisur nga baza materiale e deri te kostumet, gjithcka u realizua nga ndërmarrjet. N/kryetar i Komitetit Ekzekutiv (sot bashkia) në atë kohë ishte Sali Verdha. Në fillim të punës për realizimin e operas “Bijtë e Skënderbeut”ai organizoi një mbledhje me drejtuesit e ndërmarrjeve të Durrësit ku ishim të pranishëm edhe ne drejtuesit artistikë. Ai ju ndau detyrat drejtuesëve të ndërmarrjeve dhe gjithcka shkoi mirë deri në përfundim të punës kur vepra u luajt në skenë.

Kur u dha shfaqja e parë?
Me 9 Janar 1968 si sot 50 vjet më parë u dha shfaqja e parë.

Su u prit ajo?
Jashtëzakonisht mirë. Pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës. U dhanë një numër i madh shfaqjesh në Durrës. Më pas pati kërkesa që ajo të luhej në skenat e qyteteve të vendit tonë. Kështu dolëm më turne, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan dhe Korcë. Në total dhamë 80 shfaqje.

Po në Tiranë?
Kur po bëheshim gati të nisnim shfaqjen në Tiranë dhe artistët bënin grimin, orkestranët bënin gati veglat, të tjerë vishnin kostumet e shfaqjes, na thanë se operan sonte do ta shikojë Enver Hoxha. Kuptohet që kishte emocione të mëdha. Shfaqja shkoi mjaft mirë.Enveri u informua se artistët ishin të gjithë diletantë. Në njërin prej akteve ai kishte pyetur Nexhmijen, edhe orkestrantët diletantë janë dhe kur kishte marrë përgjigjen kishte tundur kokën i habitur.

Pas kësaj,Thoma Deliana, në atë kohë ministër i arsimit dhe kulturës, kishte urdhëruar që të gjithë artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit si dhe ata të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të shikonin të paktën një herë operan “Bijtë Skënderbeut”. Kjo për të fituar eksperiencë nga artistët amatorë. Ju një shfaqje jepni dhe hidhni shalle në qafë ndërsa artistët e Durrësit punojnë në sektorë të ndryshëm nëpër uzina e fabrika ku era i rreh gjokset dhe janë në gjendje të dhurojnë të tilla emocione, ju kishte thënë ministri artistëve të Tiranës. Shfaqja u dha edhe në vitin 1969 në qytetin e Korcës. 

fletepalosje
(Fletëpalosje e operas)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë